FB

December 3, 2022 | 10:35

Nga Edlira ÇEPANI / Rezoluta e fundvitit…

Pyetja që të rinjtë me të cilët punojmë na bëjnë shpesh, është: “Pse thuajse gjithmonë luftohen më të mirët këtu në vendin tonë? Pse shohim që dalin në pah në shumë fusha ata që i konsiderojmë si mediokër dhe duket sikur intelektualët mbeten gjithë kohës pas?”.                                        

 Në vendet e tjera, në përgjithësi, të paktën siç e shohim nga jashtë, duket sikur të mirët kërkohen, mbështeten e motivohen, ndërkohë tek ne duket sikur ndodh e kundërta. Në një shoqëri ku mediokriteti duket sikur ulet këmbëkryq në thuajse çdo drejtim, sulmi ndaj të mirëve është lufta e mediokërve për mbijetesë dhe pushtet. Të mirët e rrisin standartin, kërkojnë më shumë, japin më shumë. Kujtdo që i pëlqen apo përfiton nga status quo-ja mediokre, është normale që i lufton. Luftohen, sepse në krahasimin mes standartit dhe mediokres, bëjnë një diferencë të dukshme duke nxjerrë në shesh, pikërisht këtë ndryshim!

Luftohen sepse duke i luftuar dekurajohen, largohen dhe nuk japin më maksimumin, duke u konformuar në mediokritetin që masat aprovojnë. Një meme interesante në rrjetet sociale përshkruan bukur se kur një grup njerëzish i pyesin se “kush prej tyre e do ndryshimin”, ata përgjigjen të gjithë njëzëri pozitivisht Më pas kur i pyesin “a duan ta bëjnë ndryshimin”, asnjë prej tyre nuk përgjigjet e vijojnë në heshtje të bëjnë sikur nuk dëgjuan. Fundviti në përgjithësi është kohë reflektimi, për ato ç’kemi bërë gjatë vitit e për ato që s’arritëm të bëjmë. Nëse kemi heshtur, nëse nuk e kemi bërë ndryshimin aty ku mundemi, nëse nuk kemi folur, nëse nuk kemi mbështetur dikë që vlen kundrejt te tjerëve, atëherë u kemi dhënë në mënyrë të pavetëdijshme edhe më shumë fuqi atyre që themi se na luftojnë.

Në një betejë, duhet që të dyja palët të luftojnë. Nuk mund të luftojë vetëm njëra dhe tjetra të presë për një fitore në tavolinë pa u përpjekur për atë që do. Lufta nuk është e thënë të jetë me të njëjtat armë, as me të njëjtat forca, as edhe më të njëjtat numra, ama nëse dëshirohet një fitore, atëherë duhet të ketë një përballje. Asgjë nuk fitohet duke heshtur, as duke pritur që fitorja të vijë nga dikush tjetër, as duke pritur që të vijë vetë… Ata që ne konsiderojmë mediokër (ata që duket qartë se luftojnë të mirët), ata janë aktivë në betejë, nuk ndalen, nuk heshtin, nuk rrinë vetëm, por bashkohen. Është e rëndësishme të kuptojmë se ata të mirë që ndjehen të luftuar, duhet të bëhen bashkë e të mbështesin njëri-tjetrin (një litar tresh këputet shumë më vështirë sesa një tek).

Nuk mund të presim që mediokriteti të mbështesë të mirën, por ajo që mund të bëjmë, është ta mbështesim vetë me gjithçka kemi në dorë. Në të përditshmen tonë, mund të zgjedhim të mbështesim të mirët, në politikë, në biznes, në akademi, në shoqëri civile, në shkollë, kudo! Ai ndryshimi i vogël individual, bëhet një mjet ndryshimi dhe na kthehet mbrapsht si një shoqëri më e mirë dhe çdo herë e më pak mediokre. Ajo shprehja që ndryshimi fillon nga vetja, mund të duket pak romantike, por në fakt është e vetmja zgjidhje për të bërë ndonjë ndryshim.

Ndryshimi fillon nga vetja, por dhe nga përpjekja e përbashkët për të fituar në një betejë nga e cila fitojmë të gjithë më shumë. A nuk do ishte interesante si një rezolutë fundiviti?.

 

 

 

Botuar tek “Revista Psikologjia”, Nr.174, muaji dhjetor

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top