FB

March 6, 2023 | 10:30

Nga Edmond Tupja / Përsiatje për elegancën

Megjithëse “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) e përkufizon fjalën “elegant” kësisoj: “që është bërë me shije të hollë; i hijshëm, që ka elegancë: veshje elegante; njeri elegant”, shumë njerëz e përdorin këtë fjalë në kuptimin “i hollë, i dobët, nën peshë”, çka përbën një lajthitje fshatareske ose provinciale, sepse, në fakt, një njeri që peshon qoftë edhe 200 kg cilësohet “elegant” kur vishet dhe/ose shprehet me elegancë, ndërsa një njeri nën peshë vetëm “elegant” nuk mund të cilësohet kur vishet pa shije dhe/ose kur shprehet në mënyrë trashanike apo vulgare.

Publicist, Përkthyes

Gjithsesi, përkufizimi i fjalës “elegancë” në fjalorin e lartpërmendur si “shije e hollë në të veshur, në të shprehur etj.; të qenët elegant”, është shumë i mangët në krahasim me katër përkufizimet që jep fjalori francez “Le Petit Robert” (Paris, 2011), të cilat po i përkthejmë si vijon për lexueset dhe lexuesit e revistës “Psikologjia”:

1. Cilësi estetike, që u njihet disa formave natyrore apo të krijuara nga njeriu, përsosuria e të cilave rezulton nga hijeshia dhe thjeshtësia e tyre;

2. Cilësi stili, që qëndron në një zgjedhje të goditur të shprehjeve, në një gjuhë të kulluar dhe të harmonishme;

3. Shije cilësore, që shpreh një stil vetjak në veshje, në stolisje, në sjellje;

4. Shije cilësore, dallim nga të tjerët, shoqëruar me lehtësi e rrjedhshmëri në rrafshin moral ose intelektual.

Të katra këto përkufizime përmbledhin ose nënkuptojnë detyrimisht parametra të tillë si kënaqësia, bukuria, harmonia, stili, klasa, veçantia, natyrshmëria dhe shkallëzimi e kombinimi i kontrasteve. Në dritën e këtyre katër përkufizimeve, bëhet krejt e qartë lidhja që ka eleganca me artet, madje mund të pohojmë se eleganca qëndron në themel të arteve, e thënë ndryshe, pa elegancë nuk mund të ketë art të vërtetë. Nga ana tjetër, duhet pranuar se, pavarësisht pushtetit që ka paraja sot në mbarë botën, eleganca nuk është përherë e në çdo rrethanë e kushtëzuar prej kësaj.

Eleganca, ku më shumë e ku më pak, e ul agresivitetin, e tkurr dhunën, ajo është si muzika që zbut edhe gjarpërin; në fund të fundit, eleganca është fisnikëri, hijeshia e thjeshtësia e saj të kujtojnë buzëqeshjen e dëlirë të një fëmije të padjallëzuar. Sidoqoftë, eleganca nuk lind me njeriun, ajo fitohet në jetë, madje edhe në mjediset shoqërore më modeste nga pikëpamja ekonomike apo edhe kulturore. Në këtë drejtim, shkolla mund e duhet të luajë një rol të rëndësishëm. Kështu, për shembull, para shumë vitesh një ministre e Kulturës e ftoi homologen e saj të Arsimit që, në një nivel të caktuar të arsimit parauniversitar, të institucionalizohej ora e edukimit artistik, e cila do të nxiste pashmangësisht tek nxënësit dashurinë për artin dhe, sidomos, interesimin për elegancën jo vetëm në të veshur e në të shprehur, por edhe në të konceptuarin e marrëdhënieve të përditshme njerëzore, të cilat, dashur padashur, e vënë theksin tek eleganca:

A nuk flasim ne për elegancën e një veshjeje duke i thënë dikujt “Sa shik qenke veshur sot!” ose për elegancën e një mobilieje “Sa elegante kjo tryezë, kjo dhome pritjeje!”?

A nuk u mësojmë ne nxënësve që të shprehen, të flasin apo të shkruajnë me elegancë? A nuk vlerësohet, në një paradë apo sfilatë mode, jo vetëm eleganca e veshjeve, por edhe eleganca e të ecurit? Në një studio televizive, a nuk bie në sy jo vetëm eleganca e të folurit, por edhe ajo e të heshturit gjatë një debati?

Me një fjalë, a nuk na bën më të mirë eleganca e të komunikuarit me të tjerët?

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.177, muaji Mars

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top