Në fokus

August 18, 2017 | 9:58

Nga Graciela Mana: Si mund t’u vijnë prindërit në ndihmë fëmijëve për të menaxhuar ndjenjat e turpit?

Për shumë fëmijë reagimi ndaj eksperiencave të përjetuara në situata ku ata kanë përjetuar ndjenja turpi, mund të çojë deri në situate serioze, ku mund të veçojmë të qenit e fëmijës shmangës apo ankthioz. Në disa raste prindërit mund të mos tregojnë vëmendjen e duhur ndaj këtyre situatave, duke i vlerësuar ato si diçka kalimtare që ka lidhje me moshën e që mund të kalojë me rritjen e fëmijës apo konsolidimin e grupit shoqëror. Prindërit nuk mund të evitojnë situata ku fëmija i tyre të përjetojë ndjenja turpi, por mund të jenë të kujdesshëm ta ndihmojnë atë për t’i menaxhuar në mënyrë të shëndetshme.

Graciela Mana Psikologe klinike Terapiste EMDR 1

Graciela Mana
Psikologe klinike
Terapiste EMDR 1

Duhet pasur parasysh se, pavarësisht asaj që predikohet, fëmija krijon modelin e reagimit ndaj një situate ku përjeton ndjenja turpi në një mënyrë shumë të ngjashme me mënyrën e reagimit të prindërve të tij në situata të ngjashme. Si rrjedhojë, prindërit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj mënyrës së reagimit që shfaqin kur është i pranishëm fëmija i tyre. Përpjekja për të ndihmuar fëmijën të menaxhojë ndjenjat e turpit, mund të nisë edhe nga një lloj reflektimi që bën prindi ndaj situatave kur është ndjerë vetë si fëmija dhe të fokusohet te momentet kur ka arritur t’i përballojë siç duhet, duke i bërë kështu shembuj për fëmijën e tij.

Por gjithashtu, është e vlefshme ndarja e eksperiencave me fëmijën, duke i sjellë shembuj nga e kaluara apo edhe e tashmja, ku prindi është ndjerë në siklet apo ka përjetuar ndjenja turpi në situata të ndryshme. Është e rëndësishme që kur prindi ndan të tilla ngjarje me fëmijën t’i tregojë edhe për mënyrën e përballimit të situatës.

Është e rëndësishme që prindërit të ruajnë qetësinë dhe të shmangin gjykimet negative. Në rastet kur prindërit e humbasin gjakftohtësinë, mërziten apo bëhen nevrikë, fëmija ka tendencën të marrë mesazhin se ajo që ka ndodhur është diçka vërtet serioze dhe ndoshta vështirë të kapërcehet.

1

Diçka tjetër që duhet pasur parasysh është fakti se të rriturit shpesh qeshin kur fëmijët shfaqin ndjenja turpi ndaj situatave që në fakt nuk janë serioze për ne të rriturit. Duhet pasur kujdes në trajtimin e të tilla situatave pasi fëmija mund të asociojë edhe me ndjenja turpi në të ardhmen edhe në situatat fare të parëndësishme, duke u bërë kështu vigjilent ndaj çdo sjelljeje që kryhet në prani të të tjerëve, e duke përjetuar një stres të panevojshëm apo reagime të sforcuara.

Duhet mbajtur në vëmendje se fëmijët mund të jenë shumë të ndjeshëm ndaj diçkaje që të rriturve mund t’u duket fare e parëndësishme. Për këtë arsye, prindërit duhet të jenë të vëmendshëm e të mos neglizhojnë ndjenjat e fëmijëve edhe për gjëra të cilat prindërit i konsiderojnë si të parëndësishme pasi kjo mund ta bëjë fëmijën të ndihet si i lënë pas dore apo se askush nuk e kupton atë, por duke pasur gjithmonë kujdes për të ruajtur objektivitetin dhe për të mos i zmadhuar gjërat pasi kjo do ketë efekt të kundërt.

Gjithashtu prindërit duhet të kenë gjithmonë në vëmendje se, çdo fëmijë është një individ më vete. Nuk janë të pakta rastet kur prindërit i krahasojnë fëmijët me bashkëmoshatarët, të afërmit apo motrat/vëllezërit, duke i zhvlerësuar kështu ndjenjat e tyre e duke e përkeqësuar situatën. Do të ishte më mirë të vlerësonit ndjenjat e fëmijës, por pa ngecur në këtë situatë. Mund të bëhet një riformulim i tregimit dhe ndërgjegjësimi i fëmijës për shkakun e kësaj situatë dhe si mund të bëhet më mirë herës tjetër apo në një situatë të ngjashme që mund të ndodhë në të ardhmen. Kur fëmija ndodhet në një situatë të sikletshme një pjesë e mirë e tyre ka tendencën të thotë p.sh: se e panë të gjithë, apo të gjithë fëmijët reaguan keq apo qeshën me të, pra ka tendencën të përgjithësojë situatën. Mësojini fëmijës të riformulojë dhe të vendosë situatën reale pasi kjo do ta ndihmoje të fitojë zakone të shëndetshme për të ardhmen e të jetë më në paqe me situatën e ndodhur.

2

Prindërit mund të pyesin fëmijën se si do të ndihej në një situatë hipotetike. Mund të marrin si shembull një përvojë të sikletshme në të cilën gjendet dikush dhe të pyesin fëmijën se si do ndihej po t’i ndodhte atij. Pastaj nisur nga përgjigjet prindi mund  të ndërhyjë aty ku sheh se fëmija i tyre ka nevojë të krijojë një këndvështrim tjetër mbi mënyrën e përballimit të situatave të turpit.

Ekzistojnë disa mënyra për të ndihmuar fëmijën të menaxhojë ndjenjat e turpit dhe të fitojë aftësitë e duhura për të reaguar ndaj situatave jo komode në marrëdhënien me të tjerët, por është e rëndësishme që gjithmonë të ruhet objektiviteti në lidhje me situatën, pra të mos mbivlerësohet apo nënvlerësohet situata si dhe të ruhet fokusi në përvojat jetësore si pika referimi dhe udhëzues të vlefshëm për menaxhimin e problemeve në të ardhmen.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top