FB

November 4, 2023 | 8:03

Nga Edmond Tupja / Përsiatje për kujtimet!

Njerëzit, duan apo nuk duan, ruajnë kujtime, të mira apo të këqija qofshin këto. Sot, në çdo vend të botës thuajse të globalizuar, ku ne lëvizim pareshtur të pajisur me kamera të gjithfarëllojshme, kujtimet kemi nisur t’i ruajmë në trajta të ndryshme, sidomos elektronike, pra, pa qenë nevoja t’i fiksojmë ato në fotografi për të mbushur me këto album pas albumi. Rrjedhimisht, në kohët tona moderne kujtimet shpesh e ndjekin jo vetëm mendërisht, por edhe materialisht njeriun kudo vaftë ai.

Sapo u përmend më lart fakti që ekzistojnë kujtimet të mira, por edhe kujtime të këqija. Mirëpo këtu del problemi i administrimit të këtyre kujtimeve jo vetëm materialisht në fotografi, filmime apo disqe; administrimi në fjalë ka të bëjë kryesisht me kujtimet që çdo njeri mbart, sidomos ato kujtime që nuk i shqiten nga ndërgjegjja dhe që jo rrallëherë e detyrojnë ta kritikojnë, ta qortojnë, madje edhe ta dënojnë moralisht vetveten duke përjetuar atë që cilësohet pikërisht si vrasje ndërgjegjeje. Kujtimet e kësaj kategorie nuk ka fotoshop që t’i zbukurojë siç ndodh a mund të ndodhë me fotografitë e nxjerra elektronikisht.

Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se edhe fotografitë e nxjerra elektronkisht, sidomos kur jemi të rinj për shembull me raste dasmash, festash, përvjetorësh, takimesh, udhëtimesh turistike, arritjesh në karrierë, fitoresh çmimesh etj. etj., pra, kur i këqyrim ato teksa kemi dalë në pension ose lëngojmë, ose ndihemi fatkeqë, sepse kemi humbur dikë apo disa nga njerëzit tanë më të shtrenjtë, me një fjalë fotografitë që dëshmojmë se dikur kemi qenë të lumtur, atëherë, atyre nga ne që e kanë lexuar mirë Dante Alighieri-n do t’u kujtohet aforizmi që vijon: “Nuk ka dhimbje më të thellë sesa të kujtosh ditët e lumtura kur jeton në mjerim”.

Gjithsesi, paragrafi i mësipërm nuk do të thotë se detyrimisht duhet ta gjykojmë ashpër vetveten kur hyjmë në moshën e tretë, madje aq më pak kur kemi fatin të hyjmë edhe në moshën e katërt. Psikologjikisht, kujtimet qofshin të mira apo të këqija nuk duhet të na e fshijnë dashurinë për jetën, fatin që kemi kur arrijmë të plakemi shëndetshëm për të bërë një bilanc sa më pak pesimist të jetës sonë, madje duhet t’i kujtojmë edhe të dashurit që nuk i kemi më gjallë sepse, pikërisht duke i kujtuar, duke i kundruar me mall te fotografitë, te filmimet ku kemi dalë me ata, ku jemi të pranishëm me zë e me figurë, duke qeshur e duke kërcyer, pra duke vepruar kësisoj, ne, në njëfarë mënyre, i ringjallim ata të paktën për aq kohë sa i kundrojmë, për aq kohë sa u buzëqeshim, për aq kohë sa u flasim me sy, madje edhe duke u drejtuar disa fjalë të përmalluara, fjalë zemre, fjalë jete.

Së fundi, le të kujtojmë këtë varg të famshëm të poetit francez Charles Baudelaire: “J’ai plus de souvenirs que si j’avais mille ans”, pra “Kam më shumë kujtime sa do të kisha pasur po të isha njëmijë vjeç”, sepse, në fund të fundit, kujtimet na zgjasin jetën.

 

 

 

 

 

Botuar Tek Revista Psikologjia, Nr.185, muaj Nëntor

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top