FB

January 6, 2026 | 19:00

Nga Edlira Çepani: Rezoluta më e rëndësishme e vitit të ri!

 

Muaji Janar është zakonisht muaji kur merren vendime dhe ndërmerren rezoluta vetjake, për të qenë më efektivë, më të mirë, më të suksesshëm, më të organizuar e për të arritur çdo gjë që e kemi në plan gjatë vitit. Ky muaj fillon me një energji të re për vitin dhe për jetën në përgjithësi, gjithmonë si një cikël rivitalizimi, i cili në fakt është i vlefshëm për zhvillimin vetjak, por edhe për atë shoqëror.

edliracepani

Në këtë muaj rezolutash e vendimmarrjesh, mirë është që të ndalemi pak e të shqyrtojmë cilat janë gjërat dhe njerëzit më të rëndësishëm në jetën tonë, cilat janë prioritetet tona, cilat janë gjërat dhe njerëzit më të vlefshëm në jetën e gjithsecilit prej nesh? Të gjitha këto pyetje, në pjesën më të madhe të rasteve, kanë një përgjigje të përbashkët, familja dhe sidomos fëmijët. Fëmijët janë ndër shekuj më të rëndësishmit e çdo familje, çdo shoqërie e çdo prindi. Sidomos kur bëhemi prindër, por edhe kur nuk jemi prindër, është e njëjta ndjesi. Fëmijët duhet t’i mbrojmë, t’u garantojmë gjithçka për të cilën kanë nevojë, t’i bëjmë të lumtur. Ky është një nga qëllimet dhe gjërat e rëndësishme që mund të bëjmë në jetë.

Nga ana tjetër, në këtë detyrën e madhe të edukimit, e gjejmë veten shpesh si shoqëri duke pritur që fëmijët të përmbushin gjithë kohës standarde për të qenë në lartësinë që duhet nga shoqëria dhe familja. Fëmija duhet të flasë kështu, duhet të sillet ashtu, nuk duhet të bëjë këtë, duhet të bëjë atë, duhet të jetë mirë me mësime, duhet të respektojë të rriturit, etj. Në këtë listën e gjatë të standardeve dhe kërkesave që kemi ndaj fëmijëve, rrallë herë ndalojmë të pyesim veten – Po fëmijët çfarë duan nga ne? Çfarë presin fëmijët nga shoqëria, për çfarë kanë nevojë reale, përveç rregullave që ua bëjmë të qarta shumë shpesh?

Pas një viti ku 3 fëmijë humbën jetën duke u sulmuar me njëri-tjetrin, do doja shumë që në këtë Janar, gjithsecili prej të rriturve të bënte një reflektim e një rezolutë me veten. Si mund të jemi prindërit, miqtë, mësuesit, drejtuesit që duan fëmijët? Si mund t’u ofrojmë atë për të cilën kanë me të vërtetë nevojë?

Fëmijët sot kanë nevojë për më shumë vëmendje, në shkolla, në familje, në politika në mundësi. Fëmijët kanë nevojë për buxhete për arsimin, për argëtimin, për zhvillimin. Fëmijët e sotëm kanë nevojë për mbështetje në një luftë të madhe që bëjnë mes realitetit dhe virtualitetit. Kanë nevojë për modele vlerash të vërteta njerëzish që e jetojnë jetën siç duhet, dhe jo modele influencuesish që i shtyjnë veç të bëhen konsumatorë të devotshëm. A ua ofrojmë fëmijëve të gjitha këto? Para se t’u vendosim rregulla dhe standarde atyre, a ua kemi vendosur të rriturve standardet e vërteta se si të ofrojnë atë që realisht u duhet fëmijëve. Në “check-listat” e fillim vitit, ndoshta duhet të shtohet edhe një – “ajo që u duhet fëmijëve”. Çdo prind apo i afërm do më të mirën e fëmijëve dhe u ofron të gjitha mundësitë personale, kursen nga vetja e paguan për nevojat e tyre, i angazhon në shkollat më të mira të mundshme, në kurset më të mira, mundohet t’u garantojë strehimin, veshjet e ushqimet më të mira, por a mjaftojnë këto? JO! Mbështetja individuale nuk mjafton për fëmijët. Ata kanë nevojë të jetojnë në një shoqëri të shëndetshme, pa dhunë, me shërbime, pa presione, me modele.

Fëmijët kanë nevojë për një investim arsimor që shkon përtej përpjekjeve individuale të prindërve të tyre. Kanë nevojë për sport, argëtim, gjelbërim, siguri që shkon përtej asaj që mund t’u mundësojnë individualisht prindërit e tyre. Kanë nevojë për modele të mira që mbështetet gjerësisht, publikisht dhe që bëhen udhëheqës të vlerave të tyre.

Fëmijët kanë nevojë për politika serioze për ta. Këtë nuk e garantojnë dot individualisht prindërit apo të afërmit e çdo fëmije, por arrijnë ta garantojnë nëse bashkohen për të kërkuar atë që realisht u duhet fëmijëve të tyre – “një shoqëri ku të mos kenë frikë se i vrasin më thika, se i bullizojnë, se i dhunojnë, se nuk u mësojnë atë që duhet, se nuk i respektojnë në mënyrën që meritojnë”. Fëmijët duhet të jetojnë pa frikë, me të drejta dhe me siguri për të ardhmen! Ketë e garanton vetëm një shoqëri që është mjaftueshëm e shëndetshme dhe e vetëdijshme për njerëzit më të rëndësishëm të saj – fëmijët! Ndaj rezoluta e këtij viti do duhet të jetë: “Më shumë vëmendje kolektive, në çdo sektor e me çdo mundësi, PËR FËMIJËT!”. Asgjë nuk është më e rëndësishme se ata, por këtë rëndësi duhet t’ua tregojmë me vepra dhe jo veç me fjalë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top