Psikofakt

August 3, 2018 | 11:02

Nga Edmond Tupja / Për një mendësi të re në familje!

Dihet që koncepti i barazisë gjinore në shoqëri ka evoluar shumë gjatë dy shekujve të fundit. Gruaja, në shumë vende të botës së zhvilluar, ka fituar tashmë mjaft të drejta nga të cilat ka qenë e privuar për shekuj të tërë, si, për shembull, e drejta e votës, por ajo lufton të fitojë, edhe sot e kësaj dite, të drejta të tilla si pagë të barabartë për punë të barabartë. Mirëpo, nga ana tjetër, koncepti i barazisë gjinore në gjirin e familjes është akoma larg zbatimit të tij në jetën e përditshme të çiftit.

Edmond Tupja

Edmond Tupja

Vazhdon ende të mbijetojë – ngaqë rrënjët i ka të thella si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga ajo socialkulturore – ideja se gruas, veçanërisht kur bëhet nënë, i takon detyrimisht të kryejë punë e detyra, të cilat natyra ia paska caktuar asaj si femër që është: të lindë fëmijë e të kujdeset për ata, të gatuajë, të pastrojë, të lajë, madje të bëjë edhe pazaret etj., etj., me një fjalë t’i shërbejë familjes, d.m.th. bashkëshortit dhe fëmijëve. 

Kjo mendësi vazhdon të ekzistojë, ku më shumë e ku më pak, në mjaft vende, rrjedhimisht edhe në Shqipëri, ku gruaja, duam apo nuk duam, na pëlqen apo nuk na pëlqen, konsiderohet si e vetmja pjesëtare e familjes së cilës i takon të sakrifikohet, pra, të heqë dorë, të nënshtrohet – sigurisht edhe kundër vullnetit të saj – deri në atë pikë sa të pësojë një dhunë psikologjike aq tinëzare saqë ajo vetë e ka të vështirë të ndërgjegjësohet plotësisht për këtë dukuri.

Ç’është e vërteta, logjika e bashkëjetesës e kërkon që të dy bashkëshortët të krijojnë një drejtpeshim të shëndetshëm e jetëgjatë në marrëdhëniet brenda familjes përmes një bashkëpunimi të frytshëm të mbështetur në empatinë dhe mirëkuptimin midis tyre: me konsensus, duhet që ndarja e punëve të shtëpisë të jetë e lëvizshme, si të thuash me gjeometri të ndryshueshme, sipas rrethanave, dhe jo e përcaktuar apo, akoma më keq, e imponuar përfundimisht nga vullneti i burrit; përpos kësaj, shteti dhe shoqëria civile duhet të thonë edhe ata fjalën e tyre. 

Në këtë kuadër, në një numër vendesh të zhvilluara, gruas, sidomos kur bëhet nënë, po i krijohen me ligj disa kushte të tilla që, në rrethana të caktuara, të “sakrifikohet” edhe burri në mënyrë që ajo, gruaja, të ketë mundësi të mos mbyllet në shtëpi e të ndërpresë marrëdhëniet në punë qoftë edhe për një kohë të shkurtër; kështu, për shembull, këto vitet e fundit në Francë, kur fëmija i vogël sëmuret, mjeku ka të drejtë t’i japë raport edhe babait që të rrijë në shtëpi e të kujdeset për fëmijën deri sa e shoqja të kthehet nga puna.

Së fundi, gruaja nuk duhet të presë që nismën për një këndvështrim të ri në realizimin e barazisë gjinore në gjirin e familjes ta marrë bashkëshorti apo një i tretë – i afërm, fqinj apo psikolog –, ajo vetë duhet të guxojë ta hedhë për diskutim këtë çështje dhe të arrijë, përmes një dialogu dobiprurës, ta ndërgjegjësojë jo vetëm opinionin familjar, por edhe atë shoqëror për domosdoshmërinë e një mendësie të re në këtë drejtim.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top