Marrëdhëniet njerëzore janë të shumëllojshme: ndërindividuale, familjare, fisnore shoqërore, profesionale etj., etj. Më tej, nga pikëpamja psikologjike, nuk gabojmë po të pohojmë se, ndër të tjera, ato mund të jenë ose racionale, ose emocionale.
Kështu, për shembull, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet profesionale, të cilat gjithmonë karakterizohen nga binomi eprorvartës, gjithçka mbështetet tek faktori racional, të dyja palët arsyetojnë duke u përpjekur të mos reagojnë emocionalisht, d.m.th. duke respektuar rregullat, udhëzimet, urdhëresat, aktet ligjore apo nënligjore në fuqi; pra, ato gjykojnë me trurin e tyre, sepse marrëdhënia që kanë është një lloj ekuacioni i tipit a+b = c. Gjithsesi, për të mos i thjeshtëzuar së tepërmi marrëdhëniet e këtij lloji, duhet pranuar se, jo rrallëherë, faktori emocional shfaqet në gjirin e tyre, por origjina e këtij faktori shpjegohet me faktin që njerëzit nuk janë thjesht robotë, pra, se ata janë të ndjeshëm ndaj sjelljeve e qëndrimeve të ndërsjella, lavdërime, kritikave, qortimeve etj.
Krejt ndryshe janë marrëdhëniet njerëzore kur bëhet fjalë në veçanti për miqësinë dhe dashurinë, duke qenë se këtu hyn pashmangësisht në lojë faktori emocional, e thënë ndryshe, simpatia dhe empatia. Në latinishte fjala “simpati” përdorej për të treguar se dikush përjetonte të njëjtat ndjenja si dikush tjetër, kjo fjalë e huazuar prej romakëve nga greqishtja e vjetër përdorej në Greqi e atëhershme në kuptimin “të marrësh pjesë në vuajtjen e tjetrit”; më vonë, në gjuhët europiane me prejardhje nga latinishtja, ajo shenjonte ata persona që, duke pasur afri mendimesh e ndjenjash midis tyre, përshtateshin dhe kënaqeshin me njëri-tjetrin në mënyrë të vetvetishme; aktualisht, simpatia në mjaft gjuhë europiane mbart pak a shumë kuptimin “ndjenjë e ngrohtë dhe spontane, që një person përjeton për dikë tjetër” dhe ka si sinonime fjalët “miqësi”, “dashamirësi”, “përzemërsi”, që përjashtojnë binomin eprorvartës.
Ah, le të qëndrojmë një çast te fjala “përzemërsi”: Ja tek na del në pah zemra! Jemi, pra, larg ekuacionit a+b = c! Zemra – në kuptimin e figurshëm ndjenja – , nuk ka thuajse asgjë cerebrale, matematike, racionale, madje deri në atë pikë sa filozofi francez Blaise Pascal thoshte, qysh në shekullin XVII, se “Zemra ka arsyet e veta që Arsyeja nuk i di”! A nuk na ndodh në jetën e përditshme të takojmë një njeri, burrë apo grua, pak rëndësi ka, i cili, që në fjalët e para që këmbejmë, na duket interesant, na tërheq, dhe me të cilin vetvetiu krijojmë një ditë të bukur një lidhje miqësore, çka tregon se jo përherë gjithçka është racionale!
Më tej, kjo lidhje miqësore ka mundësi të forcohet kur të dyja palë kanë empati të zhvilluar, pra, kanë aftësinë për t’u identifikuar me dikë, për të ndier atë që ndien tjetri ose tjetra. Madje, në veçanti kjo është edhe më e dukshme kur bëhet fjalë për ndjenjën e dashurisë, për të cilën prej shekujsh në të gjitha gjuhët e botës është thënë, vazhdon të thuhet e do të thuhet se “dashuria është e verbër”, pra nuk arsyeton ftohtë!
Në këtë rast, mendimi i Blaise Pascalit merr befasisht tërë shkëlqimin e vet. Jemi kështu larg ekuacionit a+b = c, sepse miqësia dhe sidomos dashuria kanë diçka nga kimia, ku nuk ka ekuacione, por reaksione, d.m.th. bashkëveprim midis dy a më shumë lëndëve!
Dy të rinj, kur bien në dashuri, nuk arsyetojnë, nuk analizojnë, ata bashkëveprojnë spontanisht duke e ndier njëri-tjetrin deri në dhembshuri! Dhembshuria, ç’fjalë e mrekullueshme në gjuhën shqipe, ku dhembja e dashuria, të pandashme, bashkëveprojnë harmonishëm me njëra-tjetrën!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 154
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.