Më duhet ta pranoj sinqerisht para lexueseve e lexuesve të mi të ndjeshëm ndaj fatkeqësive të fëmijëve, që, deri të mërkurën e kaluar, nuk e dija se jetimet dhe jetimët shqiptarë kanë himnin e tyre, një himn që ato e ata e meritojnë plotësisht. Këtë e mësova, pra, gjatë një veprimtarie fort të rëndësishme të organizuar me përkushtim nga Presidenca e Republikës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve shqiptarë me rastin e 100-vjetorit (1917-2017) të themelimit të strehës së parë vorfënore në vendin tonë, e cila solli mjerisht gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e tyre.
Çajupi e ka thënë shumë bukur se “përkëdhelitë e nënës i rrisin çiliminjtë”, çka do të thotë se nëna dhe, pas asaj, babai e, pas dy prindërve, motrat e vëllezërit, janë pjesë e pandashme e peizazhit shpirtëror të fëmijëve; pa ata, ky peizazh detyrimisht zymtohet dhe jetimët ndihen keq, të huaj në mjedisin rrethues, të huaj brenda vetvetes nëse shoqëria dhe sidomos shteti nuk bëjnë çmos për t’ua lehtësuar mungesën e familjes dhe vetminë që rrjedh pashmangësish prej kësaj mungesë sfilitëse.
Në suazën e “Javës së fëmijëve jetimë në Presidencë” (22-28 nëntor), lexueset dhe lexuesit e mi me siguri kanë pasur ose do të kenë rastin të vizitojnë, në mjediset e gjelbra të Presidencës, një ekspozitë, e cila, përmes fotografish të rralla bardhezi, hedh dritë mbi historinë e jetimëve e të jetimoreve në Shqipëri që kur mbaroi Lufta e Parë Botërore e deri më sot, çka dëshmon që jo vetëm shteti, por edhe shoqëria civile, institucionet fetare dhe ato të Kryqit të Kuq, si edhe jo pak bamirës humanitarë, janë përpjekur t’ua lehtë- sojnë dhimbjen e t’ua përmirësojnë jetesën jetimeve e jetimëve të Shqipërisë ndër dekada. Nga ana tjetër, lexueset e lexuesit e mi kanë parë ose do të shohin materiale filmike interesante mbi historikun e jetimoreve dhe funksionimin e tyre në vendin tonë.
Sigurisht që kushtet, në të cilat rriten sot fëmijët jetimë, janë përmirësuar deri diku, pavarësisht shtimit të numrit të tyre, por çështja është se me të mbërritur në moshë madhore, këta të rinj e të reja duhen integruar në shoqëri, atyre u duhet krijuar mundë- sia të ndjekin studime ose të gjejnë vende pune në mënyrë që të jetojnë në mënyrë të denjë, të krijojnë familje për të zbuluar më në fund intimitetin familjar që u ka munguar për shumë vite. Nga ky këndvështrim, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve shqiptarë përbën një hallkë shumë të rëndësishme, e cila duhet vazhdimisht t’i bëjë presion qeverisë që e tashmja dhe e ardhmja e qytetareve dhe e qytetarëve të rritur jetimë të jetë në qendër të vëmendjes së saj.
Së fundi, duke pasur parasysh se po rritet përherë e më shumë numri i të rinjve shqiptarë që emigrojnë ose që duan patjetër të emigrojnë për të jetuar më denjësisht përmes punës së ndershme, shteti shqiptar duhet ta kuptojë, që çdo shqiptar që lë atdheun për t’u vendosur në dhe të huaj, ka medoemos diçka prej jetimi sepse befas e sheh veten të vetmuar, pa prindër, pa familje, pa shokë të së njëjtës kombësi e të së njëjtës gjuhë, ai shpesh ndihet disi i deprimuar, çka do të thotë se atij i dhemb shpirti. Për këtë arsye, përgjegjësia e atyre që na qeverisin është e madhe dhe përbën një barrë të rëndë në këtë drejtim, sepse nëse Shqipëria do të vazhdojë të zbrazet nga forca e krahut dhe ajo e mendjes, nëse pas fshatrave të mbetura tërë- sisht ose pjesërisht të shkretë për shkak të emigracionit, do t’u vijë radha edhe qyteteve të vogla, nëse, pra, emigrantët, ky lloj i ri jetimësh, do të dynden e do të rrasen në “strehën vorfënore” me emrin Bashkim Europian, SHBA apo Kanada etj., etj., atëherë Shqipërinë tonë fatkeqe do ta marrë jo lumi, as deti, por oqeani./Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.