Kështu e ka jeta: stinët rrokullisen njëra pas tjetrës me ritmin që u imponon natyra dhe, duam apo nuk duam ne, ja tek erdhi tani pashmangësisht muaji dhjetor, i fundit i këtij viti që vazhdon për fat të keq të mbajë vulën e një pandemie, e cila e ka vënë mbarë shoqërinë njerëzore para një sfide tragjikisht rraskapitëse. Megjithatë, tradita shumëshekullore e do që, pavarësisht fatkeqësive me të cilat përballen, njerëzit të festojnë ardhjen e Vitit të Ri duke shpresuar apo, më saktë, duke ëndërruar një jetë më të mirë, çka vihet re fillimisht në urimet që ata shkëmbejnë midis tyre, urime të tipit “Gëzuar Vitin e Ri! Shëndet e mbarësi, paqe e dashuri”, etj., etj.
Fundi i muajit dhjetor i bashkon, pra, njerëzit, qoftë edhe për një mbrëmje, atë të mbarimit të tij. Ai i bashkon ose duhet normalisht t’i bashkojë njerëzit e një familjeje, e kësaj qelize themelore të shoqërisë, çka edhe tek ne, në Shqipërinë e dërrmuar prej shekujsh, kjo festë familjare ende përbën gjithsesi një tipar karakteristik si në mbarë botën. Sigurisht, që vetë nocioni “fundvit”, por detyrimisht edhe realiteti praktik i festës së fundvitit, ka evoluuar nga njëra epokë në tjetrën. Brezat e vjetër, por edhe ata të mesëm janë dëshmitarë të këtij evoluimi të pashmangshëm.
Dikur, para shumë dekadash, ardhja e Vitit të Ri, sidomos në vendin tonë, festohej përgjithësisht në gjirin e familjes me të ngrëna e të pira duke dëgjuar radion apo, më vonë, duke parë televizorin, por përherë duke biseduar e duke qeshur, duke treguar histori gazmore, duke luajtur ndonjë lojë të thjeshtë, por zbavitëse, deri sa vinte mesnata, moment në të cilin të gjithë pjesëtarët e familjes çoheshin nga vendi, ngrinin dolli e formulonin urimet më të mira e më të sinqerta për njëri-tjetrin duke i shoqëruar këto me përqafime të përzemërta.
Sidoqoftë, me kalimin e viteve, kjo traditë në bashkimin e pjesëtarëve të familjes rreth së njëjtës tryezë apo sofër – dhe për këtë janë sot dëshmitarë sidomos brezat e mesëm – kjo traditë, pra, ka ardhur duke u plasaritur e duke u hallakatur, sepse me emancipimin e shoqërisë, brezat e rinj, veçanërisht çiftet e reja, kanë fituar pavarësi sidomos në mënyrën e të jetuarit, pra edhe në atë të të argëtuarit; sot këto çifte parapëlqejnë të bashkohen midis tyre, të shkojnë me shokë e miq nëpër lokale, të hanë, të pinë e të kërcejnë bashkë, shumë syresh parapëlqejnë ta festojnë madje ardhjen e Vitit të Ri edhe jashtë shtetit, çka ka sjellë e sjell ende si pasojë një përmbysje të marrëdhënies së tyre me festën e ardhjes së Vitit të Ri, një përmbysje për shkak të së cilës kjo festë po e humb karakterin e saj afrues të individëve, po ua ftoh atyre prirjen ndaj kohezionit familiar apo social për t’ua forcuar atyre individualitetin dhe, natyrisht, vullnetin për të qenë të pavarur në vendimet që marrin.
Në këtë kuadër, vihet re, veçanërisht te të rinjtë, edhe kur këta e festojnë ardhjen e Vitit të Ri në gjirin e familjes, pra, me prindërit, një prirje për t’u vetizoluar duke komunikuar midis tyre elektronikisht – rrofshin Interneti, FB-ja, Instagrami dhe rrjetet e tjera sociale! Pra, ndonëse fizikisht të pranishëm në tryezën familjare, ata, të rinjtë, janë mendërisht me bashkëmoshatarët, madje deri në atë pikë saqë shpesh heshtja rreth e përqark tyre bëhet e padurueshme, çka i detyron prindërit t’i nënshtrohen këtij realiteti duke u sugjeruar fëmijëve të shkojnë e të argëtohen me shokët e shoqet e tyre! Mos vallë kemi në këtë rast një provë se ekziston diku në marrëdhëniet njerëzore, pra edhe familjare, një konflikt brezash, një hendek shpirtëror, i cili rrezikon ndoshta – me kalimin e kohës – të thellohet hidhtas?
Botuar tek Revista “Psikologjia”, Nr.174, muaji dhjetor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.