FB

January 8, 2026 | 10:00

Nga Edmond Tupja: Ah, kujtimet!…

Ndoshta nuk do të ishte keq sikur t’u rikujtonim lexuesve përkufizimin që i bën fjalës “kujtim”. “Fjalori i gjuhës shqipe”, cili na propozon së pari kuptimin e foljes “kujtoj”, pra, togfjalëshin “sjell ndër mend dikë ose diçka”, pa harruar t’i shtojë asaj, d.m.th. fjalës “kujtim”, sinonimet “mbresë” dhe “përshtypje”.

edmond-tupja

Zakonisht, në jetën e përditshme, ne priremi t’i ndajmë kujtimet në dy kategori: nga njëra anë, në kujtime të mira, të bukura, të këndshme, të ëmbla, të mrekullueshme, të paharrueshme etj.; nga ana tjetër, në kujtime të këqija, të pakëndshme, lënduese, të dhimbshme, etj.

Mirëpo, në vështrim të parë, jo rrallëherë, sidomos në varësi të gjendjes sonë shpirtërore, kemi kujtime që na sjellin ndër mend, sipas rastit sigurisht, njerëzit tanë më të dashur, që nuk jetojnë më, sepse e Mira dhe e Keqja nuk ndahen kurrë nga njëra-tjetra, ose që na sjellin ndër mend situata nga të cilat ndoshta ende nuk e kemi marrë psikologjikisht veten. Madje, kur plakemi dhe shikojmë (për të satën herë?) fotografitë ose videot e gëzueshme të fejesave apo martesa tona, e ditëlindjeve dhe e gëzimeve të tjera në gjirin e familjeve tona, diçka na sëmbon një çast në zemër dhe ndoshta një lot na i njom sytë e na i drithëron sadopak fjalët. Jo më kot poeti francez Alfred de Musset në poezinë e tij “Souvenir” i drejtohet si më poshtë të madhit Dante: “Dante, përse ti thua se nuk ka dhimbje më të thellë sesa një kujtim i mrekullueshëm ditën kur vuajmë?”.

Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë që vetë jeta na e kujton herë pas here brishtësinë e ekzistencës sonë, sepse, siç shprehej një kolegu im, filozof i vërtetë, që kishte bërë dymbëdhjetë vjet burg në kohën e skëterrës enveriste, duhet të mos harrojmë se pothuajse gjithçka është kompensim në jetë, prandaj kur na ndodh një gjë e pakëndshme, duhet shpresuar se një gjë e këndshme mund e duhet të na ndodhë, përse jo në fund të fundit, pavarësisht se fjala “kujtim” na kujton fjalën “kujë”, fjala “mbresë” na kujton fjalën “presë” dhe fjala “përshtypje” na kujton fjalën “shtypje”.

Ah, kujtimet!…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top