FB

November 22, 2025 | 11:30

Nga Ilir Çumani: Bexhet Nelku, ky visar i heshtur i kinemasë shqiptare (In memoriam në 55-vjetorin e ndarjes nga jeta të aktorit)

Tirana e viteve ’60 ishte një qytet në lëvizje të përhershme, ku ritmet e qytetit përzienin historinë me ëndrrën për të ardhmen. Rrugët e shtruara me pllaka shkëlqenin në diellin e mëngjesit, dyqanet e vogla shpërndanin aroma të bukës së sapopjekur dhe kafenetë e ngushta ishin skena të vogla të debatit artistik dhe politik të kohës.

img-20251121-wa0004

Ecejaket e kalimtarëve, thirrjet e fëmijëve dhe zërat e tregtarëve përziheshin me muzikën e radios që dilte nga dritaret e hapura, duke krijuar një melodi urbane të jetës së përditshme.

Në këtë qytet, ku çdo rrugë kishte histori dhe çdo cep mbante një kujtim, një djalosh elegant, me sy të zjarrtë dhe shpirt të ndjeshëm, filloi të shkruante historinë e tij të shkurtër, por të paharrueshme. Quhej Bexhet Nelku.

img-20251121-wa0013

Ai lindi në Tiranë, më 8 janar të vitit 1937, në një kohë kur arti shqiptar po përpiqej të gjente vetveten, ndërsa qyteti rritej mes ngjyrave të reja dhe sfidave të vështira. Qysh në vitin 1957, kur ende ishte nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ai dha provën e parë të talentit të tij të rrallë me interpretimin në dramën “Orët e Kremlinit”.

Në sallën e vogël të teatrit, dritat ngadalë zbeheshin dhe një heshtje e rëndë pushtonte publikun. Çdo fjalë e Bexhetit, çdo heshtje, çdo lëvizje ishte si një valë drithërimesh, e pushtuar prej emocionesh që përhapej mbi shikuesit; dhe ata ndjenin se po hynin brenda shpirtit të personazhit, duke ndjerë dhimbjen dhe gëzimin si të vetin. Ishte një aftësi e rrallë, një dritë e brendshme që përshkonte çdo gjest dhe çdo tingull të fjalës, duke e bërë teatrin të gjallë, të frymëmarrshëm dhe të papërsëritshëm.

Pas diplomimit, në shtator të vitit 1963, Bexhet Nelku u pranua aktor në Teatrin Kombëtar. Çdo skenë ku shfaqej ai transformohej në një univers të ri, ku emocioni dhe realiteti bashkoheshin.

img-20251121-wa0003

Në vetëm shtatë vite jete artistike, Bexheti interpretoi në 20 pjesë teatrore – mesatarisht tre role në vit – dhe hapi rrugë edhe në filmin artistik, që atëkohë ishte ende në hapat e tij të parë. Shkëlqimi i tij nuk qëndronte thjesht në sasinë e roleve, por në intensitetin dhe individualitetin e tij, në autenticitetin dhe ndjeshmërinë me të cilën i jepte jetë çdo personazhi.

Ndër rolet më të suksesshëm të Bexhet Nelkut janë: “Cuca e maleve” – Prifti, “Fytyra e dytë” – Muhameti, “I pazëvendësueshëm”, “Shokët”, “20 ditët”, “Mbreti Lir”, “Muri i madh i pakapërcyeshëm”, “Tri të shtëna pushke”, “I teti në bronz”, “Detyrë e posaçme” – Nipi i Gjergjit, “Kur zbardhi një ditë” – Kapiteni gjerman dhe “Vitet e para”.

img-20251121-wa0006

Në filmin artistik, edhe pse në pak role, portreti i tij si aktor mbetet i skalitur mjeshtërisht te “I teti në bronz”, në rolin e mësuesit, dhe mbi të gjitha, te episodi “Ura”, në “Kur zbardhi një ditë”, ku interpreton kapitenin gjerman, rol që e luan duke u përballur edhe me sëmundjen. Çdo personazh merrte jetë të plotë, me një forcë të jashtëzakonshme emocionale, që e bënte shikuesin të ndjente dhimbjen, gëzimin dhe dilemat e tij të brendshme.

Bexheti nuk ishte vetëm një aktor i skenës dhe i filmit, por ai dha një kontribut të veçantë edhe si pedagog në Institutin e Lartë Artistik (ILA), duke u dhënë studentëve të tij lëndën e “Fjalës artistike”, pra të folurin skenik, intonacionin, fuqinë e heshtjes dhe rëndësinë e çdo fjale në interpretim. Çdo student që kalonte nën drejtimin e tij ndjente se po mësonte të shihte më thellë, të ndjente më fuqishëm dhe të kuptonte rëndësinë e së vërtetës së brendshme në art. Ai e shpjegonte zërin si një instrument që mund të ndriçonte mendjet dhe zemrat e publikut, dhe heshtjen si një moment që mund të mbante tërë tensionin e dramës.

Megjithatë, edhe pse Bexheti nuk pati fatin të shfaqte të gjithë potencialin e tij artistik në kinematografi, për shkak të moshës së re dhe largimit të parakohshëm nga jeta, fati e deshi që rruga e tij artistike të vazhdonte përmes të birit, Ejnar Nelku.

img-20251121-wa0005

Ashtu si i ati, Ejnari la gjurmë në vitet ’80 me disa role dytësore në kinematografi, duke u shndërruar në një profesionist i veçantë dhe i preferuar nga kineastët dhe regjisorët e kohës. Trashëgimia e talentit të Bexhetit nuk u shua, por u mboll si një farë e mirë në një brez të ri që solli vazhdimësi dhe respekt për artin.

Në fund të jetës së tij të shkurtër, ai u nda nga jeta më 21 nëntor 1970, në moshën vetëm 33-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Tirana, qyteti i tij, humbi një nga talentet më të mëdha dhe më të ndjeshme, ndërsa publiku, i pasionuar pas teatrove të qytetit, rikujtonte shfaqjet e tij dhe ndjente ende rrahjet e zemrës së personazheve që ai kishte interpretuar.

Humbja e tij nuk ishte vetëm për familjen, kolegët dhe miqtë e shumtë, por për gjithë skenën shqiptare dhe për publikun që ëndërronte të shihte rolet e tij të panumërta dhe të paplotësuara.

img-20251121-wa0002

Çdo shikim i tij, çdo frazë, çdo heshtje e skenës ishte një kujtesë se arti i vërtetë nuk matet nga kohëzgjatja, por nga fuqia që lëshon në ato pak vite që i ka.

Bexhet Nelku nuk ishte thjesht një aktor i madh dhe unik, por simbol dhe një shembull i mëvetësuar i pasionit, përkushtimit dhe i ndjeshmërisë, plot finesë dhe elegancë. Ai vazhdon të jetojë në secilin rol që interpretoi, në emocionet që ngjalli dhe në kujtesën e secilit shikues që u prek nga talenti i tij. Ai na mëson se edhe një jetë e shkurtër mund të lërë gjurmë të përjetshme, se arti është më i fortë se koha, dhe se ndonjëherë yjet ndizen vetëm për pak vite, por drita e tyre ndriçon përgjithmonë.

Në çdo rreze drite skenike që bie mbi kujtimin e tij, dhe në çdo heshtje të një karakteri që dikur frymoi përmes shpirtit të tij, ai mbetet si një visar i fshehur, që shkëlqen heshturazi në çdo gjurmë të lënë mbi pelikulën e kinemasë shqiptare.

img-20251121-wa0014

Aty ai vazhdon të rrojë, si një zë që nuk shuhet, duke dëshmuar se arti i vërtetë është më i fortë se koha dhe se nuk fiket kurrë, edhe kur jeta mbyllet shumë herët. Trashëgimia e tij vijon të marrë frymë në brezat që vijnë, duke lënë gjurmët e një drite të pathyeshme në udhën e artit shqiptar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top