Në fokus

November 28, 2017 | 15:40

Nga Graciela Mana: Fëmijët që zgjedhin të mos flasin me fjalë

 

Eni është një vajzë që flet papushim në shtëpi me gjithë familjarët e saj, por kur shkon në klasë shfaqet krejt e heshtur kur i kërkohet t’i përgjigjet pyetjeve që i drejton mësuesja. Gjithashtu ajo zgjedh të komunikojë nëpërmjet gjesteve edhe me bashkëmoshatarët e saj. Kur e pyesin në shtëpi, Eni përgjigjet se i pëlqen shumë mësuesja, shokët, klasa dhe gjithçka që ka lidhje me shkollën.

Nga Graciela Mana, Psikologe Klinike Terapiste EMDR

Nga Graciela Mana,
Psikologe Klinike
Terapiste EMDR

Në fakt, nëna referon se mban mend që fillimet e këtij problemi kanë nisur pak më herët dhe tregon sesi Eni nuk përgjigjej kur të njohur që ajo takonte në rrugë kur ishte me të bijën e përshëndesnin apo e pyesnin për emrin, për gjërat që i pëlqenin, Eni nuk u përgjigjej asnjëherë, por nëna nuk i ka kushtuar shumë rëndësi duke menduar se vajza frikësohej pa shkak apo kishte turp për arsye se nuk i njihte këta persona. Nëna instinktivisht përgjigjej në vend të vajzës për të dalë nga situata pa e ditur se kështu përforconte sjelljen e vajzës duke krijuar kështu një rreth vicioz që ka në qendër shmangien e ankthit.

Ilustrimi i mësipërm është një formë e shfaqjes së jashtmi të mutizmit selektiv, një formë e çrregullimit të ankthit të fëmijërisë që diagnostikohet kur fëmija në mënyrë të vazhdueshme në situata të ndryshme sociale (shkollë, aktivitete të ndryshme,etj.,) nuk është në gjendje të flasë kur i kërkohet, ndërkohë që në situata të tjera (në shtëpi apo me të afërm të tij diku tjetër) flet pa asnjë lloj problemi.

Mutizmi selektiv ndërhyn jo vetëm në marrëdhëniet e fëmijës me të tjerët apo në performancën akademike, por dëmton edhe cilësinë e jetës pasi fëmija në shumë raste e privon veten nga pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme, qëndron i tërhequr vetëm për t’iu shmangur ankthit që i shkaktohet sepse e di që do t’i duhet të flasë.

mutizmi

Por jo çdo situatë ku fëmija zgjedh të mos përgjigjet verbalisht mund të na orientojë drejt mutizmit selektiv.

Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj simptomave dhe kohëzgjatjes së tyre, e cila duhet të jetë e shprehur në më shumë se muaj kur fëmija në disa situata të caktuara në mënyrë të vazhdueshme ndalon së foluri tërësisht apo fillon të belbëzojë, të ulë thuajse fare zërin e të struket tek i afërmi, kur ka njerëz të tjerë të cilët i kërkojnë të flasë. Ai përdor gjeste, tregon me gisht, reagon me shprehje të fytyrës, por nuk shprehet me fjalë. Edhe kur ka nevoja të tij për të përmbushur fëmija mund të paraqesë kërkesën nëpërmjet komunikimit joverbal kur ndodhet në një situatë të caktuar (në shkollë, jashtë shtëpisë në praninë e njerëzve të tjerë) ndërkohë që flet dhe kërkon normalisht nëpërmjet fjalëve përmbushjen e kërkesave kur është në shtëpi apo i rrethuar nga familjarët pa praninë e personave më pak të afërm. Në disa raste fëmija mund të shfaqet i irrituar nga prania e këtyre situatave e prapë zgjedh të mos verbalizojë.

Nëse vërejnë që fëmija shfaq simptomat e lartpërmendura dhe gjithashtu janë siguruar se fëmija nuk ka problem të të dëgjuarit apo zhvillimit e gjuhës, prindërit duhet t’i drejtohen për një mendim më të specializuar psikologut ose psikiatrit për të vlerësuar një diagnozë të mundshme të mutizmit selektiv.

Në zhvillimin e çrregullimit të mutizmit selektiv ndikojnë një sërë faktorësh, duke nisur që nga aftësia e fëmijës për t’u përshtatur me situata të reja, përjetimi traumatik i fëmijës me situatë të panjohur më parë si dhe faktori gjenetik.  Fëmijët që shfaqin mutizëm selektiv kanë në një pjesë të rasteve në historinë e tyre familjare, të afërm që kanë shfaqur çrregullime të ndryshme ankthi përfshirë edhe mutizmin selektiv.

Vajzat janë dyfish më të prirura krahasuar me djemtë për të zhvilluar mutizmin selektiv.

Terapia sjellore është forma kryesore e trajtimit të mutizmit selektiv dhe realizohet nëpërmjet ekspozimit gradual të fëmijës ndaj situatës ankthioze. Fëmijës i rritet gradualisht kërkesa për të folur duke i ofruar edhe mbështetjen e duhur në mënyrë që ankthi për realizimin e kërkesës të ulet. Fillimisht kërkesat për ndryshim janë minimale, të lehta dhe në mënyrë progresive rriten e bëhen më të vështira, por gjithmonë duke pasur parasysh që të jenë të arritshme. Nëpërmjet përforcimit pozitiv, teknikës së shpërblimeve të vogla pas njëfarë kohe fëmija kupton se ndjehet më mirë dhe nuk ka të njëjtin nivel ankthi pavarësisht se situata ku i duhet të flasë është e njëjta.

Pa e kuptuar se po i dëmtojnë, një pjesë e prindërve nuk kërkojnë asistencë për fëmijët, duke menduar se kjo gjë do kalojë me kohën. Në rastet kur asistenca vonohet është më e vështirë të trajtohet fëmija dhe mund të lindë nevoja që të kombinohet terapia sjellore me terapinë medikamentoze, e cila zakonisht merret për një periudhë të shkurtër kohe nën kujdesin e mjekut specialist.

Pavarësisht se diagnoza është e njëjtë dhe paraqitja e rasteve ndryshon nga njëri fëmijë tek tjetri për sa i përket kohës dhe formës së zhvillimit të çrregullimit, është e rëndësishme që fëmijëve me mutizëm selektiv t’i jepet sa më shumë mbështetje të jetë e mundur në rastet kur përballen me situata të reja e të panjohura më parë për ta, t’i jepen paraprakisht shpjegime të detajuara për ndryshimin që do ndodhë në rutinën e tyre e të kërkohet ndihma e specialistit.

P.S: Eni është thjesht një emër i përdorur për ilustrimin e rastit dhe koincidencat mund të jenë rastësore.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top