Psikofakt

December 6, 2019 | 8:04

Nga Edmond TUPJA / Përsiatje për pleqërinë

Shumë është shkruar e folur për pleqërinë si faza përfundimtare e jetës së njeriut mbi tokë (sepse, për sa i përket jetës së amshuar – në parajsë apo në ferr –, askush prej shkencëtarëve e intelektualëve të mirëfilltë nuk kuturiset ta përshkruajë atë ngaqë asnjëri nga ata që kanë “ndërruar” jetë nuk është kthyer që andej për të dëshmuar vërtetësinë e ekzistencës së saj).

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Rrjedhimisht, pas pleqërisë, sado zgjattë ajo, njeriun e pret vdekja. Nën dritën e këtij fundi të pashmangshëm që na pret, pleqëria merr një rëndësi të veçantë, prandaj është bërë objekt përsiatjesh nga shumë filozofë të të gjitha kohëve dhe qytetërimeve. Kështu, francezët e quajnë atë “muzgu i jetës”, ndërsa La Rochefoucauld, filozof francez i shekullit XVII, e cilësonte atë si “tirani i jetës”.

Në përgjithësi, duke qenë se në epokën e sotme shumica e njerëzve e konsiderojnë vdekjen si të kundërtën e jetës, pleqëria vlerësohet si një periudhë që bart trishtim, madje pikëllim, pasi i kujton njeriut se një ditë jo të largët do t’i duhet të vdesë, të ndahet një herë e përgjithmonë nga të dashurit e tij, si edhe të lërë ato të mira materiale e shpirtërore për të cilat ka investuar gjatë e mundimshëm. Madje, ka njerëz që nuk i festojnë ditëlindjet, sepse, sipas mendimit të tyre, çdo vit që kalon, dashur, pa dashur, u afron pleqërinë, pra edhe ditën e vdekjes, këndvështrim ky tejet pesimist që, në fund të fundit, të prish shijen e jetës.

Në polin e kundërt të këtij këndvështrimi, qëndrojnë ata (dhe këta janë më të shumtit) të cilët e festojnë natyrshëm ditëlindjen e tyre ngaqë kanë jetuar edhe një vit më shumë, prandaj urimi më i bukur për ata është “U bëfshi njëqind vjeç!”. Në sytë e tyre, pleqëria është një moshë e nderuar, sepse, falë përvojës së grumbulluar, të vjetrit u ndriçojnë udhën e jetës të rinjve, u mësojnë atyre si t’i përballojnë situatat e papritura, si t’i kapërcejnë vështirësitë shkurajuese, si t’i shmangin kurthet e së Keqes dhe si t’i vlerësojnë perspektivat që u hap e Mira. Jeta ka treguar e tregon vazhdimisht se kur t’u vijë radha të plaken, të rinjtë do ta kuptojnë sa e çmuar është për njerëzimin pleqëria jo vetëm për përvojën e pasur që ka në marrëdhëniet njerëzore, por edhe për tolerancën fisnike ndaj tjetrit që na ngjan aq shumë dhe që duhet ta duam e ta ndihmojnë kur është në nevojë, ashtu siç do të donim që ai të na ndihmonte po të ishim në vendin e tij.

Midis rinisë dhe pleqërisë ekziston një lidhje dialektike: I riu ka shumë nevoja kur nis e përfshihet në betejën e jetës, kurse i vjetri, që e ka zhvilluar tashmë këtë betejë, ka shumë përvoja të dobishme, të cilat do t’i duhen detyrimisht të riut për të plotësuar të paktën një pjesë të mirë të nevojave të veta. Këtë lidhje e ilustron edhe proverbi francez “Si jeunesse savait, si vieillesse pouvait”, pra, “Sikur rinia të dinte, sikur pleqëria të mundte!”.

Po, pleqëria është privilegj, prandaj nga pena e Viktor Hygoit ka dalë ky varg madhështor e kuptimplotë njëherazi: “Car le jeune homme est beau, mais le vieillard est grand!”, d.m.th. “Vërtet i riu ka bukurinë, por i vjetri ka madhështinë!”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top