FB

February 14, 2026 | 16:00

Nga Edmond Tupja: Shën Valentini sot në Shqipëri?

 

Vetëkuptohet se në kohën e kobshme të diktaturës enveriste tek ne as që bëhej fjalë për shenjtorë sidomos pas mbylljes së institucioneve fetare. Gjithsesi kishte sadopak shqiptarë, të cilët e dinin historinë e Shën Valentinit, por ata nuk e kujtonin atë publikisht sepse do të rrezikonin shumë edhe ata vetë, edhe me gjasë familjet e tyre.

edmond-tupja

Fatmirësisht, fill pas shembjes së diktaturës enveriste, Shën Valentini erdhi mes nesh pa patur fare nevojë për vizë apo për shkelje të paligjshme të kufijve shqiptarë, sepse vetë ne, shqiptarët – studentë, minatorë, intelektualë e qytetarë të tjerë – e rrëzuam diktaturën në fjalë dhe, për rrjedhojë, Shën Valentini nuk e pati fort të vështirë të shfaqej në atdheun tonë historikisht të drobitur e me një shoqëri të hallakatur, kurse sot ky shenjtor (nëse është pikërisht i tillë) duhet të jetë shqetësuar ndërsa sheh se sa fatkeqe ndihet rinia jonë e zhgënjyer tek detyrohet të marrë rrugët e mërgimit ngaqë qeveritarët tanë mendjen e kanë ku e ku të pasurohen, duke ndjekur në çdo drejtim politika aspak popullore, pasojat e të cilave janë fatale jo vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen afatshkurtër e afatgjatë të të rinjve, madje edhe të adoleshentëve shqiptarë.

Nga një këndvështrim tjetër, si shenjtor që është, Shën Valentini me siguri po habitet, pse jo edhe po indinjohet, kur vëren pasurimin e papërfytyrueshëm e të paturpshëm të oligarkëve e të pushtetarëve tanë nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, varfërimin galopant të skandalshëm të një populli materialisht e shpirtërisht të rraskapitur.

Së fundi, Shën Valentini, ky shenjtor që e vë theksin tek dashuria në gjirin e çiftit burrë/grua, d.m.th. në gjirin e familjes njerëzore, pra, ky shenjtor me siguri ka konstatuar korrupsionin e neveritshëm dhe narkokriminalitetin vrastar në gjirin e gjakosur të shoqërisë shqiptare; prandaj, me të njëjtën siguri ai duhet të lëshojë për mbarë popullin tonë kushtrimin fort domethënës “Mos kini mëshirë për të pamëshirshmit!”, sepse si korrupsioni ashtu edhe narkokriminaliteti në pushtet po i hapin gropën me një kënaqësi të ethshme perverse, tejet sadiste, jo vetëm dashurisë si virtyt të pamohueshëm në vetvete, por edhe mbarë kombit shqiptar!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top