Në fokus

August 18, 2020 | 8:04

Nga Ervisa Lula / Këmbëngulja… Roli i saj në arritjen e suksesit

Që nga çastet e para kur një fëmijë vjen në jetë, ajo që nëna si kujdestari primar i tij dhe babai bashkë me të gjithë të tjerët, përpiqen fort t’i sigurojnë një mjedis ku ai të rritet sa më i shëndetshëm. Megjithatë, ata e kanë të qartë se rritja që vlen po aq sa gjithë aspektet e tjera është personaliteti. Një nga tiparet e tij është këmbëngulja. Teksa fëmija përpiqet të belbëzojë edhe të thotë fjalët e para, prindërit e stimulojnë atë duke insistuar që të arrijë deri në fund të thotë fjalën e plotë. Nëse ai e bën këtë, me siguri e pret një përqafim dhe gjithçka ai dëshiron.

Ervisa Lula, Psikologe Organizative

Duke parë përpjekjet krejt të natyrshme që fëmija bën për t’u ngritur në këmbë, prindërit janë aty për t’i thënë “bravooo, ec edhe pak, edhe pak, shiko çfarë do të jap nëse vjen këtu”. Nëse ai arrin rezultatin e duhur, pra nuk zvarritet këmbaduar më, por ecën vetë ajo që e pret është padyshim shpërblimi, i cili merret në forma nga më të ndryshmet, përmes dhënies së një çokollate, përmes dhënies së një lodre apo përmes diçkaje tjetër që fëmija në rastin konkret e do vërtet shumë.

Në thelb, të gjitha këto sjellje japin të njëjtin mesazh, duhet të përpiqemi edhe më shumë, me këmbëngulje do të arrijmë atë që duam. Ky mësim, i cili gjenezën e ka që në hapat e parë të jetës, na shoqëron deri në fund edhe atëherë kur na duhet të luftojmë fort, për të arritur qëllime akoma më të mëdha. Kur dikush dëshiron të arrijë diçka më shumë dhe për ta arritur atë i duhet të ndryshojë, por kjo i duket e vështirë madje e pamundur, ne i japim zemër dhe kurajo duke i thënë “do t’ia dalësh, me këmbëngulje mund të arrish gjithçka”. Por çfarë është këmbëngulja dhe si e arrijmë atë?

Këmbëngulja është ai tipar i personalitetit i cili na bën të suksesshëm. Ajo na ndihmon të realizojmë qëllimet tona e të mos heqim dorë. Ndaj si fillim na duhet të përcaktojmë një qëllim që duam të arrijmë. Që të luftojmë fort për arritjen e tij duhet të kemi së pari dëshirën për ta bërë këtë gjë dhe shum besim në vete. Më pas na duhet një plan i mirëpërcaktuar se si do të mbërrijmë deri në fund, na duhet korrektësi dhe shumë vullnet dhe e gjitha kjo të vijë së brendshmi si një proces që kryhet me natyrshmëri të plotë.

Të gjithë këta elementë të këmbënguljes na bëjnë që në fund të së gjithës, të zotërojmë çelësin e suksesit dhe të themi “po, ia dola të përmirësoj rezultatet në shkollë, arrita të kem trupin e dëshiruar, arrita që përmes këmbënguljes me ndryshimin e sjelljes sime të fitoja vendin e punës që dëshiroja”. Nëse një person që vuan nga obeziteti ndryshon sjelljen e tij, mban një regjim të caktuar ushqimor dhe fillon palestrën, padyshim që ka nevojë për këmbëngulje, ndryshe s’e çon dot deri në fund ndryshimin. Pasi ia del dhe sheh veten në pasqyrë të ndryshuar, atëherë patjetër që ky është shpërblimi më i mirë që mund të merrte.

Shembuj të tillë gjejmë pafund në të gjitha fushat, në sport, në art, në biznes, në fushën akademike etj. Dikush që ka ëndërr të bëhet artist, por shpenzon kohën më të madhe, duke u argëtuar vjen një moment që e kupton se nuk do arrijë dot atje ku do. Vetëm ndryshimi i sjelljes përmes këmbënguljes, duke studiuar shumë çdo ditë dhe duke u ushtruar, mund t’ia bëjë ëndrrën realitet.

Dikush që ndihet i trishtuar dhe do ta ndryshojë jetën e tij, zgjedh të shkojë në terapi. Nëse e bën këtë gjë vetëm një herë, me siguri asgjë s’ka ndryshuar, nëse nuk ndryshon asgjë nga rutina e tij, padiskutim që do të vijojë e njëjta situatë. Është këmbëngulja që e bën t’i ndjekë deri në fund seancat e më pas të marrë ndryshimin e shpërblimin aq shumë të dëshiruar. Askush nga ata që kanë bër histori nuk do të bëheshin dot të tillë nëse nuk do të ishin këmbëngulës e nëse do të dorëzoheshin pas çdo dështimi.

Duhet të kuptojmë se këmbëngulja dhe vetëvlerësimi janë thellësisht të lidhur me njëri-tjetrin. Nuk mund të mendojmë ndërtimin e një raporti të ri dhe të ndryshëm me të tjerët pa e bërë këtë gjë më parë me veten. Ky është një cikël që vazhdon për të mos përfunduar kurrë, deri në ditën e fundit kur të mos jemi më.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top