Institucioni shtetëror që tek ne, në Shqipëri, quhet “Ministria e Arsimit dhe e Sportit”, në Francë ka për homolog institucionin që quhet “Ministère de l’Education, de la Jeunesse et des Sports”, pra, Ministrinë e Edukimit, e Rinisë dhe të Sporteve”. Siç shihet, ndryshimi themelor midis këtyre dy emërtimeve qëndron kryesisht tek fjalët “Arsim” dhe “Edukim”.
Nga Edmond Tupja, publicist, përkthyes
E para, duam s’duam, e vë theksin tek dijet, kurse e dyta e vë theksin tek edukimi: Që në shekullin XVI, filozofi, humanisti dhe moralisti francez Michel de Montaigne, kur flitej nga pikëpamja pedagogjike për formimin e fëmijëve, nënvizonte faktin që mësuesi nuk duhej thjesht t’u fuste atyre në kokë vetëm dije, por sidomos t’u mësonte si të kuptonin botën që i rrethonte dhe si të gjykonin drejt dukuritë e saj. Këtij ndryshimi themelor, i bëri jehonë para disa vitesh, nisma e marrë nga specialistët finlandezë të edukimit, sipas të cilëve shkolla duhet të nxjerrë nga gjiri i saj njerëz jo vetëm të ditur, por edhe të ndjeshëm ndaj të tjerëve, ndaj shqetësimeve dhe vuajtjeve të tyre, çka do të thotë, ndër të tjera, që talenti duhet t’i shërbejë edhe kultivimit të empatisë, të dhembshurisë e të dashurisë për tjetrin, familjen, shokët, mjedisin, kafshët e bimët, etj,. etj.
Në vendin tonë është punuar dhe, me gjasë, punohet deri diku në këtë drejtim, por ngjarjet e këtyre dekadave të fundit dëshmojnë që, na pëlqen apo s’na pëlqen, vetëm talenti, vetëm gjenia, nuk mjaftuakan për ta bërë homo albanicus-in më pak të dhunshëm, më pak mashtrues, më pak të pamëshirshëm ndaj të pambrojturve, të sinqertëve, shpirtmirëve e zemërgjerëve. Rrjedhimisht, qeveria shqiptare, ministria e Arsimit dhe Sportit, gjithë hallkat edukuese të shoqërisë sonë duhet të mobilizohen për t’iu përkushtuar pa ngurrim, sa nuk është ende tepër vonë, jo vetëm arsimimit të brezave të rinj, por veçanërisht edukimit të tyre.
Në këtë aspekt, u duhet kujtuar e rikujtuar atyre atë që psikologu dhe edukatori amerikan Dodson theksonte me forcë, në vitin 1970, në njërin prej librave të tij, tek pohonte se “themelet dhe kolonat e personalitetit të fëmijës hidhen deri në moshën gjashtëveçare”, prandaj, në institucionet arsimore të frekuentuara nga fëmijët e vegjël – çerdhet, kopshtet, si edhe klasat e moshave 7-10 vjeç – duhen emëruar kuadrot më të afta, më të përkushtuara e më të mirëpaguara, që të ndjekin e të zbatojnë pikërisht si këshillat e Montaigne-it, ashtu edhe ato të specialistëve finlandezë.
Nga ana tjetër, është e domosdoshme të rritet prania e psikologëve në institucionet e lartpërmendura, sepse është vërtet për të ardhur keq që tek ne ka vetëm një psikologe apo psikolog për shkollë, pavarësisht numrit të nxënësve që frekuentojnë rregullisht; ndërkohë, ministria e Arsimit dhe e Sportit duhet të informohet mirë lidhur me cilësinë e punës së psikologeve dhe të psikologëve në mënyrë që të organizojë herë pas here takime pune midis këtyre në nivel qarku për të krijuar traditën e këmbimit të përvojave ndërmjet mësuesve, psikologëve e prindërve të fëmijëve.
Së fundi, por jo më së paku, e njëjta ministri duhet të bëjë të mundur këmbimin e përvojave të sapopërmenduara jo vetëm në nivel rajonal, pra me vendet ballkanike, por edhe në nivel europian e ndoshta më gjerë.
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.183, muaji Shtator
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.