FB

October 18, 2022 | 7:45

Nga Edmond TUPJA / Përsiatje për tolerancën…

Në qoftë se hap “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, botim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Tiranë, 1980) dhe kërkon të shohësh si e përkufizon ai fjalën “tolerancë”, lexuesi i sotëm do të mbetet i zhgënjyer kur të vërejë që kjo fjalë nuk ekziston fare atje, por zhgënjimi i tij do të shumëfishohet në qoftë se hap “Fjalorin e gjuhës shqipe”, botim po i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Tiranë, 2006), pra, pas rënies së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, sepse do të konstatojë që fjala “tolerancë” nuk figuron fare as atje.

Nga Edmond TUPJA

Gjithsesi, lexuesit të sotëm i duhet shpjeguar se nocioni “tolerancë” në regjimin totalitarist të Enver Hoxhës ishte diçka jashtëzakonisht e rrezikshme, ngaqë toleranca konsiderohej si një tipar socialpolitik i ideologjisë kapitaliste. I botuar pas shembjes së diktaturës, pra në vitin 2008, “Fjalori frëngjisht-shqip” i Vedat Kokonës e eliminon padrejtësinë e dy fjalorëve të Akademisë së Shkencave dhe e përkufizon më në fund fjalën “tolérance” duke e shqipëruar atë aq bukur me fjalën “zemërgjerësi” në kuptimin e përgjithshëm, por edhe si “liri e kufizuar”, si “tolerancë” në kuptimin teknik mjekësor. Filozofë të shumtë, që nga lashtësia e deri më sot, e kanë përkufizuar tolerancën si diçka të domosdoshme për shoqërinë njerëzore dhe për atë që psikosociologët e quajnë kohezion social. Në librin e tij “Petit traité des grandes vertus” (Traktat i vogël i virtyteve të mëdha”) (Paris, 1995), filozofi francez André Comte-Sponville përfshin 18 virtyte, ndër të cilët edhe tolerancën. Sot, duhet pranuar se në shoqërinë shqiptare toleranca është si ai fëmija që sapo është ngritur në këmbë dhe po hedh hapat e para.

Historia e popullit tonë – që nga ilirët, turqit osmanë, feudalizmi dhe komunizmi me variantet e tij jugosllav, sovjetik e kinez – ka lënë gjurmë të thella, thuajse të pashlyeshme, në mendësinë tonë kombëtare, madje deri në pavetëdijen tonë kolektive; mjafton për këtë të shohësh se si sillemi ne me më të dobëtit, me më të pambrojturit, me më të sinqertët, me më të edukuarit. Sot, duhet pranuar që mostoleranca është ende e fuqishme, dhuna e saj shfaqet në jetën tonë të përditshme deri në atë pikë saqë nuk mungon të bëjë edhe viktima, veçanërisht te gratë, fëmijët dhe personat e moshuar. Një vend si yni nuk do të mund të quhet demokratik përderisa në të do të ekzistojë mostoleranca, përderisa toleranca, pra zemërgjerësia, do të konsiderohet si dobësi, si druajtje, si pasiguri. Nga ana tjetër, toleranca nuk duhet parë si pasivitet, si plogështi, në kuptimin që vjen një moment kur duhet të shkundemi e të tregohemi vigjilentë edhe në një regjim demokratik, sepse demokracia, nënvizon André Comte-Sponville-i, nuk është dobësi, nuk është indiferencë, prandaj duhet luftuar mostoleranca që, historikisht ka çuar tek totalitarizmi. Nga lufta e opinionit publik përmes edukimit, arsimit e kulturës kundër mostolerancës varet, pra, fati i demokracisë së vërtetë në një shoqëri aq problematike sa kjo jona gjatë këtyre tri dekadave të fundit, teksa vetë mbijetesa e çiftit, e familjes dhe e shtresave në nevojë po vihet sa vjen e më shpesh në pikëpyetje.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 173

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top