Një mik i huaj që jeton prej disa vitesh në Shqipëri, një ditë kur po i tregoja për nismat për nxitjen e aktivizmit që bëjmë me gratë dhe të rinjtë, më tha me një seriozitet që nuk e karakterizon zakonisht: “Unë e di arsyen pse në Shqipëri është shpesh i vështirë aktivizmi! Ju keni tendencën të prisni çdo gjë nga të tjerët! Kam vënë re se shumë njerëz presin që partia e tyre t’i fusë në punë.
Edlira Çepani
Shumë njerëz të tjerë në plazhe i lënë mbeturinat e tyre poshtë çadrës dhe thonë që le t’i mbledhë bashkia. Fëmijët presin nga prindërit që t’u paguajnë shkollën. Prindërit e të afërmit presin nga emigrantët t’u dërgojnë të ardhura. Ju prisni nga ambasadat e huaja të denoncojnë korrup – sionin dhe nga shtete të huaja që të vijnë dhe të vendosin ligjin në Shqipëri. Prisni nga tjetri që të ngrejë zërin për problemet tuaja, por vetë i thoni nën zë, pa u përballur asnjëherë personalisht me përgjegjësit e tyre. E shumë të tjera si këto… Dukeni sikur të gjithë jeni të qetë duke pritur nga çdokush tjetër përveç vetes, duke mos u ndjerë as përgjegjës dhe as të fuqizuar mjaftueshëm për të bërë dicka për situatën ku ndodheni…! Kjo nuk ka lidhje me durimin, ka lidhje me pritshmëritë dhe dëshirën për të marrë përsipër përgjegjësi!” Duke e dëgjuar thuajse u struka në karrige dhe pak me të qeshur e pak me seriozitet i tregova se si më shkruajnë miq e të afërm sa herë që reagoj për ndonjë problem publikisht me pyetjet e përhershme: “Ç’të duhet ty? Pse reagon kur nuk është një gjë që të prek në mënyrë të drejtpër – drejtë? Për shembull, a je grua e dhunuar ti? Jo. Atëherë pse duhet të flasësh ti për dhunën me bazë gjinore? A je e margjinalizuar dhe e pastrehë ti? Atëherë pse flet ti për ta?
Të flasin ata që e kanë hall të drejtpërdrejtë! S’e kuptoj për cilën arsye shkon dhe mbjell pemë në Lurë kur ti jeton qindra kilometra larg që aty. Po me fuqizimin e grave në politikë pse merresh, a ke ndërmend të hysh vetë në politikë? Pse nxit aktivizmin tek të rinjtë, kur asgjë s’ka për të ndryshuar, lërini shtetin e partitë të bëjnë punën e vet!” dhe më e shpeshta: “Pse ti do e ndryshosh Shqipërinë? Shih çfarë mund të përfitosh ndonjë gjë për vete, siç bëjnë të gjithë! Të gjithë kërkojnë t’i nxjerrin gështenjat e nxehta me duart e të tjerëve, pse do ta bësh ndryshe ti?!” Duke dëgjuar mikun tim, filloj dhe e shoh me një sy tjetër situatën. Në fakt dhe është e vërtetë që mes rehatisë të pritjes, gjithmonë që dikush tjetër t’i bëjë gjërat për ne, dhe dëshpërimit, që në fakt askush nuk i bën kurrë aq mirë sa ç’do i bënim vetë (se është normale që të ndodhë), i kemi krijuar vetes një pafuqi për të ndërmarrë edhe hapin më të vogël drejt një ndryshimi. Edhe në shtëpi e njëjta gjë…
Në shtëpitë ku mamatë ose baballarët janë qendra e çdo zhvillimi brenda familjes, kur ikin në ndonjë udhëtim a mungojnë për disa ditë, u duket të gjithëve sikur nuk do mbijetojnë dot asnjë sekondë. Në fakt, të gjithë e kemi provuar, që mbijetojmë dhe madje ia dalim vërtetë mirë, për çudi të prindërve tanë! E njëjta gjë është edhe më shoqërinë. Shpesh mbetemi i peng i kurthit që të presim çdo gjë nga të tjerët dhe vetë të mos kërkojmë më shumë përgjegjësi, se ato që janë thellësisht individuale. Kjo me idenë, edhe për të mos e ngarkuar veten me përgjegjësi kolektive, por edhe si pasojë e një mentaliteti në bazë të së cilit, çdo investim tek diçka kolektive duket si një investim i çuar dëm.
Ky mentalitet, është krijuar për shumë arsye, që prej kohës së komunizmit ku humbi në njëfarë mënyrë sensi real i kolektivitetit, e deri tek ditët e sotme ku gjërat kolektive kanë tendencën të vidhen e shpërdorohen nga ata që i menaxhojnë (sidomos asetet publike në përgjithësi), ndaj njerëzit janë lodhur nga keqmenaxhimi e nuk duan të kontribuojnë më. E gjitha kjo është kthyer në një rreth vicioz për shkak të së cilit, pritja nga të tjerët është kthyer në normalitet, bashkë me dëshpërimin që gjërat nuk mund t’i ndryshojmë vetë dhe me bindjen që s’kemi fuqi mjaftueshëm…
Mjafton të ndalemi për të moment dhe të mendojmë. A vlen të vazhdojmë në një pritje pafund që shpesh na çon në dëshpërim? Apo të marrim vendimin për t’i bërë vetë ca gjëra që të ecim përpara më shpejt dhe më mirë? Mund të duket pak si vendim utopik, por në fund të ditës është çështje e një zgjedhjeje praktike për të ecur më mirë dhe më shpejt.
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.184, muaji Tetor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.