Vërtet, ç’na shtyn drejt detit? Vërtet, përse ende pa dalë mirë pranvera, që na rizgjon me trup e shpirt, mendja na shkon drejt e tek pushimet e verës, të cilat nuk mund t’i konceptojmë, në shumicën e rasteve, pikërisht pa detin? Vërtet, si shpjegohet, pra, ajo trysni, ai manjetizëm gati i papërballueshëm që deti ushtron mbi ne? Sidoqoftë, fakti është se detet e oqeanet, këto hapësira të pafund me thellësi të humnershme, të cilave njeriu akoma nuk ua ka zbuluar të gjitha të fshehtat, kanë frymëzuar një numër të jashtëzakonshëm veprash artistike veçanërisht në letërsi, pikturë, muzikë e kinematografi, që ia mbajnë pareshtur të ndezur kureshtjen e imagjinatën jo vetëm adoleshentëve, por edhe të rriturve.
Nga njëra anë, psikologët dhe sidomos psikanalistët do të na thoshin se njeriu, qysh gjatë nëntë muajve të ekzistencës së tij në mitrën e nënës, duke qëndruar krejtësisht i zhytur në lëngun amniotik, ruan në mënyrë të pavetëdijshme kujtimin e këtij lëngu magjik që e ushqente dhe e mbronte atë; rrjedhimisht, ky kujtim, në mënyrë po aq të pavetëdijshme, do ta shtyjë atë drejt detit, kësaj mitre gjigante.
Çuditërisht, po të analizojmë fjalën “det” në disa gjuhë, do të vërejmë se, ndryshe nga ç’ndodh, për shembull, në shqipe (deti) e në italishte (il mare), ku kjo fjalë është e gjinisë mashkullore, në frëngjishte (la mer që shqiptohet “lamer”), ajo është e gjinisë femërore njësoj si fjala “la mère” (që shqiptohet gjithashtu “lamer”) dhe që ka kuptimin “nënë”!
Nga ana tjetër, prej kohësh shkencëtarët evolucionistë janë të mendimit se zanafilla tejet e largët e njeriut në rruzullin tokësor nisi me disa baktere që u zhvilluan në ujë dhe që, shumë gradualisht, pra me kalimin ndoshta të miliona shekujve, çuan në formimin e njeriut, çka do të thotë se njeriu i sotëm bart detyrimisht, veçse përherë në mënyrë të pavetëdijshme, kujtimin e ujit fillestar që na shtyn sot instinktivisht drejt detit, liqenit e lumenjve aq më tepër që trupi i njeriut përbëhet nga rreth 80 për qind ujë!
Po t’i hedhim tani një sy njeriut modern, sidomos në megapolet e zhurmshme, me ajër të ndotur, ku streset janë të përditshme, madje edhe të përnatshme, ku gjithçka është e betonuar, e asfaltuar dhe e blinduar, do të vërejmë se sytë e tij në veçanti i hasin orë e çast në pengesa, vështrimi nuk arrin t’i shkojë larg; po kështu edhe veshët i ziejnë orë e çast nga zhurmat e padurueshme; po kështu edhe hundët i ndeshen me lloj-lloj kutërbimesh agresive; po kështu edhe duart i prekin gjithfarësoj sipërfaqesh që i përcjellin ndjesi të pakëndshme. Pra, shqisat e tij janë vazhdimisht nën një trysni shpesh të padurueshme, çka ndikon, herët a vonë – dhe me pasojat që dihen – në sjelljen e tij në familje, punë e shoqëri.
Nisur nga sa më sipër, por edhe nga përvoja, nuk është e vështirë të kuptohet se buzë detit pafundësia e horizontit na çlodh sytë, nanurisja e valëve na çlodh veshët, aroma e kripur e ajrit bashkë me flladin e pastër na pastron hundët dhe, si pasojë, fytin dhe mushkëritë, kontakti trupor me ujin e kripur na dezinfekton lëkurën, ndërsa ky kontakt me rërën, madje përfshirë edhe shputat e këmbëve, na kujton që jemi fëmijë të ujit, por edhe të tokës, pa të cilët nuk do të kishim qenë ata që jemi sot, pra qenie jo vetëm shoqërore, por edhe biologjike, kështu që duhet të bëjmë çmos për të mbetur mendje të shëndetshme në trupa të shëndetshëm.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 158
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.