Lifestyle

December 19, 2018 | 8:10

Nga Ferdinand Hysi: Një udhëtim në Zagreb me shoqatën teatrore shqiptare “Mërgimtari”

Ferdinand Hysi – dramaturg

Ferdinand Hysi – dramaturg

Këto dy pak rreshta vendosa t’i shkruaja që në kthimin tim nga Zagrebi, duke qenë akoma me emocionet e atyre ditëve bashkë me rastin e vënies në skenë të dramës time “Tri mendje në ankand” në gjuhën kroate, nga Shoqata Teatrore Shqiptare “Mërgimtari”. Por duke qenë se shfaqjet do vazhdonin dhe në një turne në disa qytete të ndryshme të Kroacisë, për t’u rikthyer dhe një herë në Zagreb dhe natyrisht dhe në pritje të ecurisë së tyre, po i hedh tani ato pak fjalë që e ndjeja se duhej t’i shprehja për këto emocione personale nga ky udhëtim i bukur!

Që në fillim dua të them, që përshtypjet i mija i seleksionova në tri drejtime.

-I pari, për Zagrebin, por dhe aq sa pashë nga Kroacia (hera e parë që shkoja).

-I dyti, për vënien në skenë të dramës time në Kroaci (hera e parë që vihej në gjuhë të huaj).

-I treti, takimi me ata njerëz të mrekullueshëm që ishin pjesë e kësaj vënieje në skenë dhe veçanërisht njohja me pjesën njerëzore të asaj shoqate me emrin e bukur MËRGIMTARI, dhe që në themel të saj kishte togfjalëshin “Shoqatë teatrore shqiptare”.

7Ndërsa për dy drejtimet e para do ndalem pak, sepse për Zagrebin e Kroacinë, besoj nuk do them ndonjë gjë më shumë se sa kanë thënë të tjerët, ndërsa për shfaqjen në Kroaci të dramës, u takon më shumë të flasin ata vetë dhe kritika atje, për synimin e tretë për këtë shkrim do ndalem pak më gjatë, sepse ishte perceptimi im real nga aq sa pashë dhe kontaktova ato ditë të bukura me ta.

ZAGREBI. Me aq pak sa ndenja, natyrisht që nuk mund të them se kam parë shumë. Po kështu çdo qytet që e sheh për herë të parë, të lë përshtypjet e tija. E shtuar kjo dhe me vetë vlerësimin që i bënin ata me të cilët isha ato ditë, kur jo pa krenari, të thoshin se të huajt e quajnë Zagrebin “Vjena e Ballkanit”, mund të them se me të vërtetë ishte një qytet që të linte mbresa. Natyrisht do e zmadhoja të thosha më i bukuri që kam parë. Kam parë disa të tillë (Dhe vetë Vjenën) dhe çdo qytet ka të veçantat e veta, por ajo që unë doja të thosha në këtë shkrim, ishin disa përshtypje të lindura nga emocione të veçanta, nga një njeri që vinte nga një vend i Ballkanit, në një kryeqytet të një shteti po të Ballkanit, pra jo shumë larg. Dhe pikërisht këto i mendoja gjatë udhëtimit tim të kthimit për në Itali (nga ku dhe u nisa aktualisht), i bërë me autobus, ku m’u dha rasti të kaloja natën dhe nëpërmjet Sllovenisë, në Lubjanë. Dy gjëra do veçoja, dy gjëra për të cilat edhe i admirova, por i prekur, u ndjeva dhe keq, kur mendoja se ishin pikërisht disa ndryshime thelbësore me Tiranën time, që gjeografikisht, por dhe gjeo-politikisht nuk janë dhe aq larg.

Së pari, sistemi i rrugëve, transporti urban, semaforët dhe njerëzit që ecnin nëpër rrugë, ishte gjithçka brenda një sistemi të thënë më troç, shtet dhe rregull. Shenjtëria e respektimit të semaforëve dhe e rregullave të qarkullimit, edhe në një rrugë dytësore nuk krahasohej në asnjë nivel me rrugën kryesore hyrëse në Tiranë (që nuk e di pse i themi autostrada Tiranë-Durrës). Sepse ne kemi vite që themi që duam të shkojmë në Evropë, por Evropa ishte aty disa km nga kufiri ynë, jo larg. Stacioni qendror i autobusëve, ku vinin linja nga e gjithë Evropa, ishte nga më të mirët që kam parë. Për sa thashë, dikush patjetër do mendoj, përse po bëj të habiturin për gjëra më se normale në çdo shtet tjetër! Jo se unë nuk kisha parë më parë të tilla, por sinqerisht, e ndjeja veten të prekur, për vetë faktin se gjëra të tilla që bota ka vite që i ka zgjidhur, ne i kemi akoma më mendërisht me km larg edhe pse jemi jo shumë larg fizikisht.

Së dyti, dhe në fakt kjo ishte më e rëndësishmja e asaj që doja të thosha, ishte se pashë një Zagreb pa kulla të larta (mbase ishin diku, por unë për aq sa qëndrova nuk i pashë), por me ndërtesa të bukura, të vjetra, secila me një traditë të ruajtur me besnikëri, ku çdo ndërtesë ruante një histori që ata ta tregonin me krenari. Kështu pashë ish-parlamentin, ndërtesën e qeverisë, një seri muzesh nga më të bukurit, deri tek farmacia e parë e hapur në qytet që ata e kishin ruajtur si objekt muzeal, tek ai dyqani që shiste kravata, me një kravatë të madhe në hyrje, simbolin e shtetit të tyre dhe deri tek Teatri Kombëtar i tyre, një ndërtesë me të vërtetë potente që të impononte kur e shikoje. Këtu do ndalem pak se është dhe një çështje shumë e prekshme sot tek ne. Ajo ndërtesë ishte me të vërtetë shumë e bukur, e ndërtuar shumë vite më parë, stili i një teatri klasik. Ishte evidente që si ndërtesë ishte shumë më madhështore se Teatri ynë Kombëtar (është një histori më vete që ata e kishin të tillë dhe ne kemi këtë që kemi, dhe po kështu është po një histori më vete, që historia njerëzore dhe trashëgimia artistike brenda mureve të të dy teatrove u përket secilit komb dhe ka vlerat e veta), por ata i kishin ruajtur me fanatizëm dhe çdo sallë tjetër teatri në qytet, shumë më të vjetra, secila me historitë e tyre. Teatri ku ne dhamë shfaqjen tonë, i quajtur Teatri Mala Scena (Teatri skena e vogël), me një kapacitet jo shumë të madh, me rreth 150 vende, si ndërtesë nuk të jepte asnjë përshtypje të veçantë, por i ruajtur me kujdes ai përcillte shfaqje të ndryshme, që ndiqeshin me shumë dëshirë nga pasionantë të teatrit të atij qyteti. Jo vetëm për këtë, por në brendësi të tij shikoje si një muze dhe gjithë historinë e tij. Dhe askujt nuk i shkonte ndërmend ta prishte! Në një qytet si Zagrebi kishte vendin e vet dhe Teatri i madh dhe ai i vogli, dhe të tjerë në qytet, secili me trashëgiminë e vet, secili me historinë e vet.

5

Shfaqja “TRI MENDJE NË ANKAND” në gjuhën kroate e pati premierën e saj në datën 13 tetor në Mala Scena në Zagreb dhe më pas vazhdoi në disa qytete të tjera si Porec, Zare, Osijek etj. Si e theksova në hyrje të këtij shkrimi, në këtë pikë nuk do ndalem shumë, pasi për këtë ata kanë shkruar vetë si dhe shtypi dhe kritika në Kroaci kanë dhënë opinionet e tyre. Por unë do të vlerësoja ndonjë veçanti të kësaj vënieje në skenë. Është e vërtetë që kjo dramë e kishte të katërtën herë që vihej në skenë, ku në tri vëniet e para, në Vlorë, në Elbasan dhe në Teatrin Metropol në Tiranë, është shfaqur me suksese dhe është vlerësuar me shumë çmime, njëkohësisht dy herë ka përfaqësuar Shqipërinë në skenat evropiane, në Francë më 1995 dhe në Vjenë më 2014 dhe po kështu më 2013 është shpallur si tekst ndër 100 dramat më të mira në Evropë, por kësaj radhe vihej për herë të parë në një gjuhë tjetër, në kroatisht. Në këtë këndvështrim ajo e kaloi me sukses “provimin e gjuhës së huaj”, pasi u prit mirë dhe u kuptua drejt nga spektatori kroat dhe ai shqiptar në Kroaci, gjë që u pa nga duartrokitjet dhe vlerësimet që u përcollën dhe në opinionet që shkëmbyem në veçanti (flas për dy shfaqjet që isha dhe vetë, në Zagreb dhe në Porec), por dhe nga sa u shkrua në disa gazeta dhe emisione radio dhe TV që e përcollën atë.

4

Unë personalisht vlerësoj në këtë vënie në skenë punën e kujdesshme dhe profesionale të regjisorit Leonard Hamitaj, i cili dhe luante vetë një nga rolet kryesore, duke i qenë besnik tekstit dhe mesazheve të komedisë, e pasuroi atë me gjetje regjisoriale dhe me vizatim të detajuar të ccdo personazhi, duke iu përshtatur dhe vetive të tyre personale. Ajo që të binte në sy ishte se, pasionit të një grupi aktorësh me etni të ndryshme, por me një dashuri të përbashkët për teatrin, ishte gjetur pika e përbashkët për të arritur në një shfaqje të harmonizuar dhe me një nivel të kënaqshëm interpretativ. Së dyti, që unë doja të veçoja në këtë rast, ishte fakti se unë pata rastin të njihja nga afër një grup të mrekullueshëm, me një dashuri dhe pasion të veçantë për teatrin, që edhe pse vinin nga jetët e tyre personale, ndoshta jashtë fushës së teatrit, aty kishin seriozitetin dhe profesionalitetin e një ekipi të mirë drejtuar dhe me një disiplinë në skenë, që sinqerisht ndonjëherë e kam parë të neglizhuar dhe nga aktorë profesionistë dhe me eksperiencë në disa vënie në skenë me të cilat jam hasur. Mbi të gjitha takova miq të mirë që do mbeten gjatë të tillë, pavarësisht nëse takohemi përsëri në të tilla rrethana. Me kombësi të ndryshme, por me të njëjtën dashuri dhe respekt për atë që ishin duke bërë, ato ditë në Zagreb unë pata fatin të njihja nga afër përveç Leonardit, dhe Vedranin e Miroslavin, “tre të çmendurit e mi”, Arijanën me origjinë hungareze, me Popin e saj, Enisën nga Bosnja me rolin e të Huajës dhe Olin, Infermierin.

3Shoqata teatrore shqiptare MËRGIMTARI. Kjo ishte pika e tretë, por jo më e parëndësishmja e këtij shkrimi. Me emrin e saj si një shoqatë, që në thelbin e veprimtarisë së saj kishte pikërisht teatrin, isha njohur dhe nëpërmjet Facebook-ut, por lidhja u realizua dhe nëpërmjet mikut tonë të përbashkët Armando Bora, ku u bë i mundur kontaktimi direkt me Leonardin dhe marrëveshja e përbashkët për vënien në skenë në gjuhën kroate të dramës sime. Dua të them se, që në fillim më bëri përshtypje korrektësia, si për pjesën artistike të marrëveshjes, për tekstin dhe marrëdhëniet regjisor-autor në një proces të tillë, por dhe në respektim një për një të të gjitha pikave me të cilat diskutuam hapur që në fillim, edhe pse i gjithë ky kontakt ishte online. Por takimi direkt me ta, njohja nga afër e gjithçkaje që ata bënin, edhe pse pak ditë, më krijoi bindjen të shkruaja këto pak rreshta, kjo më shumë për faktin se ata vunë në skenë një pjesën time, por më shumë si një detyrim moral në funksion të gjithë asaj pune që ata kishin bërë dhe po bënin për teatrin në përgjithësi, por dhe për njohjen edhe të autorëve shqiptarë dhe të dramës shqipe në Kroaci.

6E ndjej më shumë këtë detyrim edhe për faktin se unë vetë për shumë vite kam qenë vetë emigrant (për të mos thënë që dhe aktualisht jam një gjysmë emigranti) dhe e di mirë çdo të thotë të kesh në një anë jetën e emigrantit dhe në anën tjetër dëshirën dhe pasionin për art! Dhe këtë pasion unë e ndjeva nga afër ato ditë që ishim bashkë. Leonardi, që drejtonte shoqatën, duke qenë dhe vetë regjisor, por dhe aktor i pjesëve të vëna në skenë, ishte gjithmonë në lëvizje dhe i angazhuar për të shkuar çdo gjë sipas planeve të bëra. Shpirti shoqatës, Melita Oreškovič (dhe bashkëshortja e Nardit), ndjehej në çdo hap që bëhej. Çdo gjë organizuar deri në detaje kalonte në duart e saj. Organizimi i sallës, prenotimi i biletave, organizimi shfaqjeve në qytete të ndryshme, transporti, hotelet, ana financiare deri tek fotot apo intervistat me gazetat dhe emisionet TV dhe radiofonike. Duke ndjerë nga afër këtë mënyrë pune dhe organizimi, më lindi dëshira të mësoj më shumë për ecurinë e kësaj shoqate, me këtë emër kaq simbolik!

Fillimet e veprimtarisë kjo shoqatë i gjen prej vitit 2013 me performancën “Mbrëmje poetike”, e cila u vu në skenë dy herë në Zagreb, në sallën e Teatrit te Kukullave me titujt “Shqiponjës duam t’i ngjajmë” dhe “Rini thuaja këngës”, ku u sollën për publikun shqiptar e kroat letërsia më e njohur e autorëve shqiptarë që prej Rilindësve e deri tek autoret më të rinj, paraqitur nga studentët shqiptarë të Kroacisë që studiojnë në Zagreb. Ky grup teatral vuri në skenë në Zagreb më 1.12.2013 dramën në gjuhën shqipe “Dy krisma në Paris” të autorit Pëllumb Kulla dhe me kërkesën e publikut përsëri kjo dramë u rivu në maj të 2014. Kjo trup teatrale nisi për herë të parë turne edhe jashtë Kroacisë, paraqiti dramën edhe për shqiptarët e Sllovenisë dhe Italisë në sallën e teatrit të Koperit, Gledališće më 11.05.2014. Në vitin 2015 Grupi Teatral Mërgimtari përgatiti dhe shfaqi me sukses në Zagreb komedinë “8 Persona Plus” të autorit Ferdinand Radi, shfaqje kjo që u dha me sukses dhe në një turne në Kosovë dhe Maqedoni. Gjithashtu në dhjetor të 2015 në Teatrin e Zagrebit shfaqet recitali poetiko-muzikor “Kur fjalët i merr era” me monologë, poezi të autorëve shqiptarë e të huaj në gjuhën shqipe dhe pjesë muzikore në violinë e kitarë të interpretuara nga Lucija Štipčević e Antonio Kilovrat, nxënës të profesorit Xhevdet Sahatxhija.

1

Gjatë vitit 2016, veprimtaria e kësaj shoqate përqendrohet në organizimin e një manifestimi kulturor rajonal për nder të Pavarësisë së Kosovës me pjesëmarrjen e aktorëve, këngëtarëve të operës, motrave Mjeda; grupit vokal kroat “Zorja”, grupi i valleve të Shoqatës Ilira-Koper, Slloveni dhe rapsodit Martin Gojani. Po këtë vit ishte dhe organizimi i një koncerti me këngë dhe humor, e ftuar këngëtarja Ludmilla Baballëku, dhe skeçe të interpretuara nga aktorët e teatrit të shoqatës.

Në 2017 shfaqet në Zagreb komedia e autorit kroat Miro Gavran në gjuhën shqipe “Burri i gruas time”, duke e dhënë këtë komedi dhe në një turne në Stuttgart, Linz, Prishtinë. Po këtë vit vihet në skenë në gjuhën kroate tragjikomedia e autorit Armando Bora “Ata hyjnë pa trokitur” në gjuhën kroate, duke dhënë gjithsej shfaqje jo vetëm në Zagreb, por dhe në qytete të tjera të Kroacisë, Zagreb, Rijeke etj. Drama “Tri mendje në ankand” ishte e dyta dramë shqipe që vihej në skenë në gjuhën kroate, duke qenë një kontribut i veçantë i njohjes dhe prezantimit të dramës shqipe dhe autorëve të saj jashtë kufijve të Shqipërisë. Duke u njohur me aktivitetin e tyre, mësova se ne këto vite të veprimtarisë së tyre, kishin në repertorin e tyre rreth 25 shfaqje teatrale e spektakle të ndryshme. Ajo që binte në sy kur bisedoje me ta ishte synimi i tyre ambicioz për ta rritur jo vetëm në mënyrë sasiore veprimtarinë e tyre, por me objektiva të qarta dhe konkrete dhe për një punë cilësore dhe me nivel në fushën e teatrit. Kjo si duke vazhduar njohjen dhe prezantimin dhe më tej të dramës shqipe në Kroaci, por dhe në vënie të tjera me autorë të njohur të dramaturgjisë botërore. Njëkohësisht një synim i tyre ishte prezantimi dhe në festivale të ndryshme si në rajon, por dhe më gjerë. Ajo që në mendimin tim mbetet për t’u bërë më shumë, jo vetëm për këtë shoqatë teatrore qe unë njoha konkretisht, por dhe shumë të tjera që evidentojnë sot kulturën shqiptare jashtë kufijve të shtetit amë, është detyrë e shtetit tonë, Ministrisë së Kulturës, por dhe asaj të Diasporës për t’u dhënë një ndihmesë konkrete në drejtim të njohjes së tyre dhe të veprimtarisë së tyre edhe këtu në vendin tonë. Personalisht u ndava me ta me konsideratat më të larta dhe me bindjen që dhe në të ardhmen bashkëpunimi jonë do të ishte i pranishëm dhe në projekte të tjera.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top