Të dielën u takova dhe ndala pak çaste hapin për të biseduar me mikun dhe patriotin tim nga Saranda, ish-pedagogun e Institutit të Lartë të Arteve, (ILA), Mjeshtrin skrupuloz të dirigjimit, Artistin e Merituar Alqi Lepuri.
Takohemi shpesh bashkë dhe përshëndetemi gjatë javës, mbase edhe çdo ditë, ngase të dy jemi fqinjë në një lagje.
Sinqerisht, takimi me mjeshtrin gjithmonë është i dëshiruar për mua, sepse më ngazëllen, më jep një gazmend dhe emocion të veçantë që rrallë e ndesh tek persona të tjerë.
Ai, (për mua personalisht), më ngjason gjithmonë me një krijesë krejt të veçantë, të brishtë e delikate, sa intelektuale dhe sociale, aq edhe kreative, frymëzuese, frymëzuese, me energji mjaft pozitive, me humor të pashtershëm, plotë finesë dhe elegancë, që vetëm artistët e kalibrit si ai e kanë të mbrujtur, ajo u buron së brendshmi në mënyrë origjinale dhe krejt organike.
Takimi me Alqin, më jep gjithmonë përshtypjen e intelektualit dhe profesionistit të përkorë që i përket jo vetëm racës së artistëve të vërtetë, por të gjithë shtresës së epërme të shoqërive të emancipuara…
Ngase ai ka një veçori kaq njerëzore dhe të vërtetë, gati-gati të shenjtëruar në të gjitha çështjet dhe aspektet e komunikimit, të marrëdhënies e ndërveprimit.
Duket se edhe temat shumë serioze përmes bisedës me të, zhvishen nga tisi dramatik dhe vishen me aureolën e bukur të shpirtit njerëzor, me të bukurën, me atë që është e pacenueshme nga çdo forcë e errët, me dëshirën e madhe për jetën që ai e përcjell përmes sarkazmës dhe humorit të mençur si rrallëkush…
Të falem Miku im Artist, i larë dhe i mëkuar me ujin e bekuar të detit të kaltër të brigjeve joniane!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.