Mirëgjykimi konsiderohet si një ndër armët më të fuqishme të vetë shoqërisë, sepse ai është pikërisht aftësia e njeriut për të gjykuar drejt, pa pasion e në përputhje me moralin, kur përballet me disa probleme që nuk mund të zgjidhen sipas një arsyetimi thjesht shkencor; mirëgjykimi ka të bëjë, pra, me arsyen e shëndoshë, me mençurinë, na mëson fjalori “Le Petit Robert” i gjuhës frënge. Që në shekullin XVII, filozofi Descartes shkruante se, çdo njeri e ka aftësinë të gjykojë drejtë dhe të dallojë të vërtetën nga e rremja, çka është tamam ajo që quhet mirëgjykim (bon sens) ose arsye.
Edmond Tupja, Publicist, Përkthyes
Në XVIII, filozofi Voltaire shkruante se mirëgjykimi (le bon sens) qëndron në faktin që, njeriu duhet t’i shohë gjërat me sytë e tij dhe t’i vlerësojë larg çdo trysnie sociale, pa perversitet, larg dogmave fetare, çka, sot, në shekullin XX do të thotë edhe larg dogmave politike, sepse konformizmi dhe frika nga gjykimi i të tjerëve i kallin atij në mendje thjesht kaos; Diderot, një tjetër filozof francez i të njëjtit shekull, jepte këtë përkufizim të mirëgjykimit: Ai është masa e gjykimit dhe e inteligjencës, me të cilën çdo njeri është në gjendje, falë përvojës, t’i rregullojë në dobi të tij punët e zakonshme me të cilat merret shoqëria.
Megjithatë, edhe mirëgjykimi, i pandashëm nga përvoja e realitetit, qëllon të ketë caqe,madje edhe të paraqesë rreziqe, sepse ai kushtëzohet pashmangësisht nga një mënyrë të menduari dhe nga ky apo ai sistem shoqëror, edukues e kulturor. Mirëgjykimi, pra, ndryshon nga një shoqëri në tjetrën, nga një epokë në tjetrën dhe këtë e dëshmon, në historinë e shoqërisë shqiptare, për shembull, evoluimi i tij nga koha e regjimit totalitarist në kohën e sotme, por, le të themi që, normalisht, pas tri a katër dekadash, mirëgjykimi do të ketë evoluuar drejt tolerancës, dashamirësisë dhe, veçanërisht pranimit të tjetrit siç është dhe jo vetëm siç duhet të jetë në emër parimesh jo rrallëherë të ngurta, të trashëguara nga e kaluara ende ndikuese tek e tashmja.
Në këtë drejtim, shoqërisë civile në vendin tonë i duhet të mobilizohet më seriozisht, nga pikëpamja psikosociologjike, që evoluimi jo vetëm i mendësive, por edhe i mirëgjykimit tek ne të jetë i tillë që katër batutave të mëposhtme ndokush të mos u shtojë ndonjë fjalë (si ato në kllapa katrore) për t’i përdorur kundër nesh, shqiptarëve, ose, të paktën, kundër atyre prej nesh, të cilët kanë mirëgjykim dhe besojnë te vlerat e tij: “Para ideve të thjeshta njerëzit [shqiptarë] janë si lakuriqët e natës para dritës, ata verbohen” (Aristoteli); “Për mirëgjykim kanë nevojë të gjithë [shqiptarët], por pak prej atyre e kanë atë dhe secili beson se e ka!” (Benjamin Franklin); “Mirëgjykimi mbledh fillimisht shumicën e njerëzve [shqiptarë]…, por kundër vetvetes” (Alphonse Karr); “Mirëkuptimi i shërben njeriut [shqiptar] si piédestal; ai ia vë në dukje gjeninë… ose ia nxjerr në pah marrëzinë!” (Pierre Baillargeon).
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.176, muaji Shkurt
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.