Dëshmi

December 8, 2021 | 9:26

Nga ëndrra për futbollin te koktejet, i riu shqiptar që po korr sukses në Itali

Është vetëm 25 vjeç, gjysmën e të cilave e ka kaluar në Shqipëri e pjesën tjetër në Itali, por me vizion të qartë për jetën. I gatshëm të përshtatet me gjithçka, ashtu si i vjen dhe të marrë më të mirën prej saj.

bar man 1

Ky është Jurgen Hakani, barman i famshëm që jeton e punon në Itali. Por kur vjen puna për gara, ai di të prezantohet siç duhet: me shqiponjën dykrenore mbi supe. Në një intervistë për “Panorama”, i riu rrëfen përvojën e tij, nga ëndrra për futbollin tek ajo për koktejet. Sakrificat për ta zhvilluar më tej e përpjekjet për të ndihmuar sot ata që gjenden në të njëjtat pozita si ai përpara disa vitesh, kur nuk dinte asgjë.

Ndonëse i ri në moshë, Hakani është adaptuar më së miri edhe me kushtet e pandemisë, duke e shtypur pasionin e tij në një libër: “Nuk jam barman, por do bëhem”.  E përveç kësaj, lajmi i mirë është që vera do ta sjellë barmanin e famshëm të Italisë në rrënjët e tij, në Shqipëri, përmes një turi turistik me kokteje të miksuara me birrat më të mira në vend, “Birra Korça” dhe “Birra Tirana”.

Si nisi rrugëtimi yt drejt pasionit që është kthyer në profesionin tënd tanimë?

Jam Jurgen Hakani, 25 vjeç, jetoj në Itali që në moshën 13-vjeçare. Isha i vogël kur mora rrugët e kurbetit me familjen për një jetë më të mirë. Sot më njohin si një bartender, por kjo nuk ka qenë ëndrra ime më e madhe, ëndrra ime më e madhe ishte të bëhesha një futbollist dhe një ditë të luaja me nacionalen shqiptare. Sot them se nuk isha i talentuar, por nuk është e vërtetë. E vërteta është se nuk i jam përkushtuar 100% atij pasioni, për të realizuar ëndrrën time. Por, vitet kaluan dhe po mbaroja shkollën e lartë, e cila përpara se të të diplomojë, të dërgon të bësh eksperienca pune. Dhe unë shkova me një lokal shumë të vogël të një vendi gjithashtu tejet të vogël në Itali dhe aty filloi e gjitha. Tanimë gjëja që unë bëj, puna ime është pasioni im.

Thatë që pasioni juaj është puna që aktualisht bëni, praktikisht diçka që çdokush do ta dëshironte. Kur e kuptuat këtë?

Ditët e para, te lokali nuk ishin aq fantastike, madje me vete thashë: çfarë dua unë këtu?! Por pastaj, u ambientova dhe thashë që kjo punë mua më pëlqen. Isha në kontakt me njerëzit, bëja muhabet dhe me këdo që hynte në lokal mësoja diçka të re që ndodh edhe të hapin dyer të reja në jetë. Mbaj mend pas një javë e gjysmë punë, një person më kërkoi një koktej “negroni”. Unë u ktheva nga pronari i lokalit dhe i thashë: si bëhet një “negroni”?! Ai ma mësoi dhe pak nga pak kuptoja se tek unë po lindte një pasion i fshehur, të bëja kokteje. Për mua, një koktej nuk është thjesht një pije, por një poezi. E quaj poezi, sepse kam dëshirë që ai personi që vjen, qoftë edhe pesë minuta te lokali, të përjetojë një eksperiencë të bukur dhe ato minuta që ka, t’i harrojë të gjitha dhe të mos mendojë për problemet a hallet që ka në jetë.

Në kaq vite eksperiencë, çfarë mban mend nga rrugëtimi yt, diçka që ka shënjuar karrierën tënde?

Mbas disa vitesh që punova shumë, të ardhurat që kisha fituar i harxhova të gjitha duke bërë kurse e libra që më duheshin. Stërvitesha nga 3-4 orë në mëngjes dhe pasdite ikja në puna. Në vitin 2019, vendosa të bëhesha pjesë e një nga garave më të forta me 40 bartender-ët më të fortë në Europë dhe jashtë saj. Shkova me flamurin shqiptar. Megjithëse nuk dola i pari, u ndava me një rezultat shumë të mirë. Ajo çka është më e rëndësishme për mua është fakti se një flamur shqiptar po hipte me një kompeticion internacional, që në këtë profesion është e rrallë. Madje, organizuesi i eventit e vuri në dukje faktin që isha i pari shqiptar pjesëmarrës. Flamuri shqiptar mbi supe, për mua ishte emocion shumë i madh.

Çfarë cilësish duhet të ketë dikush që aspiron të bëhet si ti, një barman i suksesshëm, përveç pasionit?

Në çdo profesion mendoj se duhen pasur parasysh vetëm dy fjalë: punë dhe vullnet. Po i pate këto të dyja, besoj se arrin ku të duash. Kur unë i kam hyrë këtij rrugëtimi nuk dija asgjë e as nuk kisha asgjë. Thjesht punova dhe paratë që merrja mbrapsht i ktheja mbrapsht duke investuar për profesionin që sapo e kisha nisur. Fillova të stërvitesha madje edhe në garazh, vetëm me muzikë. Dhe rrija me orë të tëra, gjë që nuk ishte e thjesht. Shpesh shokët më merrnin në telefon për të dalë apo për të luajtur futboll, që ishte një nga ëndrrat e mia. Por unë i refuzoja, sepse ëndrra që erdhi më pas ishte shumë herë më e fortë. Shpesh ata më etiketonin me shaka “budalla”, por nuk kishte aspak problem për mua, sepse kisha një qëllim tjetër. Sot, pasi arrita qëllimin tim, marr veçse përgëzime nga ana e tyre.

Por ti ke arritur ta çosh më tej pasionin tënd për koktejet…

“Nuk jam barman, por do bëhem”. Ky është titulli i librit tim, që mund t’iu hyjë në punë atyre që duan të bëhen si unë. Prej tij, mund të marrë forcën e duhur. Librin fillova ta shkruaj në periudhën e karantinës, kur të gjithë njerëzit, në pamundësi për të dalë në jetë nate, kërkonin ta krijonin atë. Ata që më njihnim më kërkonin ndihmë se si të bëj një koktej, çfarë teknike të përdor e të tjera pyetje si këto. Aty mora shkas për të bërë një libër timin, pasi bëra disa kërkime nëse në Shqipëri kishte një libër që t’iu vinte në ndihmë dhe nuk gjeta asgjë. Më erdhi shumë keq për ata shqiptarë që do të donin të mësonin diçka mbi këtë fushë. Dhe aty mora indicie dhe thashë: do ta shkruaj unë librin e parë profesional në Shqipëri. Cilat janë karakteristikat për një bartender, teknikat, gotat, atrezaturat, koktejet internacionale, historinë, vendet më të rëndësishme, koktejet më të shitur e më të famshëm. Ai personi që do e blejë këtë libër në fund do të ketë një paketë të plotë njohurish, të cilat mund t’i shfrytëzojë duke punuar në të gjithë botën. Pra, që nga titulli i librit “Nuk jam barman, por do bëhem”, çdokush që ka pasion e vullnet, mundet.

Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

Viti 2022 po afron dhe do të jetë fantastik. Do të kemi një bashkëpunim me dy birrat më të mira shqiptare “Birrën Korça” dhe “Birrën Tirana”. Kur mendojmë për një birrë nuk mendojmë asnjëherë për një koktej, por unë kam shkuar më tej duke krijuar dhjetë kokteje me këto dy birra. Kur të gjithë shqiptarët anembanë botës vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet, ne kemi vendosur që t’ua bëjmë ato ditë edhe më të bukura. Do të bëjmë një tur në të gjitha qytetet e Shqipërisë ku do vendosim stendat tona me birrën tonë shqiptare me të cilën do të përgatisim kokteje verore, aq sa ata të mos pinë vetëm një, por dy, tri edhe katër kokteje dhe të mos e ndiejnë. Për shkak se janë të freskët, me pak alkool dhe me birrën më të mirë shqiptare, “Birra Tirana” e “Birra Korça”.

 

 

Burimi / PanoramaOnline

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top