Nuk ka dyshim që, kur jemi të ftuar në një dasmë, urimet tona në adresë të çiftit të ri janë të ndryshme, si për shembull, të tipit “Jetë të gjatë e të lumtur!”, ‘U trashëgofshi!”, “Dashuri e mbarësi!” etj., etj.

Në Shqipërinë e dikurshme komuniste, dollia e parë që ngrihej në dasma jo rrallëherë ishte për “Partinë dhe shokun Enver!” pastaj për çiftin e ri, çka për dekada të tëra nuk habiste më njeri, me përjashtim të miqve të huaj që rastësisht shqiptarët tejet mikpritës i ftonin në dasmat e fëmijëve kur miqtë në fjalë u kalonin pranë shtëpisë apo lokalit ku bëheshin ato.
Mirëpo, ekziston një urim tejet i veçantë që nuk ta zinte veshi ndonjëherë në kohën e diktaturës, një urim aq domethënës, që del i thjeshtë, por plot mirësi nga thellësia e shpirtit, tingujt e të cilit t’i mbushin sytë me lot, e kam fjalën për këtë urim drejtuar çiftit të ri: “U plakshi së bashku!”.
Duam s’duam, ky urim e bën çiftin të kridhet në mendime, sepse do t’i duhet si nuses ashtu edhe dhëndrit të tregohen të vëmendshëm, madje tolerantë dhe, sigurisht, të dhembshur e të sinqertë me njëri-tjetrin, t’i blatojnë njëri-tjetrit dashuri e mirëkuptim, të bëjnë përpjekje për të mos e zhgënjyer njëri-tjetrin, si edhe, kur nuk arrijnë të merren vesh gjatë një diskutimi, të sillen me shumë takt, domethënë me kujdes e maturi, jo vetëm në të folur, por gjithashtu edhe në veprime.
Megjithatë, diçka nga urimi “U plakshi së bashku!” e gjejmë çuditërisht edhe në folklorin tonë tek një këngë e vjetër dasme, kur këngëtari i drejtohet nuses si vijon: “Nuse, ku kalle këmbët, aty të rënshin dhëmbët!” Pra, e thënë ndryshe: “Në shtëpinë ku do të jetosh tani e tutje me tët shoq, aty uroj të plakesh bashkë me të!” A nuk përbën kjo këngë, pavarësisht se larg e larg, një urim jetëgjatësie bashkëshortore?
Sidoqoftë, ky urim mund të plotësohet edhe me shtesën që vijon: “U plakshi së bashku dhe të rrethuar me mbesa e nipër!”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

