Në shoqërinë shqiptare të këtyre viteve, ku etja për t’u pasuruar sa më shpejt dhe me të gjitha mënyrat, mjetet, intrigat e manovrimet e mundshme, nocionet “ndershmëri” dhe “sinqeritet” janë duke u zhvleftësuar dita-ditës. Po t’u hedhësh një sy fjalorëve të gjuhës shqipe, por edhe të gjuhëve të tjera, do të vëresh që sinqeriteti të shpie detyrimisht tek ndershmëria dhe se, anasjelltas, ndershmëria merr fund aty ku mungon sinqeriteti.
Nga Edmond Tupja, Publicist, Përkthyes
Kuptohet vetvetiu se fillimisht bazat e sinqeritetit tek fëmija hidhen në gjirin e familjes, kurse ndershmëria si koncept dhe praktikë kristalizohet në mjedisin shoqëror, pra, së pari në shkollë, pastaj në punë dhe më tej në marrëdhëniet e tjera shoqërore. E thënë ndryshe dhe ndoshta më thjesht, pas krizës së adoleshencës, nisim dhe e kuptojmë që sinqeriteti qëndron në shfaqjen hapur të ndjenjave dhe të mendimeve, ndërsa lidhur me ndershmërinë, vetëm kur arrijmë në moshën madhore ndërgjegjësohemi se ajo duhet cilësuar e përkufizuar si pastërti morale.
Mirëpo, për t’u kthyer te shoqëria shqiptare e ditëve të sotme, vërejmë se armiku kryesor i ndershmërisë dhe i sinqeritetit është hipokrizia si në rrafshin ndërindividual, ashtu edhe në atë social: Jo më kot, La Rochefoucault, shkrimtar moralist francez i shekullit XVIII, e përkufizonte hipokrizinë si “një përkulje përshëndetjeje që vesi i bën virtytit”. Rrjedhimisht, si në gjirin e familjes, ashtu edhe në shoqëri, hipokrizia – më shqip dyfytyrësia – e zhvlerëson rëndë ndershmërinë dhe sinqeritetin duke firmosur kështu ngadhënjimin e vesit mbi virtytin!
Pikërisht këtë ngadhënjim të padurueshëm të vesit social, politik e ekonomik një psikosociolog objektiv do ta konstatonte pa pikë vështirësie sot në shoqërinë e çoroditur shqiptare e cila duke sikur po dezertohet nga ndershmëria dhe sinqeriteti. Tek sodit këtë dezertim, një vëzhgues asnjanës (nëse ka ende të tillë) që e njeh mirë shoqërinë tonë aktuale, do të arrinte në përfundimin se ajo po shkon me vrap drejt shpërbërjes së saj shpirtërore. Përse kështu? Sepse kohezioni i vet social po thërmohet ngaqë pikërisht ndershmëria dhe sinqeriteti i pjesëtarëve e saj janë duke u shndërruar në fantazma mjerane krejt të padobishme, me siguri të dëmshme; për pasojë, ai do të arrinte gjithashtu në përfundimin se shqiptarët po tjetërsohen jo vetëm si shoqëri, por edhe si komb, duke humbur madje edhe besimin në të tashmen e në të ardhmen e tyre.
Si përfundim, duke pasur parasysh këtë situatë të rënduar, shumëkujt po i krijohet përshtypja se të jesh i ndershëm dhe i sinqertë sot në Shqipëri është një defekt personaliteti për shkak të të cilit njeriu mund të bjerë në dëshpërim ose, më keq akoma, të përshtatet duke u bashkuar me të pandershmit e të pasinqertët, pra të kthehet nga qengj në ujk për të mbijetuar, duke shqyer tjetrin qoftë ky edhe shok, edhe koleg, madje edhe vëlla. Kjo perspektivë e zymtë kërcënon realisht sot shoqërinë shqiptare, për të cilën dilema shtrohet me terma thuajse hamletiane: Ta trullosësh ndërgjegjen tënde apo ta mbash atë zgjuar dhe vigjilente? Të besosh tek vetvetja apo ta tradhtosh atë? Të mbrosh ndershmërinë dhe sinqeritetin tënd apo t’i përdorësh këto virtyte si letër higjienike? Kjo është çështja!
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.184, muaji Tetor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.