Psikofakt

August 14, 2020 | 8:03

Nga Edmond Tupja / Midis virtytit dhe vesit

Me siguri që, historikisht, njeriu i qytetëruar është gjendur pareshtur, gjatë jetës së tij familjare, profesionale e shoqërore, midis virtytit dhe vesit, pra midis së Mirës e së Keqes. Vëmendjes së filozofëve dhe të shkrimtarëve, ndër të tjerë, nuk i ka shpëtuar fakti se njeriut i ndodh të këmbëngulë herë drejt virtytit dhe herë drejt vesit.

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Në sa e sa vepra arti që nga antikiteti e deri më sot, në kohët moderne, kemi personazhe pozitive dhe negative, pra të virtytshëm ose veskeqë, por kemi gjithashtu personazhe të dyzuar, pra, që luhaten midis virtytit dhe vesit, madje jo rrallëherë me këmbëngulje sa në njërin drejtim, aq edhe në tjetrin. Me një fjalë, këmbëngulja është një dukuri a më saktë një tipar karakteri, orientim i cili, sipas rastit, në vartësi të situatës, mund të marrë një ngjyrim pozitiv ose negativ.

Për ta ilustruar këtë analizë, mund të marrim, për shembull, rastin e dikujt, ta zëmë të një të riu, që ka rënë në dashuri. Nëse vajza tek e cila ai e ka vazhdimisht mendjen dhe zemrën nuk i përgjigjet menjëherë pozitivisht pasionit të tij sepse kërkon ta vërë në provë atë për të ditur sa seriozisht e ka ai, atëherë djalit do t’i duhet të këmbëngulë pranë asaj, ndryshe ai rrezikon ta humbasë atë; në këtë rast, këmbëngulja, me doza të shkallëshkallshme, sipas një taktike të peshuar mirë në funksion të tipit të vajzës, mund të sjellë frytet e dëshiruara; në të kundërt, një këmbëngulje e bazuar te padurimi, tek dëshira për ta shtënë atë sa më shpejt në dorë dhe në shtrat, mund të jetë fatale: vajza, me të drejtë, rrezikon të zhgënjehet e të largohet, në mos përfundimisht, të paktën për jo pak kohë.

E njëjta gjë, mund të thuhet në kuadrin e jetës profesionale: Nëse për të fituar besimin e një shefi apo të një shefeje dikush e tepron duke futur në lojë, sigurisht krahas faktorëve të mirëfilltë profesionalë, këmbënguljen për të fituar simpatinë e shefit falë disa sjelljeve jashtëprofesionale (qerasje, shërbime familjare, dhurata të herëpashershme me raste ditëlindjesh apo festash të tjera, pa harruar thashethemet në nivel zyre apo ndërmarrjeje), atëherë shefi, në qoftë serioz e i palëkundshëm në postin dhe detyrën e tij, mund të krijojë një mendim jo të mirë për vartësin në fjalë dhe t’i tregojë vendin që meriton, ndryshe do të krijojë familjaritet të sëmurë me atë, çka mund të sjellë pasoja negative në ushtrimin e autoritet profesional nga ana e tij si shef pikërisht.

Në rastin e kundërt, edhe pse shefi mund të tregohet ndonjëherë subjektiv, madje edhe i padrejtë në marrëdhëniet e tij me aksh vartës, ky i fundit, duke këmbëngulur seriozisht në kryerjen me cilësi e saktësi të detyrave të caktuara dhe, së dyti, duke mos ia lejuar vetes të fitojë simpatinë e eprorit përmes praktikash jo fort të moralshme, ka shumë mundësi të vlerësohet nga shefi dhe t’i ngjitë më lehtë shkallët e hierarkisë profesionale.

Të njëjtën analizë mund ta bëjmë lidhur me këmbënguljen në të tëra fushat e tjera ku faktori “këmbëngulje” ndërhyn për të rregulluar – në emër të virtytit – ose për të çrregulluar – në emër të vesit – marrëdhëniet njerëzore në jetën e individëve, e familjeve dhe në gjirin e shoqërisë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top