Kjo është një foto interesante, njëkohësisht edhe një kujtim i bukur dhe i veçantë për mua… Jemi në qytetin e Sarandës, me një grup xhirimi të ish-“Kinostudio Shqipëria e Re”, atje, tek shkëmbinjtë që lagen në brigjet e detit Jon, sipër Hotel “Butrinti”…
Tek cepi i fotografisë, ai fëmija i ulur në shkëmb, (me shikim kureshtar, jam unë, në moshën 12-vjeçare), duke kundruar dhe ndjekur me orë të tëra mizanskenën dhe dublat në sheshxhirim për filmin Artistik Shqiptar “Ballë për Ballë”, me skenar të Ismail Kadaresë, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, i vitit 1979.
Bashkë me shokun tim, Lulëzim Trenin, (djali i ulur në mes të trupës së xhirimit), jemi duke ndjekur aktorin e madh Kadri Roshi, i cili përsëriste për të disatën herë dublin e një prej episodeve të këtij filmi, nën drejtimin e regjisorëve Piro Milkani dhe Kujtim Çashku, (të pranishëm në këtë foto), operatorit Ilia Terpini dhe grupit teknik të zërit dhe ndriçimit…
Përballë meje, ulur në shkëmbin që e rreh vala e detit, është i madhi Kadri Roshi, (me kapelën e bardhë prej shajaku të një fshatari lab dhe regjisori Piro Milkani, (në këmbë, me pardesynë e bardhë, që i jep porositë aktorit para xhirimit.
Kadriu më magjepste me lojën e tij kaq të bukur dhe të vërtetë….
Shumë skena të këtij filmi të xhiruar në Sarandë i kam ndjekur dita-ditës dhe ruaj kujtime shumë të bukura për atë kohë kur ky qytet kishte mysafirë të veçantë këta artistë të mëdhenj si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, etj.
Sarandë, 1979
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.