Psikofakt

February 28, 2020 | 8:27

Nga Edmond Tupja / Të kundërt apo bashkëplotësues?

Sigurisht që, për një njeri me nivel kulturor mesatar, egoizmi dhe altruizmi janë dy koncepte krejt të kundërta, madje ndonjëri mund të shtonte edhe cilësorin “të papajtueshme”. Po, kështu duket se është, çka e konfirmon edhe vetë përkufizimi i këtyre dy termave në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006): “Egoizëm – tipar i një njeriu që mendon vetëm për vete, që vë interesat vetjake mbi interesat e të tjerëve” dhe “Altruizëm – dëshirë e gatishmëri për të ndihmuar të tjerët edhe në dëm të vetes”.

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Mirëpo, dialektika, e konceptuar si rrugëtim i mendimit që pranon karakterin e pandashëm të formulimeve kontradiktore (tezë, antitezë), të cilat mund të bashkohen në një sintezë, dialektika, pra, – qoftë ajo e filozofëve të Greqisë së lashtë, qoftë ajo hegeliane apo madje edhe ajo marksiste, – na mëson se uniteti i të kundërtave vihet re jo vetëm në bashkezistencën e dukurive të kundërta fizike (dita / nata, ftohtësia / nxehtësia, lindja / vdekja etj.), por edhe në marrëdhëniet e njerëzve midis tyre (dashuria / urrejtja, mirësia / ligësia, besnikëria / pabesia etj.) ku ndonjëherë vërehet edhe transformimi i njërit prej përbërësve të çdo çifti antinomik në të kundërtën e vet; kështu, për shembull, a nuk thuhet shpesh se një hap e ndan dashurinë nga urrejtja?

Në këtë këndvështrim, do të ishte mirë ta mendonim disi ndryshe edhe marrëdhënien midis egoizmit dhe altruizmit. Nga njëra anë, është e vërtetë që egoizmi shfaqet si një lidhje e tepruar me vetveten, pra si individualizëm i theksuar (“Secili për vete në këtë shkretëtirë egoizmi me emrin jetë”, shkruante francezi Stendhal në shekullin XIX), por, nga ana tjetër, i njëjti Stendhal përdor termin “egotizëm” (me prejardhje nga fjala “egoizëm”) në kuptimin “prirje për të folur për veten tënde, për të bërë analiza të hollësishme të personalitetit tënd fizik e moral” dhe saktëson se “Egotizmi, ai i sinqerti, është një mënyrë për të përshkruar ndjenjat e njeriut”, pavarësisht se mund të shndërrohet në kult të vetvetes, në përkushtim vetëm ndaj zhvillimit të personalitetit vetjak, duke u shfaqur si narcisizëm.

Ka gjithashtu raste kur një egoist, në dukje i pandreqshëm, befas bën një veprim të mirëfilltë altruist. Ndërkohë, altruizmi mund, krejt papritmas, t’i lërë vendin egoizmit: jo më kot, francezi Anatole France, shkrimtar i shekullit XX, ka nxjerrë nga goja apo nga pena batutën e famshme “Kjo shpirtmirësi e ftohtë me emrin altruizëm” dhe me të drejtë, sepse jo rrallëherë altruizmi fsheh një egoizëm të pandreqshëm.

Me sa duket, si gjithë çiftet e tjera antinomike të përmendura më lart, edhe egoizmi me altruizmin nuk janë vazhdimisht edhe aq të kundërt, madje ka raste kur vërtet mund t’i konsiderojmë si bashkëveprues në shpirtin e thellë të njeriut, sidomos po t’i referohemi psikanalizës frojdiane, por edhe faktit më përgjithësues se e Mira dhe e Keqja janë të ndërvarura, se e para nuk mund të ekzistojë pa të dytën dhe anasjelltas.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 146

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top