Psikofakt

January 25, 2020 | 8:14

Nga Edmond TUPJA / Gruaja në pushtet

Po, gruaja në pushtet, sidomos pasi është bërë nënë dhe, më kryesorja, ka afirmuar personalitetin e saj në disa fusha! Përse kështu? Sepse, duhet të jenë bërë, me shumë gjasë, kushedi sa e sa shekuj – qysh nga periudha gjysmë e imagjinuar, gjysmë e supozuar e matriarkatit – që ajo ende nuk ka qenë vërtet në krye të një shteti, përjashto fare pak raste të përmendura nga historianët, si, për shembull, ai i Kleopatrës, mbretëreshës së Egjiptit në shekullin I para erës së re, apo ai i Katerinës II, të quajtur Katerina e Madhe, careshës së Rusisë në shekullin XVIII.

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Njerëzimit iu desh të priste shekullin XX që zonja Thatcher të bëhej kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar, e ndjekur deri më sot nga disa shembuj të tjerë grash shteti, kryesisht kryeministre edhe ato, veçanërisht në Europën Perëndimore. Duhet pranuar se, me vendosjen e kriterit të barazisë gjinore në organet ligjvënëse e ligjzbatuese, në shumë shtete të botës së qytetëruar gruaja po zë pak nga pak vend në struktura të tilla të rëndësishme shtetërore si parlamentet, qeveritë dhe organet e larta të drejtësisë.

Aktualisht, me gjithë ngërçet e krijuara nga mendësitë seksiste jo vetëm të burrave, por, nganjëherë edhe të vetë grave, numri i personaliteteve femërore në të tëra sferat e jetës politike, ekonomike, kulturore etj., sa vjen e shtohet, çka padyshim është në të mirë të njerëzimit.

Megjithatë, vihet re se jo pak nga këto personalitete femërore, duke u gjendur para personalitetesh mashkullore në secilën nga sferat e lartpërmendura, priren, kush më shumë e kush më pak, të dalin disi nga vetvetja, jo aq për mimetizëm, sesa për t’u mbrojtur para kurtheve që kolegët e tyre, pra personalitetet mashkullore, u ngrenë qoftë edhe pa vetëdije, por për shkak të një të kaluare ende të freskët kur gruaja duhej t’i nënshtrohej vullnetit të burrit. Kjo është vënë re edhe në shoqëritë pastotalitare si e jona. Dalja e tyre nga vetvetja vihet re në ashpërsimin jo vetëm të zërit, por edhe të gjesteve dhe të tipareve të fytyrës, në mënyrën si ecin apo qëndrojnë para publikut sidomos mashkullor, në zgjedhjen e fjalëve, madje edhe të mënyrës si i lidhin fjalitë, duke shfaqur, dashur pa dashur, një sjellje deri diku mashkullore.

Sipas disa psikosociologëve, pavetëdija e grave të shtetit i shtyn këto të “hakmerren” kështu për gjithçka që paraardhëset e tyre – gjyshet, nënat, motrat e vajzat – kanë vuajtur sistematikisht nën sundimin shumëshekullor të burrave – gjyshër, vëllezër e bij. Kjo shpjegon përse personaliteteve femërore, të cilat punojnë në hallkat e larta shtetërore, por edhe atyre që drejtojnë në nivele të tilla si ndërmarrjet ekonomike, institucionet kulturore, arsimore dhe shëndetësore, u bie një si hije paksa mashkullore, gjë që, e pohuar më qartë dhe me ndershmëri intelektuale, do të thotë se ato humbasin diçka nga feminiteti i tyre.

Për këtë arsye, ato mund dhe duhet t’u drejtohen psikologëve për ndihmë nëse dëshirojnë të mbeten femra – me tërë vlerat tipike të drejtueseve si vendosmërinë, guximin, zhdërvjelltësinë e frymën krijuese në vendimmarrje, por pa harruar delikatesën e sharmin e tyre – edhe kur kanë vartës që, dashur pa dashur, sillen qoftë edhe me një grimë seksizmi në marrëdhëniet me ato.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 145

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top