Psikofakt

October 24, 2020 | 8:09

Nga Edmond Tupja / Solidaritet

Sa herë që në një krahinë, vend ose rajon të botës një bashkësi njerëzore goditet nga një fatkeqësi natyrore apo shoqërore – tërmet, përmbytje, epidemi, zi buke, luftë, zgjedhë e huaj, regjim diktatorial apo diçka tjetër me përmasa të mëdha e me pasoja të rënda –, shfaqet menjëherë një ndjenjë e përgjithshme me emrin solidaritet. Flitet kështu për solidaritet kombëtar, patriotik, klasor, fisnor, profesional, partiak, ndërkombëtar etj.

Fjalori i gjuhës shqipe (Tiranë, 2006) fjalën “solidaritet” e përkufizon vetëm me tri fjalë: “të qenët solidar”, kurse “Le Grand Robert”, fjalor i gjuhës frënge (Paris, 2010) e përkufizon si vijon: “Marrëdhënie midis personash të vetëdijshëm për interesat e tyre të përbashkët, marrëdhënie kjo që i dikton secilit pjesëtar të grupit detyrimin moral të mos i dëmtojë të tjerët dhe t’u japë ndihmë atyre” (përkthyer nga E.T.).

I konceptuar në këtë mënyrë, solidariteti përbën një vlerë njerëzore të veçantë, një qasje humaniste që ka për barasvlerës vetë kuptimin e fjalës “vëllazëri”. Shembuj të panumërt solidariteti gjejmë përgjatë gjithë historisë së njerëzimit në përgjithësi dhe së çdo populli në veçanti. Sa për ilustrim të këtyre kohëve të fundit, duhet patjetër të përmendim solidaritetin e shfaqur fill pas tërmeteve të 21 shtatorit e të 26 nëntorit në vendin tonë jo vetëm nga vetë shqiptarët për njëri-tjetrin, por edhe nga shqiptarët e Kosovës, si edhe nga shumë shtete të tjera kryesisht europiane.

Të mos harrojmë që edhe ne, shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, kemi shfaqur solidaritetin tonë para njëzet vjetësh gjatë luftës në Kosovë duke pritur disa qindra mijëra kosovarë. Të mos harrojmë se tek ne, gjatë këtyre viteve tranzicioni të dhimbshëm, ka pasur lëvizje sociale e politike masive që kanë gjetur mbështetje e solidaritet nga bashkatdhetarë të panumërt.

Sidoqoftë, duke qenë se solidariteti nuk është vetëm mirëkuptim e as thjesht keqardhje, por një veprim i ndërgjegjshëm e i përgjegjshëm, e mira është që ata të cilët e shfaqin atë, të tregohen syçelët në mënyrë që, në rrethana të caktuara, të mos manipulohen sidomos politikisht. Në këtë drejtim, mund të pohojmë se kur një parti, një sindikatë, një shoqatë apo një strukturë e shoqërisë civile organizon një protestë, një miting apo një tubim çfarëdo në mbështetje të kërkesave të saj që ty duken të drejta, pjesëmarrja jote nuk do të thotë se ti je detyrimisht aktivist, militant apo anëtar i saj dhe këtë duhet t’ua bësh të qartë atyre që kërkojnë drejtpërdrejtë apo tërthorazi të të paraqisin si të tillë.

Qëndrimin e duhur në këtë pikë e ka përkufizuar, andej nga fillimi i shekullit XX, shkrimtari e intelektuali i mirënjohur francez André Gide kur e përkufizonte veten si “solitaire, mais solidaire”, pra, “vetmitar, por solidar”, sepse nuk pranonte të ishte në shënjestrën e instrumentalizimit të figurës së tij, instrumentalizim që binte në kundërshtim me dëshirën e tij për të qenë kurdoherë i disponueshëm, pra, i lirë në mendime dhe në veprimtarinë që shpaloste.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 151

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top