FB

March 12, 2026 | 16:00

Nga Edlira Çepani: Nëse jemi ajo çka hamë, atëherë kush jemi realisht?

 

 

Gjatë viteve të fundit mirëqënia fizike dhe mendore është në fokus të investimeve, studimeve dhe bisedave të pjesës më të madhe të njerëzve. Në hyrje të pranverës veçanërisht, një pjesë e mirë e njerëzve fillon dhe kujdeset më shumë për pamjen fizike, linjat trupore, ushtrimet dhe dietat që e çojnë drejt linjave të dëshiruara të verës. Në fakt, mirëqënia është shumë më tepër se sa linjat fizike apo dëshira për t’u dukur mirë!

edlira-cepani

Një investim kolosal i viteve të fundit në këtë sektor, ka shtyrë shumë zhvillime dhe miliona njerëz të bëhen më të kujdesshëm me mënyrën si e jetojnë jetën dhe mireqënien e tyre fizike, por edhe mendore e emocionale. Kjo është diçka shumë pozitive që ka ndodhur në botë dhe vijon të ndodhë edhe në Shqipëri. Fatkeqësisht, në të gjithë këtë oaz të investimit tek vetja dhe tek mireqënia, nuk janë të rralla rastet kur dëgjojmë për tregti të ushqimeve të skaduara, përbërës të rrezikshëm brenda tyre, prejardhje e dyshimtë dhe mungesë kontrolli e ushqimeve të përdorura në përditshmërinë e gjithsecilit. Në vitet e gjata të jetuara në Itali, nuk u mësova dot asnjëherë me faktin se sa shumë flitej e diskutohej në çdo rast e mundësi për ushqimin. Më bënte përshtypje mënyra si e diskutonin në detaje çdo aspekt të ushqyerjes dhe të ushqimit, por edhe sigurinë e tij për shëndetin.

Në Shqipëri ka një mungesë të thellë të diskutimit kolektiv mbi sigurinë ushqimore, në një kohë kur siguria ushqimore është një prej problematikave që rrallëherë është trajtuar me seriozitetin e duhur, që nga institucionet, e deri tek popullata në tërësi. Një mburojë ndaj mungesës së sigurisë ushqimore është konsideruar zgjidhja individuale e gjetjes së burimeve të besuara për blerjen e ushqimeve. Në fakt kjo nuk mundet dhe nuk duhet të jetë një zgjidhje afatgjatë për të garantuar një treg të besuar për sigurinë ushqimore.

Në mënyrë periodike, skandale njëri pas tjetrit frikësojnë popullatën për produkte që variojnë që nga uji e deri tek mishi, apo bulmeti, që nga fruta-perimet e deri tek mielli si përbërës kryesor i një zinxhiri ushqimesh që janë të domosdoshme në tryezat e shqiptarëve. Skandalet nga një anë, mungesa e informacionit nga tjetra, dezinformimi me raste, kanë krijuar një situatë pasigurie të përgjithshme ku jo vetëm pasojat fizike, por edhe ato emocionale janë të dukshme.

Një shprehje e njohur thotë që “ne jemi ajo çka hamë” dhe nëse është kështu, atëherë jemi në rrezik të mbetemi viktima të një cikli papërgjeshmërie për jetën dhe shëndetin i cili na dëmton kolektivisht. Ai momenti kur thuajse për asgjë që ha, nuk ke siguri që është kontrolluar, që nuk është ndryshuar skandenca, apo që vjen nga burime të shëndetshme, thotë shumë në lidhje me shprehjen e lartpërmendur. Po, investojmë shumë në imazh, në linjat fizike, por kemi një vëmendje shumë të paktë tek siguria ushqimore.

Në fakt nëse e mendojmë fare pak më thellë, sa mund të ndihmojë botoxi nëse ushqimi që trupi merr çdo ditë nuk është ai i duhuri? Sa mund të ndihmojë edhe sporti apo palestra kur ushqimi që ne e quajmë “karburanti i trupit” në të vërtetë na bën dëm më shumë se sa na forcon në mënyrën e duhur.  Problematikat e shumta shëndetësore të viteve të fundit, përpjekja për të investuar në një stil të shëndetshëm të jetës, janë një mundësi për të marrë një kthesë në rrugën që ndjekim në lidhje me ushqimin, por jo vetëm në nivel individual.

Ndërgjegjësimi për rëndësinë e sigurisë ushqimore të përbashkët, për rëndësinë e të kërkuarit më shumë kontroll, cilësi dhe siguri, janë hapa që është e domosdoshme të hedhim, për të shkuar drejt një shoqërie që është e shëndetshme. Edhe në aspektin individual, është e domosdoshme përpjekja serioze për të investuar ashtu siç duhet në shëndet dhe në cilësinë e jetës, jo vetëm në pamje dhe në fasadë, duke qenë të ndërgjegjshëm se rrënjët e shëndetit, të bukurisë dhe të mirëqenies, fillojnë pikërisht nga ushqimi. E nëse jemi ajo çka hamë, uroj që në këtë situatë të pyesim veten se kush jemi dhe më pas të marrim masat e duhura, që ashtu siç e bëjmë në nivel individual, të kujdesemi edhe për sigurinë kolektive që në një mënyrë apo në një tjetër, na prek të gjithëve.

Nuk ka asnjë dyshim që bukuria e vërtetë është ajo që nis nga shëndeti, e ndaj një investim i tillë e kalon linjën e investimit individual dhe na ndihmon të gjithëve.

Nëse nuk dimë çfarë hamë, atëherë ka shumë gjasa të mos dimë as kush jemi…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top