Mirëqenie

July 17, 2018 | 9:20

Nga Elidona Lamnica / Psikologu, një profesion hyjnor

Psikologjia dhe psikologu. Unë kam bindjen se psikologu është një fjalë dhe një profesion hyjnor. Por sa njerëz apo personalitete që na qeverisin ne e kuptojnë rolin e psikologut? Për të mos folur se sa prioritet po i japin?! Unë vendosa të shkruaj këtë artikull për të ndërgjegjësuar çdo njeri që jeton në vendin tim. Por më besoni, nuk më bëjnë duart të shkruaj. Nuk di çfarë të ndaj me ju më parë, sepse kam aq shumë gjëra që dëshiroj t’ju bëj me dije. Së pari, vendosa të studioj psikologji që të njoh më mirë veten dhe të tjerët. Gjithashtu, që të shëroj veten dhe të shëroj sa më shumë njerëz që të mundem. Sot e di se ky është misioni im!

Nga Elidona Lamnica Psikologe shkollore

Nga Elidona Lamnica
Psikologe shkollore

Me anë të të kuptuarit dhe të “empatisë”, pra të ndjerit e dhimbjes që përjeton një individ unë mund të ndikoj në përmirësimin e gjendjes së tij mendore, emocionale dhe shpirtërore. Por edhe në përmirësimin e simptomave fiziologjike. Ju do pyesni si mundet të arrihet kjo? Do t’jua tregoj me fakte! Sapo nisa vitin e parë të studimeve, i them një shoqes time të gjimnazit, e cila fitoi degën e mjekësisë.

E di! Unë dhe ti kemi diçka të ngjashme në degët që po studiojmë. Ti shëron njeriun në aspektin fizik, unë e shëroj për sa i takon anës mendore dhe psikologjike, emocionale. Por më vonë e kuptova se 70-90% e sëmundjeve tona fiziologjike realisht janë thjesht psikologjike, vijnë nga mendja. Nga pasiguria, frika që kemi për jetën, nga streset dhe vështirësitë që hasim në realitetin e përditshëm. Por që herët e ndjeva rëndësinë e çmuar që ka profesioni im. Ai shëron dhe shpëton jetën e njerëzve. Unë mund të bëj një individ të ketë vlerësim më të lartë për veten e tij. 

psikologji12Të besoj se ai ka aftësinë të përballojë çdo situatë dhe të arrijë çfarë ai i vë vetes qëllim. Po ashtu mund ta ndërgjegjësoj se ai ka mundësi, por edhe detyrim që të shfrytëzojë maksimalisht potencialin e tij dhe t’u vij në ndihmë dhe të tjerëve. Por ajo çfarë ka rëndësi të kuptojmë është fakti se sa i zbatuar rezulton roli i psikologut në vendin tonë, në jetën tonë dhe kryesisht në jetën e të rinjve, nëpër shkolla. Ndjej dhimbje të them se është kaq pak apo aspak i gjallë “psikologu” në vendin tonë. Pavarësisht se po jetojmë në “shekullin e depresionit”. Kudo nëpër botë po përhapet psikologjia pozitive, motivuese, ndërkohë, ne jemi larg këtij koncepti! Jemi mësuar të jemi të nënshtruar!

Psikologun dhe shumë profesionistë të tjerë po i vret qeveria. Ajo që është, ajo që ka kaluar, pa dallim. Sepse nuk po i respekton! Nuk po u jep vlerën as vendin që ata meritojnë. Po i dëbon nga ky vend, po si mundet që një psikolog të jetë në mbikëqyrje të 3-4 apo 5 shkollave me mbi 1500 nxënës secila, plot problematika. Praktikisht çdo shkollë ka vetëm një çerek psikolog. Kuptohet, ai nuk ka kohë as mundësi të bëjë asgjë, në këtë kohë të limituar! Ju lutem qeveritarë, drejtorë, psikologë, mësues, nxënës kërkoni respekt për veten. Tregoni respekt për rolin dhe shërbimin e psikologut.

Tani është momenti ku më së shumti ne kemi nevojë të orientohemi nga psikologjia, kryesisht ajo pozitive që ne të mund të shpëtojmë mendjen nga “çmenduritë” e kohës. Më besoni t’ju them se pikërisht psikologjia dhe mendimi pozitiv çdo ditë e pothuajse në çdo moment më ka falur qetësi, më ka shtuar besimin dhe kam qenë fizikisht për mrekulli. Në një moment ndala të mendoj si ka mundësi që po ndjehem kaq mirë, sepse nuk kam shumë gjëra për të cilat kam nevojë. Përgjigjja ishte brenda meje dhe shumë e qartë. Unë kisha kontroll mbi mendjen time. Unë kisha besim në vete dhe mundësitë që do kisha, nëse do punoja pa ndërprerje. Unë kisha larguar mendimet negative dhe kufizimet, që shumë njerëz në fakt nuk munden, sepse unë e dija se gjërat ndodhin dy herë në jetën tonë: një herë në mendje dhe një herë në realitet. Unë kam mbjellë fara dhe besim në mendjen time; po pres të korr frytet; po pres gjithashtu me besim se ne të gjithë së bashku mund ta përmirësojmë situatën tonë psikologjike; duke kuptuar se kemi nevojë për psikologë; duke hequr dorë nga paragjykimi që nuk jemi “të çmendur apo të dobët”; duke kuptuar vlerën e çmuar që ka në vetvete psikologu.

Çdokush ka nevojë për psikolog. Veçanërisht të rinjtë. Prindërit nuk i kuptojnë dhe nuk i mbështesin fëmijët kur ata kanë nevojë. Mësuesit kanë ngarkesë dhe ndoshta nuk kanë formimin e duhur për t’iu ardhur në ndihmë atyre. Si përfundim, fëmijët mbeten të braktisur në udhëkryq. Madje, ata kritikohen e gjykohen vazhdimisht. Nuk mund të perceptohet dot kjo mos vëmendje ndaj tyre. Fundja duhet kuptuar se, fëmija është pasqyrë e prindit dhe e formimit nga mësuesi në më të shumtën e rasteve. Prandaj duhet trajtuar me kujdes dhe respekt çdo fëmijë. Është kaq jetik roli dhe prania e psikologut në jetën e fëmijëve. Po ashtu, konsultimi specifik në momentin kur ata zgjedhin se çfarë duan të studiojnë në fakultet.

Unë jam në shërbim të çdo të riu dhe individi që është i gatshëm të përmirësojë veten. Po ju a jeni gati për të marrë këtë shërbim? Po ju institucione arsimore a jeni të vetëdijshëm për nevojat që ka shoqëria jonë, për ekspert të shëndetit mendor? A jeni gati t’ju jepni vendin që meritojnë psikologët në vendin tonë? T’i kushtoni vëmendje mirëqenies së popullit tuaj. Tek e fundit, për këtë motiv jeni në atë detyrë dhe jo për interesa personale dhe në dëm të popullit që u ka dhënë atë pozicion. Me besim se 2018 do të sjellë ndërgjegjësim dhe efektivitet më të madh në fushën e psikologjisë, po e mbyll këtë shkrim.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top