Sigurisht që, pa rrezikuar të gabojmë shumë, mund të pohojmë se ne, shqiptarët, nuk shquhemi si një ndër popujt më të duruar të rruzullit tokësor; ky është me gjasë mendimi jo vetëm i një sërë të huajsh, por edhe i një numri gjithnjë në rritje të bashkatdhetarëve tanë.
Gjithsesi, kjo shpjegohet deri diku me disa të dhëna objektive, që po i rendisim si më poshtë: Së pari, Shqipëria është një vend mesdhetar, pra, me diell e det, male e kodra, por edhe me fusha, me një klimë nëntropikale, por edhe me shumë mikroklima, pra, ku ne, ndër të tjera, mund të bëjmë plazh në verë dhe ski në dimër, etj., ku toka e nëntoka janë të pasura etj., faktorë këta që kanë ndikuar dhe ende ndikojnë në temperamentin tonë, me një fjalë, jemi ende një popull impulsiv në përgjithësi.
Së dyti, si mesdhetarë dhe, sidomos, si ballkanas që jemi, na pëlqen shumë jeta jashtë shtëpisë, të takojmë rrugëve e shesheve, kafeneve e bareve të afërm, shokë, miq e të njohur, madje edhe kolegë, me të cilët kënaqemi duke folur, shpesh plot gjallëri, me zë të lartë e me gjeste të vrullshme, shpesh duke reaguar emocionalisht.
Mirëpo, siç u shprehëm në krye të këtij shkrimi, nuk dallohemi si popull që të ketë për traditë të lashtë, por edhe aktuale, artin e të duruarit. Kjo vërehet tek bisedat që zhvillojmë me njëri-tjetrin qoftë në familje, në kafe apo restorant, të ulur rreth një tryeze me një filxhan kafe apo një gotë verë përpara, qoftë në një studio televizive ku, në shumicën e rasteve, e ndërpresim tjetrin me vend e pa vend ose, edhe më keq akoma, flasim njëkohësisht me dy a tre bashkëfolës, çka përfundon me një kakofoni ose, në shqipe të mirëfilltë, me një zhangëllimë të llahtarshme.
Kjo mungesë durimi (gjenetikisht e trashëguar apo e fituar për mungesë edukate) u vu re fare mirë këto kohët e fundit me rastin e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi: E kemi tejet të vështirë të rrimë kyçur brenda në shtëpi, megjithëse e dimë fort mirë që mënyra më e efektshme për të mos u vetëmolepsur, si edhe për të mos molepsur të tjerët, është vetizolimi ose, sërish në shqipe të mirëfilltë, ngujimi; madje, edhe kur dalim për t’u furnizuar me ushqime, nuk kemi as durimin më elementar për të menduar sa shumë rrezikojmë kur nuk vëmë as dorezat e as maskën, duke u treguar kështu të pavetëdijshëm, madje të papërgjegjshëm.
Lidhur me këtë, le të kujtojmë vazhdimisht dy fjalë të urta të popullit tonë: “I duruari, i fituari”, që haset gjithashtu në variantin “I duruari, i trashëguari”, dhe “Duro të durojmë”, (në kuptimin “të mos ligështohemi e të mos përkulemi para vështirësive apo fatkeqësive”); le të kujtojmë edhe përkufizimin që jep “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) për fjalën “durim”: “vetia e dikujt për t’u treguar i matur, i përmbajtur e gjakftohtë”; së fundi, meqë koronavirusi na erdhi nga Kina, le të kujtojmë fjalën e urtë kineze “Durimi është hapi i parë drejt përsosurisë”, çka e dëshmon edhe historia e njerëzimit në të gjitha fushat e dijes, nga shkencat tek arti e kultura.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 155
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.