-“Ejani fëmijë, bëhuni gati!,- thotë edukatorja.-“Sot kemi ekskursion! Do shkojmë të bëjmë piktura në pyll!”- Këto janë fjalët magjike që ngrenë peshë dhe gëzojnë të gjithë fëmijët e kopshtit.

T’ju thuash fëmijëve që do dalin të luajnë në natyrë, nuk mund të përshkruhet me fjalë se sa kënaqësi të madhe ndiejnë! Dhe aq më shumë t’ju thuash atyre që do lyejnë pemët me gëlqere, do ngrenë balonat, do luajnë tek lodrat, do bëjnë marshim (ecje), do bëjnë piknik, do shëtisin me tren… do shkojnë më fermë, apo tek serat të mbjellin lule. Ka me dhjetëra aktivitete që mund të praktikohen me fëmijët jashtë mureve të kopshteve. Veçanërisht të kopshteve. Sepse fëmijëve u shijon më shumë shëtitja me shokët dhe mësuesit. Ndihen më të çlirët, më vetvetja, fundja jashtë presionit të prindërve për të bërë këtë apo veshur atë. Ata ndihen mirë nën shoqërinë e njëri-tjetrit, ata luajnë, nganjëherë grinden, por gjithçka është në favor të tyre.
Në një botë gjithnjë e më të mbushur me teknologji, ritëm të shpejtë dhe hapësira të mbyllura, fëmijët kanë nevojë më shumë se kurrë për atë që është më e thjeshta dhe më thelbësorja: natyra. Dalja në ajër të pastër nuk është vetëm një pushim nga rutina, por një përvojë e plotë zhvillimi, një “shkollë” e gjallë ku çdo hap, çdo vëzhgim dhe çdo pyetje ka vlerë.

Në ekskursione dhe natyrë ata fitojnë eksperienca të reja. Aq të pamësuar janë nganjëherë fëmijët e sotëm me natyrën, sa ata nuk ulen në bar, kanë frikë nga milingonat, bezdisen nga bimët, nganjëherë edhe qajnë nga frika e insekteve. Derisa u bëhet rutinë dhe u mësohet e vërteta.
Kur një fëmijë ecën mbi bar, prek një gjethe, ndjek fluturimin e një zogu apo dëgjon zhurmën e erës, ai nuk është thjesht duke luajtur. Ai po mëson. Po ndërton lidhje me botën, po zhvillon shqisat, po ushqen kureshtjen dhe imagjinatën. Në natyrë përveç lojërave dhe argëtimeve ka plot hapësirë për të zbuluar e eksploruar.
Ajri i pastër dhe lëvizja e lirë ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin fizik të fëmijëve. Ata bëhen më aktivë, më energjikë dhe më të fortë. Por përfitimet nuk ndalen këtu. Natyra ka një ndikim të thellë edhe në mirëqenien emocionale. Duke luajtur, fëmijët qetësohen, çlirohen nga tensioni dhe ndihen më të lumtur. Është një lloj terapie e natyrshme, e thjeshtë dhe gjithmonë e disponueshme. Për më tepër, ambientet natyrore nxisin ndërveprimin dhe bashkëpunimin. Fëmijët mësojnë të luajnë së bashku, të ndajnë, të respektojnë njëri-tjetrin dhe rregullat e grupit. Ata mësojnë të presin radhën, të ndihmojnë dhe të krijojnë marrëdhënie të shëndetshme sociale.

Të bërit njësh me natyrën është gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt edukimit mjedisor. Fëmijët që rriten në kontakt me natyrën, mësojnë ta duan dhe ta mbrojnë atë. Ata zhvillojnë ndjeshmëri ndaj mjedisit dhe bëhen qytetarë më të përgjegjshëm në të ardhmen.
Për të gjitha institucionet parashkollore, dalja në natyrë nuk duhet të jetë një aktivitet rastësor, por një pjesë e qartësuar e programit. Një shëtitje në park, një aktivitet në oborr apo një eksplorim i vogël jashtë klasës mund të kthehen në mësime të paharrueshme. Mjafton të udhëhiqet me kujdes, të respektohet ritmi i fëmijëve dhe të lihet hapësirë për spontanitet.
Në fund, ndoshta mësimi më i madh që natyra u jep fëmijëve është ky: të ndihen pjesë e botës, jo të ndarë prej saj. Dhe kjo është një nga dhuratat më të bukura që mund t’u ofrojmë. Sepse mësimi më i mirë nuk ndodh brenda katër mureve, por nën qiellin e hapur.
Shpesh e mendoj, sikur të ishte një kopsht apo shkollë tërësisht (apo pothuajse tërësisht) në natyrë. Ku fëmijët pjesën më të madhe të ditës të ishin njësh me natyrën dhe pjesët më të shumta të ditës t’i kalonin aty!
Besoj që do ishin vërtet fëmijët më të lumtur në botë!
*Eda Bano
CEO Çerdhe dhe Kopsht “Princi i Lumtur”





© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

