“Sikur të takoheshim me vetveten sy për sy, do t’putheshim, apo kishim për t’u pështy…?”. Këto vargje kumti të poetit kosovar Azem Shkreli m’u kujtuan aty për aty, tek po shikoja në media qysh në orët e para të tërmetit në agun e 26 nëntorit dy burra të përvuajtur prej dhimbjes, të cilët, edhe pse nuk njiheshin kurrë më parë, i zgjasnin duart njëri-tjetrit duke u parë në sy.
Njëri ishte specialist i forcave të emergjencës civile nga Serbia, dhe tjetri specialist i trupave të emergjencës civile nga Kosova. Së bashku me kolegët e shumtë ndërkombëtarë, kishin mbërritur me urgjencë në Thumanë për të ndihmuar vendin tonë në shmangien e pasojave të tërmetit. Të dy ata ishin vënë në rresht pranë njëri-tjetrit dhe dorë më dorë transportonin inertet duke i larguar nga pirgu i frikshëm i mbetjeve prej rrënojave të tmerrit. Në portretet e tyre shikoje jo vetëm heroizëm dhe vetëmohim, por edhe ankth e shpresë për të shpëtuar sa më shumë jetë të kërcënuara nga kthetrat e vdekjes.
Ajo skenë epike që shfaqej në sytë e të gjithë botës, përcillte respekt dhe admirim, lot, dhimbje e solidaritet, por edhe një mesazh të madh për jetën, duke lënë pas të shkuarën në emër të së tashmes dhe së ardhmes. Dy njerëz që në kohë të ndryshme të historisë janë parë si dy armiq të përbetuar, tashmë ndodheshin në një tjetër situatë, në një tjetër realitet, ballazi, aq afër me njëri-tjetrin, duke u parë sy ndër sy dhe duke përcjellë në këtë mënyrë mesazhin më të madh e më kuptimplotë të paqes. Dhe ky çast erdhi pikërisht tani, kur tragjedia dhe lëngata e një kombi, përtej përmasave të dhimbjes njerëzore apelon dhe mund të bashkojë në një solidaritet të mahnitshëm njerëz nga nacionalitete të ndryshme të ardhur nga e gjithë bota, për t’u bërë një trup i vetëm kundër fatkeqësisë më të madhe të natyrës.
Ato çaste dhe orë tragjike kombëtare bënë bashkë një kosovar dhe një serb, i vendosi ata përballë një sprove të madhe të paqëtimit dhe betejës së përbashkët për jetën. Një skenë e denjë filmike për të merituar çmimin Oscar, kur historia dhe përvoja na mëson se si paqja triumfon mbi luftën, jeta mbi vdekjen, e mira mbi të keqen, dashuria mbi urrejtjen, e tashmja dhe e ardhmja mbi të shkuarën. Pasojat mizore të tërmetit të 26 nëntorit nuk ka asnjë dyshim që janë serioze. Dëmet gjithashtu janë të pallogaritshme për një vend të varfër si Shqipëria. Kemi dhjetëra humbje të jetëve të pafajshme njerëzore, qindra e qindra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Mbi të gjitha, sot po përballemi me një dramë kolektive në shkallë kombëtare. Njerëzve të prekur drejtpërsëdrejti nga fatkeqësia u janë dëmtuar pronat, bizneset, shtëpitë, mijëra e mijëra vetë, gra, pleq e fëmijë kanë mbetur në qiell të hapur të pastrehë në këtë dimër të ftohtë. Atyre u është vrarë shpresa dhe tashmë nuk e dinë se kush do të jetë e ardhmja e tyre. Ashtu si ata, e gjithë shoqëria në përgjithësi po përjeton sot pasojat e rënda psikologjike post-traumatike. Kjo është sfida më e madhe përpos rikuperimit të dëmeve, pasi ka të bëjë me nevojën e një beteje dhe energjie potenciale të shumëfishtë në përballimin me sukses e me dinjitet të gjithë këtyre pasojave.
Por, më e rëndësishme është se tash duhet të dimë të administrojmë mirë situatën në të cilën ndodhemi, duke shmangur së pari gjuhën e drunjtë, retorikën e panevojshme, betejën e pandershme politike që provokon konfliktin social. Njerëzit duan të ndjejnë dorën e ngrohtë të shtetit dhe të shoqërisë, sigurinë dhe vijueshmërinë për normalizimin e gjendjes duke bashkëvepruar e bashkërenduar të gjitha hapat dhe veprimet përmes hallkave të pushtetit lokal dhe atij qendror, me synimin për të minimizuar dhe rikuperuar sa të jetë e mundur pasojat dhe dëmet. E gjitha kjo kërkon një ndërveprim të kujdesshëm dhe efikas operacional në mënyrë kapilare mes gjithë aktorëve institucionalë politikë-bërës dhe atyre të ligjit zbatues.
Lypset një solidaritet i gjerë social në funksion të paqes dhe sigurisë. Kjo duhet të reflektohet dhe të nxitet së pari nga ata që kanë mandatin e qeverisjes për administrimin e vendit, të cilët janë të parët që duhet të japin shembullin për garantimin e paqes sociale dhe sigurimin e një konsensusi të gjerë për organizimin dhe marrjen e një plani të gjerë masash për shfrytëzimin e të gjitha resursve dhe kapaciteteve në rikuperimin e pasojave të tërmetit, përmes bashkëpunimit dhe ndërveprimit me të gjithë aktorët institucionalë, qeveritarë dhe joqeveritarë.
Deri tani kemi parë se ka një organizim sporadik e fluid jo shumë efiçent në administrimin e gjendjes nga qeveria dhe strukturat e pushtetit lokal, nga të gjitha institucionet dhe organizmat e Emergjencës Kombëtare Civile, ngase me sa duket, ato u gjendën të papërgatitura dhe të brishta përballë një situate të tillë të jashtëzakonshme. Për këtë po diskutohet shumë, me keqdashje ose pa keqdashje, por në një kohë të trishtë e të gabuar, pasi nuk është momenti të drejtojmë gishtin tek shkaktarët e kësaj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.