Nuk ka dyshim që për ato dhe ata të cilët e duan jetën, kjo e fundit është një dhuratë e çmuar, madje tejet e çmuar; sidoqoftë, jo rrallëherë dëgjojmë shprehje të tilla si “Filani po na nxin jetën!”, “Filani i dha fund jetës!” “Ç’dreq jete kjo e jona!”, “U lodha së jetuari!”, “Oh, ç’jetë qeni!” etj. etj., shprehje këto që na bëjnë të pyesim veten për ç’lloj jete bëhet fjalë kur e cilësojmë atë si dhuratë.
Historia e njerëzimit ka treguar dhe vijon të tregojë se jo gjithmonë jeta ka qenë konsideruar si dhuratë. Së pari, kush e bën këtë dhuratë? Ka që pretendojnë se jeta është dhuratë nga Zoti, të tjerë mendojnë se ajo është dhuratë e Natyrës, të tjerë akoma se ajo është dhuratë e Prindërve.
Për të mos u zgjatur, le të arsyetojmë si më poshtë:
Jeta si dhuratë nga Zoti – Po të ishte kështu, përse Zoti krijoi fatkeqësitë natyrore si tërmetet, shpërthimet e vullkaneve, përmbytjet dhe sëmundjet vdekjeprurëse, që kanë marrë, marrin dhe, me sa duket, do të vazhdojnë të marrin jetë njerëzish pa ndërprerje? Nga ana tjetër përse ai ka lejuar, lejon e me gjasë do të lejojë të bëhen luftërat shfarosëse? Ç’lloj dhuratash sjellkan të tëra këto për njerëzit? E çuditshme, e pabesueshme, e frikshme!
Jeta si dhuratë nga Natyra – Me sa duket, pavarësisht përparimeve të shkencave, Natyra iu nënshtruaka vullnetit të Zotit (ose Zoti ligjeve të Natyrës apo, së fundi, parashikimeve të Inteligjencës Artificiale).
Jeta si dhuratë nga Prindërit dhe nga krejt shoqëria njerëzore – Po, kjo duket e mundshme, e besueshme, me kusht që prindërit të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre veçanërisht të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve në gjirin e familjes, por edhe falë një bashkëpunimi të ngushtë me strukturat dhe institucionet shoqërore të specializuara në këtë drejtim.
Si përfundim,le të shpresojmë se do të vijë një ditë kur jeta do të konsiderohet nga Njeriu vërtet si një dhuratë që nuk duhet shpërfillur, shpërdoruar e shkatërruar përfundimisht.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.