FB

September 2, 2022 | 8:00

Nga Edlira ÇEPANI / Për kë të shkruaj, por…

Si çdo muaj isha ulur të shkruaja artikullin e rradhës e po mendoja për çfarë të shkruaja. Dita kish qenë plot me streset e përditshme që i krijojmë njëri-tjetrit, edhe mes të panjohurish në rrugë, plot lajme të këqija për gra e vajza të dhunuara, për institucione që nuk i mbrojnë e më shumë lajme nga ato tipiket ditore që na bombardojnë me gjëra negative. Në gjithë këtë vorbull negativiteti, patjetër që gjëja e parë që më erdhi ndërmend të shkruaja ishte negative…

Nga Edlira ÇEPANI

Doja t’i shkruaja një letër atij palo burrit që dhunon gruan e fëmijët (kudo ku ndodhet), t’ia nxirrja të gjithë mllefin që kam ndaj kësaj padrejtësie, ta shaja, pse jo ta mallkoja dhe të largoja nga vetja këtë lëmsh që më ish mbledhur në fyt! Pastaj hapa për pak rrjetet sociale dhe në atë moment gjeta një mesazh nga një person i panjohur që më shkruante se një fjalim i imi diku, për ndryshimin që duhet të fillojë nga vetja, e kish shtyrë për të bërë diçka për komunitetin dhe më falenderonte se kish marrë shtysë nga ajo gjë, që më pas ishte bërë një nismë e vlefshme për shumë njerëz. U ndala! U kujtova se dhe ditë më parë kisha marrë disa mesazhe nga njerëz të njohur e të panjohur, që më shkruanin për kurajo në punën time, ose donin të dinin se si mund të mbështesnin me diçka qoftë gratë dhe vajzat, qoftë komunitetin e tyre, ose më shkruanin për ide të bukura që kishin e që besonin se do të sillnin një ndryshim diku. Pastaj u kujtova sërish për mesazhet inkurajuese pas nismave që ndërmarrim në çdo cep të Shqipërisë, me njerëz që janë frymëzim, me njerëz që janë modele të bukura në mënyrën se si e jetojnë jetën! Ndaj vendosa të shkruaj për ta!

Në përditshmërinë tonë frenetike, shpesh e kapim veten duke u marrë me të keqen dhe duke lënë pas dore të mirën. Si ata prindërit që pa vetëdije, i kushtojnë më shumë vëmendje fëmijëve që janë problematikë dhe harrojnë se të njëjtën vëmendje, ndoshta edhe më shumë, meritojnë fëmijët që janë të mirë. Në këtë jetën tonë ku luftojmë, stresohemi, përballemi çdo ditë me njerëz që nuk ia vlejnë, harrojmë shpesh ata që janë gjithmonë aty, të mirët, njerëzit që vërtetë vlejnë. Harrojmë t’u themi faleminderit që na mbështesin, që na sjellin pak pozitivitet, që nuk e kursejnë fjalën e mirë, as buzëqeshjen! Këta njerëz mund të jenë të rrallë, por janë aty dhe meritojnë të falenderohen dhe të mbështeten! Im atë na thoshte gjithmonë kur ishim të vegjël, të ishim në çdo kohë të qeshur dhe të mos e kursenim asnjëherë fjalën e mirë aty ku mundeshim. Në atë kohë na dukej pak e çuditshme si kërkesë… por sa më shumë jetojmë dhe marrim eksperiencë jete, aq më shumë e kuptojmë se kishte të drejtë. Shpesh në fakt, vëmendjen e marrin ata që krijojnë probleme, qoftë në media, qoftë në shkollë, qoftë në shoqëri, qoftë në familje, por kjo gjë duhet të marrë fund! Para se të merremi me të keqen, me atë që bën zhurmë, por që në fakt nuk vlen dhe me promovimin pa vetëdije të së keqes, duhet të fillojmë të promovojmë së pari njerëzit që bëjnë të mira, që janë modele për t’u ndjekur. E keqja duhet të luftohet, por jo duke e larguar vëmendjen nga e mira! Madje në fakt, promovimi i së mirës e lufton natyrshëm të keqen!

Ndaj ky shkrim u dedikohet të gjithë atyre njerëzve që përtej gjithë problemeve të tyre, zgjedhin të jenë pozitivë, mbështetës, të buzëqeshur e dashamirës. Faleminderit që ekzistoni! Bota është një vend më i mirë, sepse juve e bëni të tillë!

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 172

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top