Mirëqenie

October 2, 2017 | 10:51

Nga Elsona Tollumi: Pse duhet të zgjedhim produkte BIO dhe si të sigurohemi që janë vërtet të tillë?!

Natyra është dimensioni unik që na bën ta jetojmë jetën me të gjitha të mirat e saj, duke nisur që nga oksigjeni e bimësia, të cilat kanë rol të pazëvendësueshëm në mirëqenien e njeriut. Kësaj njerëzimi nuk i është shmangur asnjëherë, por përkundër evoluimit të teknologjisë, shkencës, etj, është përpjekur t’i përqafojë, risi të cilat në kohë janë rezultateve, por që kanë efekte anësore më pas. Elsona Tollumi, një farmaciste e brezit të ri, bazuar në dijet e saj na këshillon mes disa arsyesh, të mirat e përftuara nga natyra. Ja si e sjell në këndvështrimin e saj farmacinë BIO, në të mirë të kujdesit estetik.

dsc_5014

Elsona Tollumi, 24 vjeçe, studente e degës “Mjekësi e kirurgji”

Përballja dita-ditës e gjithnjë e shumë me anët negative që sjell përdorimi i kimikateve, përbërësve sintetikë në organizmin tonë, duket se po i drejton njerëzit drejt produkteve bimore, organike. Ata kërkojnë më tepër informacion rreth produkteve që zgjedhin, duke i bërë më të vetëdijshëm se kura më e mirë vjen nga vetë natyra.

Ajnshtajn ka thënë se çfarëdolloj gjëje që mund të imagjinosh, natyra e ka krijuar tashmë! Dhe në fakt ajo çfarë ka realizuar njeriu është vetëm  kombinimi i elementëve të natyrës falë njohjes së vetive përkatëse që kanë. Sot gjithnjë e më shpesh na bëhet thirrje për ta jetuar jetën BIO, për të përqafuar natyrën, për t’u bërë selektivë në zgjedhjen e produkteve që i shërbejmë vetes e njerëzve tanë të dashur.

Zgjedhja e produkteve BIO për trajtim të jashtëm të trupit është po aq e rëndësishme sa zgjedhja e produkteve ushqimore, pasi lëkura është organi ynë më i madh dhe e para barrierë mbrojtëse për organizmin tonë.

Çfarëdolloj produkti që ne përdorim, pa diskutim kalon barrierën hidrolipidike dhe fut në qelizë përbërësit aktivë. Pra, vërtet produktet kozmetike nuk i konsumojmë si produkt ushqimor, ama futen në organizmin tonë dhe ndërlidhen sikurse ushqyesit. Prandaj duhet të kujdesemi që të mos përmbajnë përbërës të dëmshëm sintetikë, petrolate, parabenë, konservues sintetikë, ngjyrues sintetik, metale të rënda, parafinë, pasi është vërejtur se këto elementë lidhen ngushtësisht me problem të ndryshme shëndetësore. Duke filluar nga efekti më i lehtë që kanë, e që është bllokimi i poreve, papastërti, inflamacion, e deri te efekti më i rëndë, ku shfaqen vetitë karcinogjene.

Por, zgjedhja e një produkti bimor ju mban të sigurt larg këtyre rreziqeve.

Pa u ndalur këtu, e duke u treguar më largpamës, vlen të përmendim të mirën tjetër që kanë produktet bimore, që është mbrojtja e ambientit.

Produktet sintetike e dëmtojnë ambientin, pasi nuk arrihen të dekompozohen lehtësisht, shkaktojnë ndotje dhe favorizojnë prishjen e ekosistemeve të gjallesave të ndryshme. Ndërkohë, duke përdorur produkte natyrale, ne jo vetëm mbrojmë vetën, por edhe ambientin, dhe gjallesat, për sa kohë nuk përdorim derivate kimike e pesticide.

Ama, sërish duhet të ndalemi të theksojmë se, edhe produktet bimore për të qenë vërtet të tilla e cilësore duhet të përmbushin disa standarde që përcaktohen nga ente rregullatore të kontrollit të cilësisë së produkteve e mbrojtjes së konsumatorit, të cilët i vendosin prodhuesit disa detyrime, për të zgjedhur lëndë të parë prodhimi të sigurtë, për krijimin e kushteve laboratorike, për testimin paraprak të produkteve dhe në fund obligimin e vendosjes së përbërësve kozmetik në emërtimin ndërkombëtar sipas radhës e sasisë që janë  përdorur në produkt.

dsc_5005Në Shqipëri kanë të drejtën e veprimit 8 ente certifikues, pra njihet vlerësimi i dhënë nga këto ente, nga të cilët 7 janë të huaja e 1 është shqiptare, por të gjitha janë të standardeve europiane dhe veprojnë sipas rregullave të Bashkimit Europian për dhënien e certifikimit.

  • Ne ju sugjerojmë që kur të zgjidhni një produkt, sigurohuni të njihni certifikimin, pasi është vula e vetme që ju siguron se produkti është i shëndetshëm, se elementët janë pikërisht në përqindjen e shënuar në etiketë, apo nëse elementët përbërës janë vetëm ato që tregohen në etiketë.
  • Pas kësaj, sigurohuni të lexoni përbërësit, mos u mjaftoni me shkrimet e tipit “100% natyral”, por kontrolloni listën e përbërësve për t’u siguruar që nuk po blini një mashtrim.
  • Sigurohuni që jo vetëm të keni dëshirën për të blerë produkte të sigurta, të shëndetshme, natyrale, por që produkti të jetë realisht i tillë. Përdorimi i produkteve të tilla do ju sjellë përmirësim të dukshëm të kushteve tuaja fizike, por edhe psikologjike.

Rezultatet e produkteve organike janë gjithnjë pozitive, por mund të jenë të ngadalta, ndërkohë rezultatet e produkteve me përbërës sintetikë nuk janë veçse ato që në mjekësi i quajmë “false pozitive” që janë vetëm të përkohshme e që shoqërohen me efekte anësore që dëmtojnë shëndetin.

Përdorimi i produkteve organike është shëndet!

Përdorimi i produkteve organike është siguri!

Përdorimi i produkteve organike është edhe në modë!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top