Mirëqenie

March 23, 2018 | 13:42

Nga Elidona Lamnica / Të gjejmë harmoni me gjëra të thjeshta!

Themi se jemi ajo çfarë hamë. Gjithashtu, jemi ajo çfarë mendojmë. Janë mendimet tona që bëhen realitet. Çfarë mbjellim atë dhe do të korrim, nëse zgjedhim të ushqehemi me mendim pozitiv, me optimizëm. Nëse pranojmë këtë stil jetese, në vend që të ankohemi më kot dhe të presim që gjërat të ndodhin vetë apo dikush tjetër t’i bëjë për ne, e kemi gabim, asgjë nuk fitojmë. Kështu jemi të dështuar që në nisje. Ne duhet të pyesim veten çfarë duam. Kur e kuptojmë këtë duhet ta dëshirojmë fort atë gjë. Duhet të jetojmë për ta realizuar atë.

Nga Elidona Lamnica Psikologe shkollore

Nga Elidona Lamnica
Psikologe shkollore

Të besojmë ne vetë se kemi kapacitetin e duhur, se mund ta realizojmë më së miri atë që duam apo qëllimin që i keni vënë vetes. Duhet po ashtu të veprojmë për ta realizuar. Por mbi të gjitha, hapi i fundit është këmbëngulja. Nuk duhet të heqim dorë, deri sa të arrijmë suksesin, sepse fitorja ka dy aspekte: guximin për të ndërmarrë një veprim dhe këmbënguljen për t’i shkuar deri në fund, derisa të fitojmë. Këto janë hapat që na çojnë në sukses.

Asgjë nuk është e thjeshtë, por asgjë nuk është as e pamundur. Me punë arrihet çdo gjë, jo me fat. Fati mund të japë një mundësi, por duhet ta përdorësh mirë atë, duhet ta ushqesh për të arritur fitore.

Të duket impenjative kjo mënyrë të menduari apo të vepruari? Ta bëjmë më të thjeshtë. Si mund të arrijmë në harmoni në këto ditë apo situata tejet të vështira, stresuese dhe kaotike? Çfarë shprehjesh! Nuk më pëlqejnë aspak. Më bëjnë të ndihem keq. I kam larguar nga fjalori im tashmë. Dhe ndihem në paqe.

Këtë bëni dhe ju. Së pari, zgjidhni fjalët që flisni. Perceptoni realitetin pozitivisht, duke parë më të mirën. Mos harroni perceptimin, i cili ka më shumë rëndësi sesa realiteti në vetvete. Kujtoni se përdorimi i fjalëve pozitive vibron dhe ju jep energji të mirë dhe harmoni. Këtë përcilleni edhe tek të tjerët.

Hapi tjetër është: zgjidhni miqtë me të cilët shoqëroheni. Ne jemi mesatarja e pesë personave me të cilët rrimë. Ne bëhemi si personat me të cilët qëndrojmë. Zgjidhni njerëz pozitivë dhe të zgjuar, më të mirë apo aq të mirë sa vetja, që të jetoni në harmoni dhe të keni sukses.

Çfarë tjetër na jep paqe? Leximi. Po, është terapi më vete. Arti, piktura, shkrimi dhe leximi ju largojnë nga kaosi. Zgjidh çfarë ju pëlqen më shumë dhe atë përqafoni! Do shihni se këto forma do t’ju shërojnë. Leximi të mëson të flasësh mirë, të njohësh veten, tjetrin. Zbulon ide të reja që mund t’i realizoni dhe ju. Leximi i librave pozitivë, motivues, të transformon jetën, duke ju bërë të zhvendosni idetë dhe qëndrimet e gabuara, të cilat nuk ju çojnë asgjëkund.

Nëse do të arrini diçka që s’e keni pasur asnjëherë, duhet të bëni diçka që s’e keni bërë asnjëherë. Nëse nuk e pëlqeni leximin, ndryshoni sjellje. Niseni nga këtu dhe shikoni përmirësimin. Nuk mund të prisni që të mirat të ndodhin nëse nuk punoni për to. Mos prisni gjëra të mira, duke pasur sjellje të gabuar. Nëse silleni si çdo herë tjetër, do fitoni që të keni fituar gjithnjë, mendime negative dhe jetë frustuese.

Ju e keni në dorë harmoninë tuaj!

Nëse keni miq që ju bëjnë të ndiheni keq, largohuni prej tyre. Nëse keni një punë që nuk ju pëlqen, hiqni dorë. Gjeni punën që dëshironi! Jeta është e shkurtër për të bërë gjëra që nuk i doni e nuk ju falin harmoni. Dhurojini vetes ditë të bukura. Ndihuni mirë dhe pa arsye të mëdha. Jini falënderues për shëndetin, familjen, shtëpinë, shkollën. Shijoni ata pak miq që keni, por që janë miqtë tuaj të vërtetë, mos kërkoni më tepër dhe mos u ankoni.

Asgjë nuk mund të vijë, nëse nuk dini të jeni mirënjohës për atë që keni. Por nëse vlerësoni edhe gjërat e vogla që ka universi apo Zoti, ato do të sjellin më shumë begati tek ju. Natyra i do mirënjohësit dhe ata që përpiqen për të pasur begati në jetë. “Nëse ti dëshiron diçka, universi punon për të realizuar dëshirën tënde” thotë Paulo Coelho. Besoni, kështu ndodh. Universi ka plot, por ne duhet të dimë me saktësi çfarë duam. Duam miq më të mirë, punë më të mirë.

Më lejoni t’ju sugjeroj se për këtë duhet punë dhe punë e vazhdueshme. Me pasion dhe këmbëngulje mund të arrini gjithçka. Niseni me këtë rrugën tuaj drejt harmonisë dhe transformimit.

Lexoni këta tri libra të mrekullueshëm: “The secret” nga Rohnda Byrne, “Alkimisti” nga Paolo Coelho, “Intuita” nga Osho; dhe në fund do të më jepni të drejtë. Por nga do ta dini, nëse kam të drejtë apo jo? Nga do e dini që ka rezultat të mirë, nëse nuk e provoni? Mos neglizhoni. Filloni tani të bëni këto gjëra të vogla, gjëra të mira për veten tuaj.

Përmirësoni mendimet. Zgjidhini miqtë. Lexoni libra të mirë. Bëhuni të virtytshëm. Jini shembull për të tjerët dhe mos ndiqni shembullin e turmës!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 12o

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top