Dëshmi

August 6, 2018 | 11:05

Nga Eriselda Ternova: Flamuri, 14-vjeçari me aftësi ndryshe që flet nëpërmjet ngjyrave

Nga Eriselda Ternova

Është vetëm 14 vjeç dhe duket mjaft i fortë dhe i vendosur në atë çka dëshiron në jetë. Njihuni me Flamurin, një djalë i talentuar në pikturë, nga fshati Gizavesh i Librazhdit. Deri më tani ai ka arritur të hapë dy ekspozita me pikturat e tij. Njëra prej tyre u realizua pranë ambienteve të “SHMB” Dorëz dhe tjetra në qytetin e Librazhdit.

librazhdTeksa e kam përballë, e ka shumë të vështirë të komunikojë me mua, por mungesa e fjalëve nuk e zbeh aspak talentin me ngjyrat. Gjatë rrugës për te shtëpia, ku na priste nëna e tij për të na treguar historinë e trishtë dhe njëkohësisht të bukur të Flamurit, gjestet që e shoqëronin Flamurin ishin të larmishme. Ajri i ngrohtë dhe mikpritës ndihej deri tek porta e shtëpisë. Nëna e tij priste në pragun e derës mbërritjen tonë. Sapo arritëm, u akomoduam në dhomën e ndenjes.

Gjithçka nisi në vitin 2004 kur Flamuri vjen në jetë. Ishim shumë të lumtur për ardhjen e tij. Çdo gjë shkonte për së mbari deri kur Flamuri mbushi 2 vjeç”- tregon nëna e tij me lot në sy.

Pikërisht në këtë kohë, familjen e tij e pushtoi një brengë e pashpjegueshme. Ata vunë re se diçka nuk shkonte me të. Ata i flisnin, e përkëdhelnin, por ai nuk i përgjigjej në asnjë moment. Brenga e tyre filloi të bëhej akoma edhe më e madhe. Kështu që ata vendosën ta kontrollonin tek mjeku pediatër për të mësuar se çfarë nuk shkonte siç duhet me të. Pas shumë vizitave, netëve pa gjumë dhe vajtjeve nëpër dyert e spitalit, pediatri u bën të ditur prindërve se Flamuri i vogël nuk do të mund te fliste dhe të dëgjonte asnjëherë në jetën e tij. Pavarësisht se kjo gjë i ligështoi shumë prindërit dhe familjen e Flamurit, ata u bënë akoma edhe më të bashkuar me njëri-tjetrin duke u bërë forcë për çdo anëtar të familjes.

Vitet kalonin pa kuptuar dhe Flamuri rritej dita-ditës duke e mbushur familjen plot me gëzim.

Në vitin 2010 Flamuri ulet për herë të parë në bankat e shkollës për të marrë dije që do t’i shërbenin për të ardhmen. Ambientimi i tij me shkollën nuk ishte aspak i vështirë. Atje ai gjeti miqësinë dhe ngrohtësinë që kishte nevojë. Filloi të njohë një jetë ndryshe nga ajo brenda katër mureve të shtëpisë. Filloi të mësohet me botën e jashtme e të shohë se sa bukur e kishte krijuar Zoti natyrën.

Çdo ditë në shkollë ishte e veçantë për të. Ai luante dhe gëzonte me shokët e tij. Ditët e para komunikimi me shokët ishte paksa i vështirë, por në ditët pasuese ata kuptoheshin me njëri-tjetrin nëpërmjet shenjave, mimikave dhe gjesteve të ndryshme. Lumturinë që ndjente e tregonte nëpërmjet buzëqeshjeve që shkëlqenin në fytyrën e tij, dashurinë, nëpërmjet përqafimeve të panumërta që i falnin njëri-tjetrit në klasën ku ai ishte pjesë.

Flamuri nuk ndjehej për asnjë çast ndryshe në klasën e tij. Ai ndihej një me ta dhe kjo ia shtonte më shumë buzëqeshjet në fytyrën e çiltër. Një mbështetje të madhe ai e gjente dhe nga mësuesi i tij kujdestar, i cili ishte dhe zbuluesi i talentit të tij të veçantë.

Një ditë të bukur dimri, ku dielli kishte zënë vend në dritaren e klasës së Flamurit, profesori futet në klasë me disa fleta të bardha dhe lapsa shumëngjyrëshe ku sinjalizoi se tashmë zilja kishte rënë për orën e vizatimit. Secili mori nga një fletë. Flamuri i ulur në bankën e parafundit nis të pikturojë, duke u futur në brendësi të pikturës.

Vizatimi i tij ishte mahnitës. Një pamje piktoreske kishte zënë rrënjë në fletën e bardhë të Flamurit. Në atë vizatim ishte pikturuar një vend i gjelbëruar me pemë të larta dhe një diell i fortë që shkëlqente. Ishte një pikturë shumë shpresëdhënëse, një pikturë që tregonte shumë mirë se asnjëherë nuk duhet t’i dorëzohemi jetës, por t’i bëjmë ballë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Duke hedhur sytë nga fleta e Flamurit, mësuesi habitet me atë çfarë i kishin zbuluar sytë. U mahnit nga talenti i tij. U mahnit nga mënyra se sa bukur i kishte kombinuar ngjyrat me njëra-tjetrën.

lapsa1Çdo ditë që kalonte sa vinte e bëhej edhe më frytdhënëse për Flamurin dhe për pikturat që ai hidhte në telajo.

Në shkollën ku ai shkon, të gjithë krenohen me veçantinë dhe vizionin e madh që ai ka për të ardhmen. Prindërit gjithashtu krenohen me gëzimin e familjes së tyre. Muret e shtëpisë së familjes tashmë janë të mbuluara nga pikturat e Flamurit. Secila prej tyre përcjell një ndjesi te veçantë.

Flamuri pjesën më të madhe të kohës e kalon duke pikturuar. Pikturat që ai bën janë rrëqethëse dhe me të vërtetë tregojnë dhe shprehin mjaft mirë atë çka ai ndjen në shpirt e që nuk mundet dot ta shprehë nëpërmjet fjalëve. Që nga dita e lindjes së tij e deri më sot kanë kaluar 14 vite plot ngjyra me gjallëri dhe falë këtyre ngjyrave ai vazhdon të qëndrojë i fortë përballë jetës. Njësoj si ditën e parë kur u bë pjesë e saj.

Ekspozitat që ai bëri e bënë atë shumë të njohur në të gjithë qytetin e Librazhdit. Në ekspozitën e tij të parë, të cilën e bëri pranë ShMB “Shefqet Dosku” Dorëz, ai ekspozoi 40 piktura. Për realizimin e kësaj ekspozite ndihmoi shumë drejtoria e shkollës dhe disa aktorë të tjerë të komunitetit. Pjesëmarrja ishte e kënaqshme dhe me anë të humanizmit që treguan secila klasë e kësaj shkolle, mësuesit dhe pjesëmarrësit e tjerë, arritën të shiteshin pjesa më e madhe e pikturave. Flamuri shprehej nëpërmjet gjesteve se ndihej shumë i kënaqur dhe mirënjohës për përkrahjen dhe mbështetjen e dhënë.

Nuk kaloi shumë kohë kur Flamuri mori lajmin e gëzueshëm që Bashkia e Librazhdit kishte dhënë miratimin që ai të hapte ekspozitën e tij të dytë në qytet. Emocionet e tij ishin shumë më të mëdha. Shoqërimi i tij u bë nga familja dhe disa pjesëtarë të stafit të World Vision, që ishte një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të këtij organizimi. Pjesëmarrja ishte akoma edhe më e madhe. Emocionet kishin pushtuar të gjithë qenien e Flamurit. Pikturat ishin të reja dhe me motive ndryshe nga ato të parat. Ekspozita e dyte shkoi shumë mirë. Për të World Vision kishte përgatitur një dhuratë simbolike. Kjo gjë bëri që ai të ndihej i vlerësuar për punën që kishte realizuar.

Mbyllja e këtyre dy ekspozitave me sukses nuk shënojnë fundin e sukseseve të talentit të tij. Përkundrazi, ai vazhdon të pikturojë çdo ditë me përkushtimin më të madh në mënyrë që suksese të tjera ta mbushin jetën e tij dhe të familjes me gëzime. Jeta e vuri përballë shumë peripecive, por ai arriti t’i bëjë ballë mjaft mirë.

Talenti dhe vullneti që e karakterizojnë Flamurin janë bërë shtysë që ai të ngjitet në shkallët më të larta që jeta i ofron. Me shpirtin krijues dhe instinktin e një djali të guximshëm, Flamuri na shpreh nëpërmjet pikturave të tij që duhet të kemi më tepër vullnet për jetën dhe të mos i trembemi asaj, pasi vullneti, dëshira dhe guximi janë çelësi i suksesit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top