FB

March 27, 2021 | 8:06

Nga Edmond Tupja / Heroizmi i heshtur i nënave

Ende sot e kësaj dite, kur flitet, shkruhet apo diskutohet për heroizmin si koncept, por edhe si realitet, njeriu, qoftë edhe i ditur, pra me kulturë, po t’i kërkojnë të përmendë me emër dikë që ka kryer disa akte heroike, të cilat kanë lënë gjurmë në histori, ka shumë të ngjarë që, krejt natyrshëm, vetvetiu, gati-gati instinktivisht, të thotë emra heronjsh dhe jo heroinash.

Në shoqërinë tonë, ku gruaja edhe më guximtare cilësohej deri vonë si burrneshë ndonëse mbiemri “trimëreshë” ekziston në gjuhën shqipe, ajo ose ai që do të orvatej ta përjetonte një përvojë të tillë, do të merrte si përgjigje vetëm emra meshkujsh. Në këtë kontekst, por duke u nisur edhe nga fakti që në fillim të majit (si në Itali) apo të qershorit (si në Francë), të paktën siç saktësohet në internet, kremtohet festa e nënave, kam përshtypjen se, ndër të tjera klasifikime, kemi dy lloje heroizmash, atë të bujshmin dhe atë të heshturin, e thënë ndryshe, atë të burrave dhe atë të nënave.

Këto të fundit janë vërtet, siç e dëshmon vetë jeta, heroina të heshtura sepse vazhdojnë të përballen me vështirësi dhe ç’është më e keqja, me padrejtësi e keqtrajtime të dhunshme fizike e psikologjike, të cilat në shtetet më të zhvilluara priren të zbuten, por jo të eliminohen, kështu që, rrjedhimisht, femrat vuajnë dhe vuajtja e tyre vërteton forcën e tyre shpirtërore, një forcë kjo e denjë që, po ta njihte nga brenda, çdo hero do ta kuptonte çfarë heroinash janë ato, sidomos qysh nga momenti kur bëhen nëna dhe nisin të rrisin fëmijët tek vazhdojnë të kujdesen për familjen e tyre përfshirë edhe bashkëshortët, tek punojnë për të jetuar më mirë, për t’u emancipuar duke u ndeshur me mendësitë frenuese të një shoqërie ende mashkulliste.

Nga ana tjetër, heroike është mënyra krejt e veçantë se si sillen nënat kur u jepet rasti (çka nuk ndodh përherë, pavarësisht shkallës së zhvillimit ekonomik të një vendi) të shprehen publikisht në medie, forume, takime publike dhe të tjera veprimtari socialkulturore: ato, ndryshe nga shumë personalitete mashkullore, nuk rrahin gjoksin, pra, nuk mburren së tepërmi për rolin e tyre në betejën që zhvillojnë si në gjirin e familjes, ashtu edhe në profesion e shoqëri, ndonëse thuajse askush nuk u thotë “Ti je njësh!”, shprehje kjo që, me sa duket, përdoret rëndom vetëm për meshkujt, pra për ata “heronj” të gjithëpushtetshëm që, ndryshe nga ato, nënat, nuk e kanë për gjë pikërisht të rrahin gjoksin e të mburren – nganjëherë deri në neveri – për bëmat e tyre.

Megjithatë, nënat shqiptare, ndryshe nga disa lëvizje feministe të skajshme, nuk priren t’i konsiderojnë burrat e tyre si kundërshtarë mendjemëdhenj, si heronj të vrazhdë që duhen mposhtur, jo, ato e kanë kuptuar se, për të mirën e familjes, për të tashmen e të ardhmen e fëmijëve të tyre, marrëdhëniet në gjirin e çiftit të tyre duhen forcuar, por duke u mbështetur në parimet e barazisë gjinore, e dialogut konstruktiv dhe të ekuilibrit midis të drejtave dhe detyrave që u takojnë.

Vetëm me këtë kusht, femrat në përgjithësi dhe nënat në veçanti do të kthehen në shembuj heroinash, përvoja e të cilave me siguri ka për t’u shërbyer gjithashtu vetë meshkujve në përgjithësi dhe etërve në veçanti për të edukuar në këtë frymë humaniste edhe pasardhësit e tyre.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top