Para disa vitesh, kur e pyetën një fëmijë trevjeçar, në prani të prindërve, se kë donte më shumë, mamin apo babin, ai ngurroi të përgjigjej menjëherë dhe, kur ia përsëritën pyetjen, u përtyp e u përcoll para se të thoshte: “Dua… mabin…”. Asaj pyetjeje, që personalisht, ne e konsiderojmë si njërën prej më idioteve në botë, fëmija i dha një përgjigje fort domethënëse duke përfshirë në të edhe ma(min), edhe (ba)bin, pra duke treguar se i donte të dy në mënyrë të pandashme.
Le ta imagjinojmë tani këtë fëmijë më të rritur, le të themi në moshën pesë a gjashtëvjeçare, madje edhe deri nga fundi i adoleshencës: Çfarë do të ndiente ai sikur prindërit t’i divorcoheshin? Me nënën fëmija lidhet që në ngjizje, kurse me babanë, siç thonë psikologët e pedopsikiatrit, ai lidhet duke nisur nga fundi i shtatë muajve të parë të jetës së tij. Nga ana tjetër, le të kujtojmë se populli ynë ka një urim shumë kuptimplotë për fëmijët e porsalindur kur thotë: “U rrittë me nënë e me babë!”.
Mirëpo, jeta kudo në botë, pra, edhe në vendin tonë, sjell plot të papritura për çdo familje, midis të cilave edhe divorcin, arsyet e të cilit mund të jenë nga më të ndryshmet, çka lexuesi e kupton fare mirë, ndaj ato nuk do t’i shqyrtojmë në këtë shkrim. Sidoqoftë, e drejta për t’u divorcuar përbën një arritje për gratë në përgjithësi, falë së cilës ato mund të përballen më mirë me sjelljet mashkulliste të shoqërisë njerëzore.
Megjithatë, kur çifti ka fëmijë, gjërat nuk janë aq të thjeshta sa mund të duken, sepse një fëmijë ka nevojë për të dy prindërit në të gjitha fazat e rritjes e të edukimit të tij. Nëna dhe babai janë dy shtyllat kryesore dhe dy figurat thelbësore të pashmangshme në formimin e fëmijës si personalitet, dhe kjo që kur ai lind. Psikologu amerikan Dodson botoi në vitin 1970 një libër me titull “How to parent” (Si të prindërosh ose Si të rritësh fëmijët), varianti frëngjisht i të cilit doli me titullin “Tout se joue avant six ans” (Gjithçka vendoset para moshës gjashtë vjeç), libër ky që tronditi jo vetëm botën e psikologëve, por edhe atë të prindërve.
Përvoja prindërore dëshmon se në këtë periudhë të dy prindërit kanë rolet e tyre, por ai i nënës është parësor; nga fundi i kësaj periudhe, edhe ai i babait nis e merr rëndësinë e vet duke u theksuar përherë e më shumë nga fundi i adoleshencës, por sigurisht diçka më shumë lidhur me djemtë e diçka më pak lidhur me vajzat, pa harruar rolin e edukatoreve në arsimin parashkollor dhe atë të mësuesve në shkollë.
Përfytyroni tani sesi fëmijët mund ta përjetojnë, në periudhat e sapopërmendura, ndarjen e prindërve, pavarësisht motiveve në themel të saj. Prindërit nuk duhet të harrojnë se kapërcimi i kompleksit të Edipit për djemtë dhe i atij të Elektrës për vajzat ka një rëndësi vendimtare në zhvillimin e tyre pikërisht rreth moshës katër deri në pesë vjeç, prandaj në këtë periudhë shpërbërja e çiftit prindëror pas divorcit mund të lërë një gjurmë të thellë në nënvetëdijen e fëmijëve, gjë që me gjasë do t’i mundojë këta edhe pasi të kenë arritur në moshë madhore, madje edhe kur të jenë bërë vetë prindër.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 152
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.