FB

February 9, 2026 | 17:30

Nga Ilir Çumani: Ferdinand Deda, magjistari i skenës që vallëzonte me instrumentet muzikore

 

“Muzika është gjuhë që nuk flet me fjalë, por me shpirt. Dhe vetëm të mëdhenjtë dinë ta përdorin për të shëruar heshtjet e njeriut.”

(Epigraf kushtuar Ferdinand Dedës me rastin e 85-vjetorit të lindjes: 5 shkurt 1941 – 5 shkurt 2026)

ilir-cumaniok

Kur muzika kërkonte zëra që nuk këndonin vetëm me fyt, por me shpirt, asokohe u dëgjua për herë të parë dora e një dirigjenti që nuk komandonte, por ftonte në dialog çdo instrument muzikor. Quhej Ferdinand Deda dhe në sallat koncertale apo në skenë nuk drejtonte thjesht orkestrën më të madhe në Shqipëri, atë të Radio Televizionit Shqiptar, por ai ngjallte stuhitë e një universi melodish, ku notë pas note, frymë pas fryme, ndërtohej një botë që i përkiste të gjithëve.

Ai nuk e kishte zemrën të ndarë në dhoma, por e kishte hapur si një amfiteatër, ku çdo ndjesi e njeriut hynte për t’u bërë tingull.

Ferdinand Deda padyshim nuk ishte thjesht një kompozitor, por një virtuoz i rrallë në artin muzikor shqiptar, mbase edhe një magjistar i çuditshëm i skenës muzikore. Ai mund të konsiderohet si një shënjues i ajrit që vendoste në eter të gjitha meloditë e jetës. Prej Peqinit, i vogël në gjeografi, por i madh në ëndrrat që rriti, ai udhëtoi drejt Pragës me duart plot mall dhe u kthye në atdhe me vizionin e një artisti evropian, që nuk kishte nevojë për përkthim, sepse muzika e tij fliste vetëm gjuhën e shpirtit. Atij nuk i mjaftonte vetëm të krijonte, ngase donte të kujtonte me muzikë çdo ndjesi njerëzore: dashurinë, pritjen, lamtumirën, gëzimin e heshtur, triumfin, lavdinë, por edhe dhimbjen pa klithmë.

Në dirigjimin e tij, harku i violinës nuk ishte thjesht tingull, por frymë, vetëm frymë… Frymë që merrte formë, si të ishte lëng gjaku që qarkullonte në dejet e artit. Si një magjistar i padukshëm, që nuk kishte nevojë për mantelin e spektaklit, por vetëm për batonin dhe heshtjen e sallës, ai e shndërronte çdo koncert në një rrëfim emocional. Në çdo stinë të punës së tij, lulëzuan këngë që sot janë bërë pjesë e kujtesës kolektive.

Ai është themeluesi i “Festivaleve të Pranverës”, por në të vërtetë, vetë ai ishte një pranverë që erdhi në muzikën bashkëkohore dhe moderne shqiptare dhe nuk u nda kurrë prej saj. Mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë mbajnë emrin, firmën dhe zemrën e tij. Por muzika e tij nuk u shfaq vetëm në skenë – ajo u derdh në ekran, në kolonat zanore të pjesës më të madhe të filmave artistikë shqiptarë, në radhët e heshtura të partiturave të gjata, në duart e muzikantëve të vjetër dhe të rinj, në buzët e fëmijëve që edhe sot këndojnë këngët e tij si lutje dashurie.

ferdinand-deda-6

Ai nuk ishte thjesht një virtuoz i notave në pentagram, por më së pari ishte mjeshtër i rrallë në depërtimin e gjendjes emocionale të njeriut. Çdo kompozim i tij është një dritare e hapur drejt brendësisë së shpirtit shqiptar, një urë ndjenjash që na lidh me vetveten. Nga “Meditimet” simfonike te rapsoditë me frymë popullore, nga fantazitë për ksilofon te kolonat zanore të filmave shqiptarë, Deda ndërtoi një univers të heshtur ndjenjash, ku fjala nuk kishte më nevojë të fliste. Në botën e tingujve, ku çdo notë është si frymëmarrje, maestro Ferdinand Deda ishte i bekuar me një dhunti të rrallë: kishte një vesh muzikor absolut. Ai dëgjonte jo vetëm muzikën, por edhe të fshehtat që strehohen në çdo akord.

Për këtë veçori të tij, edhe sot rrëfehet një episod i paharruar nga provat me Orkestrën Simfonike të RTK-së. Në një çast, dirigjenti ndali batonën e tij dhe iu drejtua trompistit të dytë, i cili kishte luajtur gabimisht një akord, duke prishur qetësinë e melodisë. Deda mendoi se ndoshta ishte partitura ajo që kishte gabim. Por, kur e pa me kujdes, iu drejtua muzikantit:

—Në partiturë e ke “Mi natyral”. Pse po e luan “Mi bemol”?

Instrumentisti, i gjendur ngushtë, kërkoi ndjesë. Por edhe herën tjetër ai e përsëriti gabimin. Atëherë maestroja e pyeti:

—Përse sërish?

Trompisti buzëqeshi lehtë dhe u përgjigj:

—Doja të provoja sa i mprehtë jeni në dëgjim maestro. Ju dalloni jo vetëm gabimin e trompës, por me veshin e mprehtë muzikor që keni do të njihnit edhe tingullin e thyerjes së njëqind filxhanëve, sikur të ishte shkruar në partiturë.

ferdinand-deda-4

Që nga ai moment, respekti i orkestrës u bë edhe më i madh. Të gjithë e dinin se kishin përpara një njeri të jashtëzakonshëm, që dëgjonte muzikën me shpirt, jo vetëm me vesh. Ky ishte veshi i përjetësisë i maestros Ferdinand Deda, një kujtim që do të mbetet gjithmonë gjallë tek të gjithë ata që e kanë njohur nga afër dhe kanë bashkëpunuar me të.

Në vitin 2003, muzika shqiptare humbi një nga etërit e saj më të përkushtuar. Por, ashtu siç është shprehur edhe maestro Zhani Ciko, Ferdinand Deda nuk u largua. Ai thjesht u bashkua me përjetësinë e tingullit, aty ku jetojnë ata që nuk i vret heshtja, sepse janë bërë zë për të tjerët. Tingulli i jetës së tij nuk pushon. Ai dëgjohet ende në çdo notë të orkestrës së RTSH-së, në çdo buzëqeshje që shfaqet kur dëgjojmë një këngë të lehtë të fëmijërisë sonë, në çdo kujtim që kërkon një muzikë për të mos u shuar. Ferdinand Deda nuk është thjesht një emër në historinë e muzikës shqiptare. Ai është vetë historia dhe fryma e gjallë e ndjenjës së tingullit.

ferdinand-deda-3 ferdinand-deda-2 ferdinand-deda-1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top