FB

February 26, 2024 | 7:22

Nga Edmond Tupja: Dikush po psherëtin…

 

 

Në këto kohëra të turbullta e mjerane që po kalon shoqëria shqiptare, por edhe shumë të tjera të ngjashme me të, jemi kush më shumë e kush më pak dëshmitarë të një fenomeni përherë e më të dukshëm: sa vjen e më shpesh na bën përshtypje numri përherë e në rritje i bashkatdhetarëve tanë që psherëtijnë rrugëve e shesheve, dyqaneve e tregjeve publike, zyrave shtetërore e atyre private, pa llogaritur psherëtimat vetjake në familje, në farefis, në shoqëri të ngushtë apo edhe mes kolegësh.

edmond-tupja

“Fjalori i gjuhës shqipe” na mëson se fjala “psherëtij” ka kuptimin “marr e nxjerr shumë frymë kur jam i brengosur, i mërzitur etj”. Rjedhimisht na del se ne, kryeqytetasit, ndoshta edhe ne shqiptarët në tërësi, qenkemi aq të brengosur e të mërzitur, saqë një ditë rrezikojmë të psherëtijmë në kor!

Duke lënë mënjanë psherëtimat lehtësuese që lëshojmë pasi kemi hequr qafe sidomos pazaret e përditshme dhe angaritë administrative, psherëtimat tona janë prova e një gjendjeje shpirtërore të zymtë dhe, duam, s’duam, proverbin francez “cœur qui soupire n’a pas ce qu’il désire” mund ta shqipërojmë siç e propozon në fjalorin e tij frëngjisht-shqip shkrimtari, përkthyesi e leksikografi Vedat Kokona, pra “shih me sy e plas me zemër”. Nga kjo pikëpamje, mendoj se çdo psherëtimë e kësaj natyre është një thirrje e dëshpëruar për vëmendje, për mirëkuptim, për dhembshuri, me një fjalë për empati. Këtë e dëshmon edhe “Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe”, autorët e të cilit na mësojnë se psherëtima  është njëkohësisht edhe ofshamë, edhe rënkim.

Në këtë kuadër, më duhet të pranoj se i vetmi ilaç, që mund të na e lehtësojë dhimbjen, e cila na detyron të psherëtijmë, të ofshajmë e sidomos të rënkojmë, është ndjenja e solidarësisë shoqërore. Mjerisht, qeveritarët tanë janë larg çdo ndjenje solidarësie me popullin e sfilitur shqiptar, sepse, me shumë gjasë, vëmendjen ata e kanë për punë të tjera, mirëkuptimin e kanë në drejtime të tjera, dhembshurinë e kanë humbur ose nuk e kanë njohur ndonjëherë, prandaj unë do t’u propozoja të bënin testin e empatisë, të cilën njeriu e përfton së pari në gjirin e familjes e më tej në gjirin e shoqërisë, madje psikologët kanë provuar se empatinë mund ta përvetësojnë edhe shimpanzetë, ndërkohë që ka raste kur atë, pra empatinë, njeriu mund ta humbasë në disa situata të tejskajshme, si hipja në majë të pushtetit absolut, siç ka ndodhur, ndodh e do të ndodhë në diktaturat e të gjitha llojeve.

Si përfundim, duke pasur parasysh kushtet tejet të vështira në të cilat po jeton populli shqiptar, le t’i kthehemi proverbit francez të lartpërmendur, që Vedat Kokona e ka shqipëruar në trajtën “shih me sy e plas me zemër”,  duke e shqipëruar atë disi ndryshe: “zemrës që psherëtin, diçka jetën ia nxin” dhe duke shtuar se zemërplasja e një populli dhe jetënxirja e tij po bëhen përherë e më të frikshme. Deri kur kështu?

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top