Në fokus

November 27, 2017 | 7:59

Studim nga Besmir Guri: Si të ndërtojmë një komunikim efektiv midis prindërve dhe adoleshentëve?

Adoleshenca i referohet periudhës së jetës midis fëmijërisë dhe moshës së rritur. Fjala adoleshencë vjen nga folja latine “adolescere” që do të thotë “Të arrish pjekurinë”. Adoleshenca është mosha në të cilën alternohet zelli, pasioni, kurioziteti, indiferenca, kënaqësia, lumturia, melankolia, dëshpërimi. Ajo është mosha e ndërlikuar, më e turbullt, por dhe më e bukur në të njëjtën kohë. Është mosha e konfliktit të ndjenjave dhe mendimeve.

Nga Besmir Guri, psikolog shkollor

Nga Besmir Guri, psikolog shkollor

Karakteristikë themelore gjatë adoleshencës është dhe formimi i identitetit. Kur adoleshentët formojnë ndjenjën e identitetit përpiqen të fitojnë më shumë pavarësi nga prindërit. Reagimi i prindërve ndaj kësaj pavarësie, përcakton dhe vazhdimësinë e marrëdhënieve brenda familjes, mes prindit dhe fëmijës së tij. Teoria zhvillimore e Erik Erikson, një nga psikologët më të njohur që është marrë me identitetin në adoleshencë, përcakton krizat e identitetit, gjatë së cilave adoleshentët duhet të eksplorojnë mundësi të ndryshme dhe të integrojnë pjesë të ndryshme të vetvetes së tyre. Ai përshkroi si rezultatin përfundimtar të këtij procesi, formimin e një identiteti të konsoliduar. Në mënyrë të thjeshtëzuar Eriksoni shtron përpara adoleshentit problemin e gjetjes së përgjigjes së pyetjes: “Kush jam Unë”. Identiteti është një qëllim themelor në adoleshencë. Onyehalu mendon se një pjesë e konsiderueshme e krizës së identitetit që përjeton rinia është rezultat i perceptimit kontradiktor të kërkesave që shoqëria ushtron mbi to.

1

Kalimi nga varësi ne pavarësi

Gjatë adoleshencës njerëzit kalojnë nga varësia te prindërit, në pavarësi në moshën e rritur. Të rinjtë shpesh janë në konflikt midis dëshirës për të qenë i pavarur nga prindërit e tyre dhe nga ana tjetër janë prindërit ata që u ofrojnë mundësitë për të pasur gjërat e nevojshme si ushqimi, strehimi, veshja, mbështetje emocionale etj. Në kërkim të pavarësisë, adoleshentët shpesh rebelohen kundër prindërve të tyre kur ata kërkojnë t’i drejtojnë në jetë dhe i kthehen atyre duke i cilësuar si “të dalë jashtë mode” apo “primitivë.” Reagimi i prindërve ndaj këtij rebelimi për pavarësi nga ana e adoleshentit, është një përcaktues i rëndësishëm për ruajtjen e një marrëdhënie mirëkuptimi në vazhdimësi. Fëmijët që janë rritur në familje ku prindërit i kanë ndihmuar në procesin e rritjes, duke i ofruar mundësi për të mësuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe respektin për veten, tentojnë të kenë një periudhë më të butë kalimtare nga varësia në pavarësi. Prindërit dhe adoleshentët duhet të mësojnë të përballojnë shqetësimet lidhur me komunikimin, kontrollin, përgjegjshmëritë dhe autoritetin.

Ndryshimi i raporteve prind fëmijë

Raporti prind fëmijë ndryshon:

•Në kohë

•Nga origjina e familjes

•Në individë të ndryshëm

2

Ndryshimi i raportit në kohë:

Në kohët e mëparshme raporti prind fëmijë ka qenë më i ngurtë se ditët e sotme. Kjo për faktin se adoleshenti nuk i ka pasur hapësirat për të vepruar dhe për të bërë të mundur diskutimin e mjaft problemeve për të cilat ishte e nevojshme komunikimi me prindërit. Sot me evoluimin e shoqërisë gjërat kanë ndryshuar, janë krijuar hapësira për veprimin e adoleshentëve, ambiente ku kalojnë kohen e lirë. Kjo bën që adoleshentët të bëhen pjesë e situatave nga më të ndryshmet shpesh edhe problematike. Raporti prind fëmijë sot është më i hapur, ekziston një komunikim më i mirë.

Ndryshimi nga origjina e shoqërisë:

Në shoqëritë me origjinë rurale komunikimi midis prindërve dhe adoleshentëve është më i zbehtë për vet faktin se ka të bëj më shumë me mentalitetin e vjetër të familjes patriarkale ku sundon fjala e babait dhe mungon komunikimi i hapur. Në shoqëritë e emancipuara që jetojnë kryesisht në qytete kemi të bëjmë me një rreth më të gjerë social që i sheh problemet sociale në një prizëm më pozitiv. Adoleshentët janë më të hapur ndaj ideve dhe bisedave. Gjithashtu dhe prindërit në këtë grup shoqëror janë më të prirur të gjejnë gjuhen e adoleshentëve dhe të jenë më të hapur ndaj ndjenjave dhe dëshirave të tyre.

Ndryshimi në varësi të individit dhe familjes:

Të gjithë ne lindim të ndryshëm dhe e formojmë personalitetin në mënyra të ndryshme. Një ndër elementët më të rëndësishëm të formimit psikoemocional mbetet familja. Fëmijët që rriten në një ambient të ngrohtë familjar, priren të hapen më shumë me prindërit rreth problemeve të tyre,  ndërsa fëmijët që rriten në një ambient jo shumë të qëndrueshëm familjar janë shumë më të prirur që rreth problemeve të tyre të flasin me grupet e bashkëmoshatarëve.

Shkaqet e konfliktit prind adoleshent

Shkaqet e konflikteve të prindërve me adoleshentët janë nga më të ndryshmet. Sipas Koluger fushat e përbashkëta të konflikteve midis prindërve dhe adoleshentëve lidhen me: Kryerjen e punëve të shtëpisë, Përdorimin e kohës, Qëndrimi kundrejt studimeve, Shpenzimin e parave, Çështje të moralit, Përzgjedhjen e miqve, Përzgjedhjen e veshjeve, Përdorimin e telefonit, Përdorimin e makines.

Ndryshimi i marrëdhënieve të prindërve dhe adoleshentëve krahasuar me vendet e tjera

Marrëdhëniet prind-adoleshent në shoqërinë shqiptare ndryshojnë dukshëm nga marrëdhëniet në vendet perëdimore. Prindërit shqiptar janë më të prirur dhe më të angazhuar për të përkrahur fëmijët e tyre në adoleshencë dhe më vonë. Në shumë raste kjo përkrahje arrin deri në sundim të plotë, karakteristikë e prindërve autoritarë dhe posesivë. Prindërit kryesisht interesohen për fëmijët e tyre edhe në fakultet në lidhje me notat e marra si dhe kur do të diplomohen. Një dukuri e tillë nuk ndodh ose nuk është kaq e theksuar në vendet perëndimore pas moshës 18 vjeç. Gjatë kësaj periudhe të rinjtë krijojnë një lloj shkëputje me familjet e tyre. Madje shumë prej fëmijëve në vendet perëndimore mund të jetojnë vetëm.

3

Si të ndërtojmë një komunikim efektiv midis prindërve dhe adoleshentëve?

Thomas Gordon ka identifikuar 3 teknika komunikimi që janë hartuar për të përmirësuar marrëdhëniet midis prindërve dhe adoleshentëve. Këto tre  teknika përfshijnë:

  • Të dëgjuarin aktiv
  • Mesazhet unë
  • Zgjidhja e problemeve pa pasur humbës
  • Të dëgjuarit aktiv

Duke folur për një problem, një person është i prirur të identifikoje rrënjët e problemit të tij dhe të arrij ta zgjidhë atë. Kur adoleshenti ndjen se prindërit po e dëgjojnë, ai është më i interesuar të dëgjoj këndvështrimin e tyre. Ai ndjen mbështetje në lidhje me prindërit. Ndaj është shumë e rëndësishme dëgjimi aktiv ndaj fëmijëve adoleshentë.

Mesazhi: UNË

Mesazhet UNË tregojnë sesi dërguesi i mesazhit tregon se marrësi është ndikuar disi nga dërguesi. Mesazhet “TI” janë mesazhe që e shqetësojnë dhe bllokojnë të riun të bëj diçka. Këto mesazhe shpesh përfundojnë me zënka midis prindërve dhe adoleshentëve.  Mesazhet “Unë” kanë në thelb të tregojnë si ndihen prindërit dhe si janë të ndikuar nga sjellja e fëmijëve të tyre. Ato çojnë në një bisedë të hapur dhe e përforcojnë lidhjen. Drejtojuni atij me unë jam i/e shqetësuar për sjelljen tënde në vend të TI nuk po sillesh mirë.

Zgjidhja e problemeve pa pasur humbës

Në çdo marrëdhënie prind-adoleshent ka situata të pashmangshme ku të rinjtë vazhdojnë të konfliktohen me prindërit e tyre. Në shumë familje shmangia e fuqisë konfliktuale zgjidhet, duke përdorur një nga modelet fitore humbje. Shumë prindër i zgjidhin problemet e tyre duke fituar gjithmonë ato dhe duke i bërë fëmijët të humbasin. Në familje të tjera prindërit nuk i imponojnë frike fëmijëve të tyre adoleshentë. Në këtë rast Gordon sugjeron një model të ri pa humbës të zgjidhjes së konfliktit. Ky model përfshin faktin se secili nga prindërit dhe adoleshentët zgjidhin konfliktin duke bërë një zgjedhje të pranueshme për të dyja palët.

Këshilla për prindërit

Prindërit duhet të jenë shembuj

Carl Jung thotë: Fëmijët edukohen nga ajo që i rrituri është, dhe jo nga ajo që thotë. Marrëdhëniet me bashkëshortin ose bashkëshorten ndikojnë te fëmija në çfarëdolloj moshe qoftë ai. Nëse në familjen tuaj mbizotëron dashuria dhe respekti mes individëve të saj, kjo do ta ndihmojë fëmijën tuaj që në të ardhmen të formojë marrëdhënie të shëndosha me të tjerët dhe me ju.

Ta dëgjosh adoleshentin dhe ta lejosh të shprehë vetveten

 Nëse nuk e dëgjoni dhe nuk e respektoni  adoleshentin, edhe ai nuk do t’ju dëgjojë ju. Ajo që bëjnë më shpesh nënat dhe baballarët është jo vetëm që nuk e dëgjojnë atë që thotë fëmija, por mundohen të përçojnë tek ai gjërat që ata dinë dhe ta orientojnë me çdo kusht sipas kësaj mënyre. Një metodë e tillë do t’ju vërë në pozitën e një njeriu që nuk i dëgjohet fjala dhe nuk kuptohet si duhet. Kjo do të bëjë që të ndesheni me kundërshtimin e fëmijës suaj edhe atëherë kur ju keni të drejtë.

Diskutoni me fëmijën tuaj

Prindi duhet të dijë se çfarë ndodh me fëmijën.
I gjithë informacioni nuk mund të fitohet në mënyrë të menjëhershme. Me adoleshentin duhet të flitet çdo ditë nëse ju nuk flisni me fëmijën tuaj do ta keni të vështirë të krijoni marrëdhënien e përshtatshme me ta. Bisedat e përditshme duhet të jenë të rregullta dhe spontane. Sa më shumë kohë të diskutoni me fëmijën në kushte të përshtatshme, aq më shumë i prirur do të jetë ai të flasë.

Përpiquni të jeni sa më të hapur, sa më kurioz, sa më të interesuar për jetën e fëmijës suaj, duke I lënë atij dhe pavarësinë e nevojshme ndërkohë. Ju duhet të dini se çfarë mendon ai, çfarë fantazon, çfarë marrëdhëniesh ka ne shkollë dhe çfarë e streson.

Përpiquni të shmangni diskutimet e tipit disiplinues

Nëse synoni disiplinën, fëmija do t’ju shmangë. Kjo nuk do të thotë shmangie disipline, por bërje kujdes për të mos e përfshirë disiplinen edhe në bisedat e lira. Në të gjithë bisedat që zhvilloni me adoleshentin përpiquni që ai të flasë në pjesën më të madhe të kohës. Ju thjesht duhet ta nxisni atë për të treguar sa më shumë. Në këtë periudhë njeriu ka më shumë nevojë të dëgjohet sesa të dëgjojë.

Silluni si prind

Ju mund të jeni i besueshëm dhe miqësor, por duke qenë në rolin prindëror. Në fakt në disa raste mund të jetë e vështirë të jesh personi i cili vë kufij dhe të dëgjon pa gjykuar siç bën një mik. Ju jeni gjithmonë prindi, dhe ky pozicion do të reflektojë në marrëdhënien tuaj me fëmijën. Në këtë mënyrë ju i jepni fëmijës atë për të cilën ai ka nevojë: dikë i cili mund ta dëgjojë dhe ta kuptojë, por edhe të ketë eksperiencë dhe të japë ato këshilla të cilat një moshatar nuk i jep dot. Kështu adoleshentit i transmetohet siguria për të cilën ai ka nevojë. A mund të diskutojë një adoleshent gjithçka me ju? Sigurisht që jo, por falë bisedave të përditshme ju mund të krijoni një marrëdhënie besimi dhe përgjegjësie, marrëdhënie kjo që do t’ju ndihmojë të kapërceni momentet e vështira që mund të krijohen. Është mirë të njohësh shokët e fëmijës Gjatë periudhës së adoleshencës shoqëria ushtron një ndikim të madh tek adoleshenti. Kjo është një gjë e paevitueshme dhe e pranueshme. Ndaj për prindërit është e domosdoshme të njohë sa më shumë që të jetë e mundur rreth ndikimit të shoqërisë tek fëmija. Mënyra më e mirë për të arritur deri këtu është të diskutosh për ta me fëmijën tuaj, t’i njohësh sa më shumë miqtë e tij.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top