FB

November 12, 2025 | 15:58

Nga Ilir Çumani: Dy ndërgjegje që nuk u përkulën nga koha 

Në kujtesën e kulturës shqiptare ka figura që nuk patën kurrë karrige dhe ofiqe pushteti, por që, në fakt, i kanë dhënë kaq shumë mendim e shpirt, dinjitet e madhështi gjuhës sonë amëtare.

img-20251112-wa0000

Padyshim, Robert Zhvarc dhe Amik Kasoruho janë dy prej tyre, të cilët do të mbeten në historinë e kulturës sonë kombëtare si dy personalitete me ndërgjegje të rrallë, që përmes përkthimit, dijes dhe qëndresës, ndriçuan një kohë të errët e me shumë dilema. Ata nuk përkthyen vetëm letërsi, por përmes letërsisë përkthyen shpirtin e njeriut që nuk dorëzohet kurrë…

Në kohën kur fjala kontrollohej dhe mendimi dënohej, ata zgjodhën një formë tjetër lirie: lirinë e shpirtit.

Për ta, përkthimi ishte akt shpëtimi, një mision i patjetërsueshëm moral, si shprehje e dashurisë, përkushtimit dhe përulësisë për gjuhën shqipe.

Zhvarci, si intelektual e përkthyes, ishte një nga ato ndërgjegje të rralla që nuk i përkasin vetëm letërsisë, por vetë ndërgjegjes kombëtare.

I burgosur, i përjashtuar dhe i harruar për shumë vite, ai mbeti i pathyeshëm. Në qelitë e ftohta, ku shumë humbnin shpresën, ai përkthente Shekspirin, Danten, Eskilin, Gëten… duke i dhënë gjuhës shqipe pasuri, tingull dhe thellësi që i mungonin.

img-20251112-wa0001

Në çdo rresht të përkthyer ndjehet drita e një shpirti që e përdori fjalën si strehë. Zhvarci nuk u dorëzua, sepse e dinte fare mirë se përkthimi ishte më shumë se letërsi – ishte një mënyrë për të shpëtuar shpirtin nga errësira.

Në përulësinë e tij qëndron madhështia e vërtetë e njeriut që punon jo për veten, por për të tjerët.

Në anën tjetër të kësaj drite qëndron Amik Kasoruho, një njeri i rrallë që mishëroi kulturën, dijen dhe ndershmërinë. Përkthyes brilant, publicist dhe intelektual me përmasë universale, Kasoruho solli në shqip vlera të mëdha të letërsisë botërore, duke i dhënë gjuhës sonë pasuri dhe horizont.

Ai e dinte se kultura është mënyra më fisnike për të kundërshtuar harresën. Në çdo vepër që preku, në çdo përkthim që realizoi, ndjehet thellësia e një njeriu që e jetonte fjalën si mision. Kasoruho ishte intelektuali që nuk bërtiti kurrë, por që ndikoi fort; që nuk kërkoi mirënjohje, por që e fitoi me vepra.

Pra, të dy – si Zhvarci dhe Kasoruho – ecën në rrugë të ndryshme, por dritën e kishin të përbashkët. Të dy e përjetuan padrejtësinë, përbuzjen, heshtjen. Por asnjëri nuk pranoi të tjetërsohej. Ata mbetën të drejtë, të pastër, të shenjtë dhe besnikë deri në fund të jetës ndaj përkushtimit të fjalës.

Në përkthimet e tyre bashkohet në një thelb humanizmi shqiptar: qëndresa, përulësia dhe dashuria për të vërtetën.

Ata përkthyen botën për ne, por në fakt, përkthyen shpirtin e vet – duke e bërë shqipen një gjuhë të denjë për librat e mëdhenj të njerëzimit.

Sot, në një kohë zhurmash dhe harrese, kujtimi i tyre është një dritë që na detyron të ndalemi dhe të mendojmë.

Na kujton se kultura nuk është luks, por nevojë për të mbetur njerëzorë.

Na mëson se fjala është tempulli më i pastër i shpirtit dhe se intelektuali i vërtetë nuk është ai që bërtet e flet më fort, por ai që nuk e tradhton kurrë të vërtetën.

Robert Zhvarci dhe Amik Kasoruho do të mbeten gjatë në kujtesën tonë si dy emra që nuk duhen përmendur vetëm në ditët e përkujtimit, por në çdo ditë që flitet për dinjitet, kulturë dhe vlera shpirtërore.

Ata janë dhe mbeten përkthyesit e ndërgjegjes shqiptare.

 

PS – Në foto: Robert Shvarc dhe Amik Kasoruho – viti 1956

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top