Dhjetori është një muaj i mezipritur për festat e tij jo vetëm në kulturën europiane, por tashmë, me globalizimin e papërballueshëm të planetit, edhe në kulturën botërore. Tek ne, në Shqipëri, deri para se të shembej diktatura, festohej vetëm Viti i Ri. Sot, në demokraci, festohen edhe Krishtlindjet, të paktën nga një pjesë e popullsisë, çka nuk e pengon pjesën tjetër të jetë deri diku e ndjeshme ndaj kësaj feste.
Sikur të përpiqemi ta analizojmë gëzimin që na sjellin – ku më shumë e ku më pak – festat e fundvitit, ndoshta mund vëzhgojmë së pari dhe të arrijmë së dyti në disa përfundime interesante nga pikëpamja psikosociologjike. Kështu, mund të vërejmë se gëzimi në fjalë është më i theksuar te fëmijët dhe paraadoleshentët; bëhet fjalë për një gëzim të mirëfilltë që krijojnë me këtë rast pushimet shkollore, mendimi se do të marrin dhurata, humori i mirë në familje, te të afërmit, miqtë e shokët, ndriçimet e qendrës së kryeqytetit apo të qyteteve, vitrinat e zbukuruara etj., etj., pra, përmbledhtas, atmosfera e përgjithshme festive.
Nga ana tjetër, vërejmë se të rinjtë gjithashtu – gjimnazistë e studentë – gëzohen, por jo për të njëjtat arsye: ata janë më pragmatikë, d.m.th. më racionalë në atë çka shpresojnë se do t’u sjellin këto festa: rreth dhjetë ditë pushim, ndonjë mundësi më shumë për të udhëtuar brenda ose edhe jashtë vendit, siguria se askush nuk do t’i pengojë t’i lënë mënjanë librat, detyrat apo shtërngesat e tjera shkollore, më shumë kohë për të shijuar “il dolce farniente” bareve, kafeneve, diskove, parqeve etj., etj.
Së treti, nuk mund të mohojmë se të rriturit tregohen më realistë në këtë drejtim: ata dhe sidomos ato, zonjat e reja e më pak të reja, e dinë nga përvoja se do të lodhen një javë të tërë duke blerë, larë e shpëlarë, për ta bërë gati shtëpinë me rastin e festave të fundvitit, pra, do të harxhojnë dhe do të lodhen aq sa, ndonjëri e sidomos ndonjëra syresh me siguri, edhe në mos e thëntë me zë të lartë, do të mendojë me filozofinë që u ka mësuar jeta: “Për fat të mirë, festat e fundvitit nuk ndodhin çdo fundmuaji!”. Shtoi kësaj edhe ndjesinë se pas çdo feste, sado e këndshme dhe e gëzueshme qoftë ajo, vjen një periudhë disi ligështuese për të mos thënë deprimuese, e ngjashme me atë që gjithsecili prej nesh ka provuar, provon dhe do të provojë pas çdo feste, përvjetor ditëlindjeje apo martese, pjesëmarrjeje në dasmë, udhëtimi turistik, dreke apo darke me shokë e miq etj., etj.
Së fundi, siç e kam përmendur shkarazi para një muaji në faqet e “Psikologjisë”, ngaqë festat e fundvitit përsëriten çdo vit sipas gati të njëjtit ritual, jo pakkush, pavarësisht kënaqësisë apo gëzimit që ndien me këtë rast, mund të ketë edhe njëfarë përshtypjeje të quajtur “déjà-vu”, që, me kalimin e kohës dhe si pasojë e moshës, mund të kthehet në njëfarë paramnezie, e cila, po të përsëritet apo të zgjasë, mund të konsiderohet si fillimi i një psikastenie, d.m.th. e një neuroze që karakterizohet nga ankthi, fiksimet, fobia, dyshimi dhe disa frenime apo mani.
Publikuar në Revistën Psikologjia 2023
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.