Nga Hysen Kica
Shenja të theksuara shkatërrimi, nervozizmi dhe padurimi po shfaqen përditë e më tepër në jetën njerëzore. U kënaqën spikerët e TV duke përsëritur qindra herë tragjeditë e përditshme. Njerëzit po i vrasin katastrofat natyrore me tërmete, përmbytje, cunamë apo uraganë, po i vrasin luftërat, po i vrasin drogat dhe pijet alkoolike, po i vrasin aksidentet, po vrasin njëri-tjetrin dhe po vrasin veten.
Mua më vjen keq që po shkon kështu procesi i zhvillimit të jetës ku po shfaqen simptomat e një shkatërrimi fatal. Ndoshta njerëzit janë asinkronizuar me realitetin, nuk arrijnë ta gjejnë vendin e tyre, bëhen jo vetëm robër të jetës por edhe viktima të saj. Ndoshta njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë sa e shtrenjtë është jeta, ndoshta nuk e dinë se jeta është e papërsëritshme. Ndoshta ca të tjerë kujtojnë se do të rijetojnë në një botë tjetër dhe e marrin kaq papërgjegjësi jetën e tyre!
Jeta njerëzore në udhëkryq.
Atmosfera e rënduar nga fatkeqësitë, kriminaliteti, korrupsioni dhe padrejtësia ndikojnë direkt në jetën e njeriut dhe prishin jo vetëm harmoninë e bashkëjetesës njerëzore, por edhe ekuilibrin psikologjik e shpirtëror të njeriut. Njeriu i sotëm, me sistem nervor të rraskapitur, me perspektivë të zymtë zhytet në botën e informacionit pa e përtypur atë. Shikon si budalla filmat horror e porno dhe e humbet vendin e tij në këtë proces. I varfëruar shpirtërisht, i ngatërruar në rrjetën e kontradiktave, përgjithësisht i pashpresë në përpjekjet për të realizuar ëndrrat e tij, njeriu vazhdon të humbasë vlerat e tij humane dhe ndjehet i vogël materialisht e shpirtërisht. Plot njerëz pushtohen nga dëshpërimi, bien në korrupsion e degjenerim moral dhe zhyten në kënaqësinë e atrofizimit të logjikës. Njeriu i quajtur popull përpëlitet midis fatalitetit dhe çoroditjes së plotë të ndërgjegjes së tij, duke harruar motivin më të shenjtë për të cilin duhet jetuar.
Të mësuarit dhe të menduarit është, për njeriun e sotëm, punë shumë e lodhshme dhe jo kënaqësi. Mirëpo mosnjohja të lë prapa jetës dhe prapa njerëzve, të bën t’i shohësh të tjerët me syrin e ligësisë dhe t’i urresh. Padija të varfëron shpirtin, të shkëput nga rrjedha e kohës, të ushqen urrejtjen për njeriun e ndershëm, të ushqen ndjenjat shtazarake, pasionet histerike, shthurjen seksuale, egërsinë deri në çmenduri. Kështu rritet paaftësia për të jetuar dhe njeriu bëhet kriminel.
Çuditërisht sot po vihet re braktisja e dashurisë njerëzore dhe një shpërthim i urrejtjes së njeriut për njeriun, i mbylljes së njeriut në unin e tij injorant, një zbrazëti e theksuar shpirtërore dhe kjo është e rrezikshme. Shpirti i pushtuar nga vetmia është i verbër dhe shumë pranë kriminelit. Duket se njeriu ka vetëm një qëllim të mjegulluar: Të flasë për vetveten, të mashtrojë, të sigurojë të ardhura pa punuar, të thurë poezi për vuajtjet e shpirtit të tij duke arritur deri në pikëllim. Duket sikur kjo të ngjall edhe mëshirë, por nuk është rruga për të gjetur zgjidhjet që kërkon jeta. Vuajtja nuk është e pamposhtur, por nuk shërohet nga poezia e pikëllimit. Ajo nuk duhet parë si faji i të tjerëve por si paaftësi për ta gjetur rrugën e të vërtetës. Njerëzit po lodhen duke dëgjuar rënkime.
Ulërima e njeriut të dëshpëruar tregon se ai e ka humbur qëllimin e jetës dhe duhet ndihmuar për ta rikthyer në jetë e jo për t’i fshirë lotët.
Por… Inferioriteti i shoqërisë po arrin në kufijtë fatalë. Interesat kanë nxjerrë edhe shpirtin në treg. Njerëzit shpirtzinj kanë rrëmbyer ekonominë dhe bëjnë ligjin. Kultivojnë drogë, filma porno e kriminalë, kazino dhe të gjitha llojet e lojërave të fatit vetëm për të rrjepur njerëzit. Në këtë realitet, njerëzit e mirë ndjehen të dërmuar shpirtërisht dhe të shfrytëzuar në të gjitha drejtimet. Shpesh edhe pa rrugëdalje. Shumë njerëz e ndjejnë veten të vegjël, të paaftë për ta gjetur rrugën e drejtë, ndihen të lodhur e të mërzitur dhe shndërrohen në armiq të njerëzimit. Njerëz të tillë janë të rrezikshëm dhe priren për ta kapërcyer arsyen, duke strehuar mendimet e tyre në prehrin e ideologjive fantazma.
Mendoj se ka edhe shanse.
Horizonti i dijeve dhe inteligjenca pozitive e ngrenë njeriun në piedestalin e nderuar, e shkëpusin atë nga llumi i injorancës dhe mbisundimi i instinkteve shtazarake. Në jetë nuk mjafton vetëm ta shfrytëzosh dijen, por edhe ta asimilosh atë. Në jetë nuk mjaftojnë kurrë ngushëllimet, por duhet të bëhesh i aftë për të jetuar. Njeriu, i pajisur me dije dhe energji pozitive, arrin gjithmonë t’i organizojë mendimet e tij për të gjetur një zgjidhje optimale në rrugën e jetës. Jeta nuk është një shëtitore për të shijuar aromën e luleve që kanë mbjellë të tjerët, por një përleshje për të mbijetuar në xhunglën e egër të ndeshjes së interesave. Vlera e njeriut përcaktohet nga aftësia e tij për të zbutur kontradiktat, për t’u larguar nga ligji i kafshëve, për t’i harmonizuar qëllimet e tij me shoqërinë dhe për të bashkëjetuar pa ngrënë njëri-tjetrin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.