Psikofakt

July 17, 2017 | 9:40

Nga Edmond Tupja/ Vapë

1

Vapë, shumë vapë këtë verë… Çdo vit sa vjen e më e padurueshme po bëhet vapa… Vapë e prapë… Vapë e pamëshirshme… Këto shprehje e plot të tjera, që për strumbullar kanë vapën e këtyre javëve të fundit, t’i zë veshi rëndom në rrugë e sheshe, lokale e banesa. Kjo vapë po sfilit jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët, pemët dhe bimët pa përjashtim, sepse planeti Tokë sa vjen e po ngrohet, me gjithë përpjekjet e dëshpëruara të shumë shteteve për t’iu kundërvënë ngrohjes globale duke i vënë fre çlirimit të gazeve përgjegjëse për efektin serrë, burim i ngrohjes në fjalë.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Sigurisht, për këtë faji i bie vetë njerëzimit i cili, me veprimtarinë e tij të shfrenuar industriale, është përgjegjës për vapën që ka pllakosur, por jo të gjithë njerëzit e ndiejnë njësoj vapën, përfshirë edhe këtë të sivjetshmen. Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, ata që, në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, kanë sy për të parë, veshë për të dëgjuar dhe tru për të menduar, nuk mund ta mohojnë faktin se kjo vapë asfiksuese prek sidomos banorët e qyteteve ku betoni e asfalti të marrin frymë, pa përjashtuar edhe ata të zonave fushore e kodrinore, ndonëse jo të tërë njësoj.

Kryepari, për arsye ekonomike: jo të gjithë kanë mundësi financiare t’i pajisin banesat e tyre me kondicionerë, madje edhe ato e ata që kanë të tillë i përdorin me kursim të madh sepse faturisti e konsumit të energjisë elektrike ka për detyrë të kontrollojë e të lëshojë faturën përkatëse; në këtë kategori bëjnë pjesë pensionistët, të papunët, ata që herë kanë punë e herë nuk kanë; kryedyti, për arsye shëndetësore, sepse ka nga ato e ata që kanë zënë përfundimisht shtratin, ka handikapatë psikomotorë e të tjerë të sëmurë kronikë; kryetreti, nuk duhen anashkaluar edhe ato e ata që, për arsye të tjera, nuk arrijnë ta përballojnë vapën në kushte të denja për emrin “njeri”.

Para disa ditësh, në autobus, dëgjova një zonjë shumë të ndershme e të ndjeshme që u qante hallin e kësaj vape të prapë të shkretave… kafshë shtëpiake (qen e mace, kryesisht), të cilat disa njerëz nuk begenisin t’i marrin me vete kur shkojnë me pushime si brenda ashtu edhe jashtë shtetit! Cinizmi i saj më shtyu ta pyesja se ç’duhej të bënin ata të shkretë njerëz që nuk kanë mundësi të shkojnë me pushime për ta përballuar vapën e prapë të çdo vere qoftë edhe vetëm disa ditë në vit. Përgjigjja e saj më la pa gojë: “Kjo është puna e tyre”, tha dhe nxitoi të zbriste, se autobusi sapo kishte ndaluar në stacionin diku pranë Kryeministrisë. Në çast, falë një shoqërimi idesh, mendova: Po Kryeministri ynë ku i kalon vallë pushimet? A i shkon ndonjëherë mendja tek ato mijëra familje shqiptare që vuajnë nga vapa apo nuk shkojnë asgjëkund me pushime kur na vërsulet të nxehtit e verës?

Gjithsesi, para se ta lë të qetë kreun e qeverisë të mendojë për të ardhmen e ndritur të bashkëqytetarëve të tij të vaposur deri në shpirt, do të doja ta pyesja nëse i ka shkuar në mendje (nuk po them në zemër) ta provojë, qoftë edhe një herë të vetme, të rrijë njëzet e katër orë pa kondicioner të hapur në shtëpi, në zyrë e në makinë, në mënyrë që ta vërë veten në vendin e atyre shqiptareve e shqiptarëve që, në kulmin e vapës përvëluese, rraskapiten për të (mbi)jetuar dhe të cilëve kjo vapë ua shton bujarisht rraskapitjen.

Nëse po, a i ka lindur ndonjëherë ideja t’u sugjerojë (jo t’u imponojë, kurrsesi) anëtarëve të qeverisë që ta bëjnë një eksperiment të tillë kur vërshon vapa në Tiranë? Përse kështu? Mund të pyesë ndokush. Thjesht fare: që t’u shtohet sadopak empatia, pra dhembshuria, për bashkatdhetarët, e bashkatdhetarët e tyre viktima të vapës vrastare të çdo vere. Ose, të paktën, a u ka sugjeruar që kur dalin nga shtëpia për të shkuar në ministritë përkatëse, të ecin në këmbë ose me biçikletë, siç ecte vetë ai vite më parë, kur u bë ministër i Kulturës, madje aq shpejt saqë rojet e tij ankoheshin se mezi arrinin ta ndiqnin për ta shoqëruar (dhe, eventualisht, për ta mbrojtur) deri sa të hynte në zyrë./Panorama

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com