FB

March 10, 2026 | 11:30

Nga Edmond Tupja: Sindroma e Supergruas

 

 

Ndokush nga brezi i sotëm, i apasionuar pas serialit me hero një “superman”, mund të mendojë se “supergruaja” duhet të jetë një femër fort e ngjashme me këtë të fundit, pra një “superwoman” e vërtetë, pjellë e imagjinatës njerëzore, e pajisur me të njëjtat cilësi apo veti si homologu i saj mashkullor.

edmond-tupja

Kjo të sjell sadopak ndër mend termin “burrneshë”, të cilin “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 1980) e përkufizon si vijon: “Vajzë a grua trime, e zonja dhe e patundur, ajo që përballon çdo rrezik e vështirësi me guxim”. Ky përkufizim i përshtatet më së miri luftës që ndër shekuj gratë kudo në botë kanë bërë që t’u njiheshin të drejtat e tyre. Me kalimin e kohës ato u përfshinë në lëvizjen e tyre feministe, e cila është e pranishme në shumë vende e shoqëri ku gratë ende bien viktima të paragjykimeve apo mendësive obskurantiste dhe/ose mashkulliste ende në fuqi, prandaj në këtë rast flitet për sindromë, d.m.th. për një tërësi shenjash që tregojnë se një situatë e dhënë mund të jetë tejet shqetësuese.

Aktualisht në nivel ndërkombëtar gratë ende përballen me diskriminime seksiste të padenja për to, por në Shqipërinë e sotme trajtimi përbuzës i grave, nënvlerësimi i aftësive të tyre, dhuna fizike dhe psikologjike e ushtruar mbi to, “emancipimi” i tyre shpesh i sipërfaqshëm, pra sa për sy e faqe, tregojnë haptas se në jo pak struktura shtetërore apo edhe private, ato, gratë, janë herë pas here të pranishme sa për t’u bërë qejfin ndërkombëtarëve, ndërsa në jetën e tyre të përditshme, pra si në familje, ashtu edhe në shoqëri, ato e vuajnë thellë në shpirt situatën e tyre ankthprurëse si të ishin orë e çast rrufepritëse të vërteta, por, gjithsesi, burrnesha në tërë kuptimin e fjalës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top